Gjykimi ndaj bashkëshortit të prokurores Ervehe Gashi, i akuzuari thotë se kishin kërkuar nga ai që të ushtronte ndikim te bashkëshortja e tij

Raporton: Aurela MERLAKU

Prishtinë – I akuzuari Bajram Gashi, gjatë dhënies së mbrojtjes së tij ka thënë se Rizan Hoxhaj kishe kërkuar nga ai që të ushtronte ndikim te bashkëshortja e tij Ervehe Gashi në rastin penal ndaj Sadik dhe Dardan Hoxha.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Bajram Gashi e ka bërë në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, Gashi dhe Rizan Hoxhaj, në vitin 2017, në zyrën e të akuzuarit Dardan Hoxhaj, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin kërkuar nga Hoxhaj shumën prej 6 mijë euro, duke i premtuar se nëse do t’ua paguante ato, i akuzuari Gashi do të ushtronte ndikim mbi vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi.

Mirëpo, pas pranimit të fajësisë, të akuzuarit Rizan Hoxhaj dhe Dardan Hoxhaj ishin shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, derisa më pas ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarit Bajram Gashi, i cili kishte mohuar të gjitha akuzat ndaj tij.

Bajram Gashi, gjatë dhënies së mbrojtës së tij ka sqaruar se deri sa kishte qenë në proces të mësimit, kishte marrë një telefonat nga Prokuroria Speciale duke e njoftuar që të nesërmen duhet të shkoj për të dhënë një deklaratë, pa i dhënë ndonjë arsyetim se për çfarë ishte ftuar atje.

Ai tha se të nesërmen kishte shkuar në Prokurorinë Speciale, por pasi që ishte njoftuar që do të intervistohet në cilësi të akuzuarit nuk kishte pranuar të deklarohej pa angazhuar avokat, ashtu që intervistimi i tij ishte bërë një ditë tjetër.

Sipas tij, prokurori i çështjes nuk e kishte njoftuar se për çfarë po akuzohej.

“Vetëm me gojë më ka njoftuar se je i akuzuar për një vepër penale por asgjë më tepër nuk më ka thënë e po ashtu as me shkrim nuk më ka dhënë asgjë” shtoi ai.

Lidhur me rastin, i akuzuari Gashi ka thënë se deri sa kishte qenë në Ulqin më bashkëshorten e tij Ervehe Gashi për një ngushëllim, djali i tij Bardhi e kishte telefonuar duke e njoftuar se Dardan Hoxha bashkë me një person tjetër kishte shkuar duke i thënë “Ka me pa baba yt edhe nana jote, e ki babën pis e nanen dallavergjike”.

“Unë i thash bab rri ti i qetë deri sa unë të vi mos ndërmerr asnjë veprim, dhe Ervehes bashkëshortes time nuk i kam treguar fare për këtë rast, dhe si ka kalu ajo natë veç unë e di”, tha Gashi.

Tutje, ai ka thënë se të nesërmen kishte telefonuar Asllan Fanen duke i treguar se kishte qenë në shtëpinë e tij djali i Sadikut me një person tjetër i cili kishte kërcënuar familjen e tij deri sa ai nuk kishte qenë aty.

“Asllani më tha se Dardani sot ka qenë me vëllain e vet tek unë dhe po kërkojnë një takim me ty. Unë e pyeta se për çfarë arsye, a ke njohuri, ai më tha për do pare që janë marrë prej Rizan Hoxhës. Unë i thash takimin do ta mbajmë po me ardh edhe Rizani aty, edhe Sadiku edhe djemtë edhe të shohim se çka është puna”, tha ai.

Gashi ka sqaruar se të nesërmen janë takuar në zyre tek “Fanaj Petrol”, duke iu thënë atyre se muhabeti që e ka bë Dardani me Bardhin duhet të sqarohet.

“Unë i thash Dardanit çka ke lyp pram me ardh me ma kërcënu familjen, aj më tha unë kam dhënë pare, i thashë kujt i ke dhanë pare, ai më tha Rizan Hoxhës, unë e pyeta për çka, ai më tha me ma kry punën, un i thash cilën punë, ai më tha punën te shoqja jote, i thash a tu ka kry puna, ai më tha jo, në at moment ju kam kthy Rizanit, i thash a edhe qet punë e ke bo bre pis bre laper bre i poshtër, aj më tha nuk kam punë me ty, paret i kam marr nga Sadiku dhe me të kam punë” tha Gashi.

Ai ka thënë se Sadiku i kishte kërkuar falje për kërcënimin që kishte ndodhur ndërsa Rizani e kishte pranuar që kishte marr parat duke thënë se Bajram Gashi nuk kishte të bënte asgjë me këtë.

“Tani saktë nuk më kujtohet kush nga ai grup më ka thënë: a ka mundësi me ndiku te bashkëshortja juaj për mos me ushtru prokurorja ankesë, unë ju thash jo nuk bon se kjo nuk është në dorën time dhe nuk kemi ndërhyrje në profesione e as nuk kemi pasur asnjëherë”, deklaroi Gashi.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Gëzim Kolgeci se a kishte kërkuar ndonjëherë Rizan Hoxha që të ndikonte në rastin penal të Sadik dhe Dardan Hoxhës i cili ndiqej zyrtarisht nga bashkëshortja e tij, prokurorja Ervehe Gashi, ai tha se po, Rizani kishte shkuar tek villa e tij duke i kërkuar që ta ndihmonte në këtë rast por që sipas tij, kishte refuzuar të bënte një gjë të tillë.

