Gjykimi ndaj avokatit të akuzuar për mashtrim, ftohet dëshmitari që është dëgjuar më parë

20190910_133823
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Shtator 10, 2019

Prishtinë – Dëshmitari Nazmi Selmanaj, do të ftohet përsëri për t’u dëgjuar në gjykimin ndaj avokatit Haxhi Çekaj, i cili akuzohet për mashtrim.

Dëshmitari Selmanaj, kishte dhënë dëshminë e tij edhe në seancën e mbajtur më 21 janar të këtij viti, si i propozuar nga prokuroria, në rastin që ndryshe është edhe i shërnjestruar për liberalizimin e vizave.

Pavarësisht kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vendosur që të njëjtin ta ftojë përsëri për të dëshmuar në këtë rast, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vendimit të trupit gjykues të kryesuar nga gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj, i ka paraprirë propozimi i mbrojtësit të të akuzuarit Çekaj, avokatit Besnik Berisha.

Në arsyetimin e kërkesës së tij, Berisha deklaroi se është thelbësore që Selmanaj, ta sqarojë çështjen e pretendimit të prokurorisë rreth asaj nëse i akuzuari ka kërkuar 40 mijë euro nga e dëmtuara Mirjeta Imeri.

Para se trupi gjykues ta ftonte Selmanajn edhe njëherë për të dëshmuar, prokurori Sylë Hoxha kundërshtoi këtë propozim të prokurorisë, me arsyetimin se Selmanaj, është dëgjuar në cilësi të dëshmitarit dhe të gjitha palët kanë bërë pyetje për të.

“Selmanaj, që ka qenë dëshmitar i prokurorisë, i njëjti është dëgjuar gjatë shqyrtimit gjyqësor, i kemi bërë pyetje të gjithë ne, edhe mbrojtësi i të akuzuarit, kështu që ne konsiderojmë si të panevojshme marrjen në pyetje të Nazmi Selmanajt dhe i propozojmë gjykatës që propozimin e mbrojtjes ta refuzoi”, ka thënë Hoxha.

Edhe përfaqësuesi i të dëmtuarës Mirjeta Imeri, avokati Durim Osmani, e kundërshtoi propozimin e mbrojtjes, me arsyetimin e ngjashëm me atë të prokurorit, se dëshmitari i ka thënë të gjitha çfarë ka pasur të thotë kur ishte dëgjuar.

“Ai pranë policisë ka deklaruar se a keni qenë prezent kur Haxhi Çekaj i ka kërkuar 40 mijë euro për trupin gjykues ai ka deklaruar “absolutisht unë jo”, theksoi avokati Osmani.

Me vendimin e trupit gjykues, dëshmitari Selmanaj, në seancën e radhës, e cila është caktuar më 26 shtator 2019, në ora 13:15, do të deklarohet vetëm sa i përket kërkesës së mbrojtjes, por jo edhe për çështje të tjera.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë më 11 prill 2017, me të cilën Haxhi Çekajn e akuzon se në cilësinë e avokatit të të akuzuarit Nimon Berisha me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër e mashtron të dëmtuarën Mirjeta Imerin dhe atë në vazhdimësi duke filluar nga 06.01.2015 e deri më datën e ndalimit dhe arrestimit të tij më 15.02.2017.

Prokuroria pretendon se Çekaj, nga e dëmtuara Mirjeta Imeri kishte marr para për mbrojtjen e Nimon Berishës, babait të dëmtuarës në emër të mbrojtjes së tij dhe në emër të ekspertizave marrjes së një ekspertize nga Turqia dhe atë në një shumë të përgjithshme prej 43.000.00 euro, si dhe shumën tjetër të cilën Çekaj, e ka marr nga e dëmtuara në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë në shumë prej 40.000.00 euro. Kjo shumë është konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit, ndërsa dëmi i shkaktuar të dëmtuarës tejkalon shumën 50.000.00 euro. /BetimipërDrejtësi