Po ashtu, Gashi ka thënë se Rizani kishte qenë edhe një herë tjetër tek villa e tij bashkë me Sadikun duke i kërkuar përsëri që të ndikonte në këtë rast.

“Unë i thashë, Rizan unë të kam kallxu që nuk muj për këtë rast asgjë me bisedu e as me ndiku”, shtoi ai.

Sipas tij, me bashkëshorten e tij asnjëherë nuk kishte biseduar lidhur me këtë kërkesë dhe se asnjëherë nuk kishte dhënë ndonjë premtim ndaj Rizanit, Dardanit apo Sadikut që do t’iu ndihmonte në rastin e tyre.

Paraprakisht, në këtë seancë janë administruar provat materiale nga prokurorja speciale Iliriana Tafa-Çollaku, të cilat mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Kolgeci i ka kundërshtuar në tërësi duke thënë se të njëjtat janë të papranueshme si në aspektin procedural ashtu edhe në atë përmbajtjesor.

Lidhur me procedurën e provave, prokurorja speciale Tafa-Çollaku ka një CD e cila tha se  përmban hulumtimin e mediumit kallxo.com lidhur me këtë rast.

“Kjo për shkak se nga emisioni i publikuar lidhur me hulumtimin e këtij rasti ceket se është marrë prononcim nga disa dëshmitar që u dëgjuan edhe gjatë këtij shqyrtimi dhe disa deklarime të këtyre janë të ndryshme, meqenëse në fjalën përfundimtare do t’i referohem edhe prononcimeve të tyre të ndryshme unë do të doja që ti administrohej edhe si provë në raport me kredibilitetin e dëshmitareve dhe hulumtimi i kallxo.com lidhur me këtë rast, dhe këtë do ta sjellë në seancën e radhës si provë materiale”, tha Tafa-Çollaku.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Gezim Kolgeci lidhur me këtë çështje tha se kjo provë që tani u propozua nga prokurorja nuk ka qenë pjesë e aktakuzës, dhe pasi që e njëjta nuk është parë nuk mund t’i japin vërejtjet dhe kundërshtimet e tyre.

Ai tha se në rast se ky propozim aprovohet nga trupi gjykues, ata duhet ta kenë në posedim këtë CD, mirëpo trupi gjykues unanimisht ka refuzuar këtë kërkesë duke thënë se emisionet televizive nuk mund të jenë provë në një seancë gjyqësore e aq më tepër që ata dëshmitar që paraqiten në atë emision veçse janë dëgjuar.

Pasi që kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli ishte i angazhuar në një seancë tjetër në pjesën e pasdites, seanca është ndërprerë për të vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari gushi më 15 korrik.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale më 13 prill 2021, Bajram Gashi, Rizan Hoxhaj po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Ndërsa, Dardan Hoxhaj po akuzohet për veprën penale “ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 paragrafi 2 të KPRK-së.

Siç thuhet në aktakuzë, Bajram Gashi dhe Rizan Hoxhaj gjatë muajit korrik 2017, me qëllim të përfitimit material për vete, në zyrën e të akuzuarit Dardan Hoxhaj në rrugën Ejup Statovci në Komunën e Prizrenit, në mënyrë të drejtpërdrejte kishin kërkuar nga Dardan Hoxhaj shumën prej 6000 euro duke i premtuar se nëse do t’ua paguante parat e kërkuara, i akuzuari Gashi do të ushtronte ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e bashkëshortes së tij, prokurores Ervehe Gashi e cila ishte prokurore e rastit që ishte duke u zhvilluar ndaj të akuzuarit Dardan në Prokurorinë Themelore në Prizren dhe si rrjedhojë ai nuk do të akuzohej për të gjitha veprat penale qe ishte duke u hetuar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Hoxhaj, i joshur nga premtimi i të akuzuarve, gjatë muajit korrik të vitit 2017 të akuzuarit Rizan Hoxhaj fillimisht ja dorëzon shumën prej 1000 euro, ndërsa më 22 gusht 2017 ja dorëzon edhe shumën prej 5000 euro, si shpërblim për të akuzuarit për ndihmën që i kishin premtuar se do t’ia ofronin.

Ndërsa, Dardan Hoxhaj po akuzohet nga prokuroria se gjatë muajit korrik dhe gusht 2017 në mënyrë dhe formë të përshkuar si më lartë ia kishte dhënë parat në shumë prej 6000 euro të akuzuarit Rizan Hoxhaj për t’ia dërguar të akuzuarit Bajram Gashit njëherit bashkëshortit të prokurores Ervehe Gashi e cila ishte prokuroja e rastit në procedurën penale që po zhvillohej kundër tij, në mënyrë që të ushtronin ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e prokurores dhe i akuzuari Dardan Hoxhaj të mos akuzohej për të gjitha veprat penale që po hetohej. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë