Gjykimi ndaj arkitektit të Komunës së Prishtinës i akuzuar për korrupsion, prokuroria kërkon të ftohet ish-përfaqësuesja e komunës që të deklarohet lidhur me dëmin  

Raporton: Anesa HOXHA

Prishtinë – Në gjykimin ku Gëzim Ferizi, arkitekt i Komunës së Prishtinës, po akuzohet për keqpërdorim me leje ndërtimore, pasi që në seancën e kaluar përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës kishin thënë se nuk e konsiderojnë veten të dëmtuar në këtë rast, prokurorja Dulina Hamiti ka propozuar që të ftohet ish-përfaqësuesja e komunës për tu deklaruar rreth dëmit që pretendohet se i është shkaktuar komunës.

Kjo pasi që sipas prokurores, ish-përfaqësuesja ligjore, Arta Mazreku në deklaratën e dhënë në prokurori kishte thënë se e Komuna e Prishtinës e konsiderojnë veten të dëmtuar.

Ndryshe, në seancën e 18 majit përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Komuna e Prishtinë, avokati Bajram Dini ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk e konsideron veten të dëmtuar në gjykimin për keqpërdorim me lejet ndërtimore, pasi sipas tij leja ndërtimore ishte lëshuar pasi që ishte bërë ndërrimi i pronës publike në atë private.

Një propozim i tillë ka ngjallur reagime nga trupi gjykues, mbrojtja si dhe përfaqësuesit e autorizuar të Komunës së Prishtinës.

“Përfaqësuesi ligjor i komunës ja ka bartur autorizmin përfaqësuesit të autorizuar dhe të cilët i kemi prezent dhe të njëjtit kanë hequr dorë në seancën e kaluar nga ndjekja penale. Në seancën e parë time,  Bajram Dili ka thënë se i bashkëngjitet ndjekjes penale ndërsa në seancën e kaluar ka thënë se nuk i bashkëngjitet dhe nuk e ndiejnë veten të dëmtuar”, tha kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dermaku.

Gjykatësja Dermaku ka shtuar se Mazreku tani është në cilësi të dëshmitares pasi që e njëjta i ka bartur autorizimet tek përfaqësuesit e komunës që ishin prezent në seancë, dhe se dëshmitarja më nuk parashtron kërkesë pasurore juridike.

“Jeni tu e tejzgjat procedurën”, tha gjykatësja Dermaku.

Ndërsa përfaqësuesit e autorizuar të Komunës së Prishtinës, avokatët Arbër Istrefi dhe Bajram Dili e kanë kundërshtuar këtë propozim pasi që sipas tyre nga periudha kur dëshmitarja kishte dhënë deklaratë e deri më tani kanë ndryshuar rrethanat dhe janë aprovuar dhe zbatuar vendimet e këmbimit të pronave.

Avokati Istrefi ka thënë se dhe me të drejtë Mazreku ka mundur të supozoj se Komuna ka qenë palë e dëmtuar ashtu sic kishte supozuar edhe ai, mirëpo se pas mbajtjes së takimeve me gjeodetin e Komunës dhe me drejtorin e kadastrës dhe pas sigurimit të provave ai tha se më nuk mund të deklarohen se janë palë e dëmtuar, pasi që në këtë rast nuk u është shkaktuar dëm.

“Ajo edhe po të vjen nuk mundet me u deklaru për dëmin eventual sepse nuk ka qasje më në dokumentet zyrtare dhe nuk ka njohuri çka ka ndodh më tutje këtu. E mbështes në atë kohë cka ka thon mirëpo sot ajo nuk mundet mu deklarua”, tha avokati Istrefi.

Gjithashtu ky propozim është kundërshtuar edhe nga mbrojtësi i të akuzuarit Ferizi, avokati Skender Musa me arsyetimin se prokuroria po e zvarrit rastin në vend se të tërhiqet nga akuza ashtu sic përcaktohet me ligj në këto raste.

“Në mënyrë të padrejtë që nga viti 2018 për shkak të mosnjohjes së procedurave nga ana e prokurorisë së shtetit vazhdon të jetë i suspenduar nga vendi i tij i punës për shkak se një qytetar laik në drejtësi parashtron një kallëzim penal e dërgon në prokurori dhe prokurori në kundërshtim me dispozitat ligjore ngrit aktakuzë dhe madje edhe kur përballet me të gjitha provat se s’ka pasur shkelje ligjore kur vet pala e dëmtuar argumenton dhe dëshmon se të gjitha procedurat kanë qenë në rregull ku është kryer ndërrimi i pronave në mënyrë të rregullt, propozon që të dëgjohet ish-përfaqësuesi me autorizim i Komunës së Prishtinës”, tha avokati Musa.

Andaj i njëjti ka lutur gjykatën që mos ta lejojë asnjë palë të keqpërdorë autorizimet ligjore që ju kanë dhënë palëve në procedurë e në mënyrë të veçantë prokurores së çështjes.

“Sepse ky propozim bëhet qartë vetëm me prolongu procedurën për shkak se ka dorëzu një aktakuzë pa asnjë provë sipas një kallëzimi penal të bërë nga një qytetar laik, edhe ne kemi me lajmërua KPK-në”, tha avokati Musa.

Lidhur me këtë ka reaguar prokurorja Hamiti e cila ka thënë se aktakuza është e mbeshtetur në provat dhe se ka prova të mjaftueshme, duke shtuar se do të lajmërohet Oda e Avokatëve për fyrjen që avokati Musa sipas saj, i ka bërë Institucionit të Prokurorit të Shtetit.

“Provat i keni para vetit, Të njoftohet Oda e Avokatëve, është fyerje për institucionin e prokurorit të shtetit sepse akuza i ka të gjitha provat dhe është ngrit mbi provat, e që ka ndryshu gjendja më vonë ato jon çështje të tjera”, tha prokurorja.

Pas marrjes së mendimit të palëve, gjykata ka refuzuar propozimin e  prokurorisë me arsyetimin se Komuna e Prishtinës tani përfaqësohet nga përfaqësuesit e autorizuar me autorizim gjeneral dhe  e drejta për tu deklaruar lidhur me kërkesën pasuroro juridike dhe dëmit të shkaktuar ju takon vetëm atyre.

“Po ashtu fakti se tani Arta Mazreku sic u deklarua këtu, nuk e përfaqson Komunën e Prishtinës  dhe as që punon aty dhe nuk ka kompetencë të deklarohet lidhur me kërkesën pasuroro- juridike e as dëmin eventual të komunës”. tha gjykatësja Dermaku.

Paraprakisht në këtë seancë është dëgjuar dëshmitari Besim Ajeti, vëllai i dëshmitarit Bujar Ajeti i cili ishte dëgjuar në seancën e kaluar.

Dëshmitari Ajeti ka thënë se në vitin 2015 kishte bërë një kërkesë në Drejtorinë e Urbanizmit për verifikim dhe rishikim të lejes ndërtimore të investuesve Latif Brajshori dhe “NNH Morina”, pasi që sipas tij, objektet që po i ndërtonin këta investitorë po preknin edhe rrugën publike të komunës për të cilën dëshmitair pretendonte se më parë ishte e babait të tij.

“Ajo leje ka qenë për objektet A,B dhe C në lagjen Mati1 e cila leje e ndërtimit e ka prek në ndërtim një rrugë publike e pakategorizuar e cila parcelë ku janë ndërtuar objektet në këtë kohë ka qenë në emër të Komunës por ajo ka qenë rrugë e lëshuar prej babës tonë, Selman Emin Ajeti e cila kur është lëshuar në vitin 1972 gabimisht është bërë rrugë publike, ajo u lëshuar për rrugë private”, tha dëshmitari.

E se për këtë kërkesë ai tha se kishte pasur takim me drejtorin e atëhershëm të Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliun dhe të akuzuarin Ferizi, duke shtuar se të akuzuarin Ferizi nuk e ka njohur më parë.

Më pasi ai tha që kishte parashtruar një kërkesë në MMPH për shikim të vendit të ngjarjes dhe ndaljen e punës së ndërtimit të objekteve të lartcekura nga inspektorët dhe se pas daljes në vendshiqimi kishte marrë përgjigje nga ky institucion se ka pasur shkelje ligjore me lejen ndërtimore të lëshuar.

“Në atë shkresë është vërtetua se ka shkelje ligjore me atë leje ndërtimore pasi është përfshirë edhe ngastra e lartcekur, për të cilën leje të ndërtimit s’kanë pas të drejtë me hi në ndërtim përveç situacionit që e ka shfrytëzu”,tha ai.

I pyetur nga prokurorja Hamiti nëse ishte në dijeni që rruga ka qenë e përfshirë në lejen ndërtimore, i njëjti mohoi një gjë të tillë duke shtuar se kishte qenë vetëm në pjesën grafike.

Lidhur me këtë rast, ai tha se më pastaj së bashku me vëllain e tij kanë bërë kallëzim penal ndaj të akuzuarit Ferizi.

Ndërsa duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Istrefi, dëshmitari tha se lidhur me parcelën kritike ata kanë parashtruar padi për vërtetim pronësie, mirëpo se rastin e kanë humbur në të tri shkallët.

Derisa shtoi se tani rastin e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Musa, dëshmitari Ajeti deklaroi se në vitin 2013 kur është lëshuar leja e ndërtimit për objektet e lartcekura, nuk ka pasur asnjë dokument për ndërrimin tokë me tokë apo ndërrimin e rrugës publike nga njëra në tjetrën.

Me lejen e gjykatës avokati Musa i ka prezantuar dëshmitarit vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës të datës 08.05.2016 me të cilën është ndërruar parcela kritike në pronësi të Komunës  me paluajtshmërinë e Hakif Thaqit dhe Lulzim Mehmetit, për të cilën dëshmitari tha se nuk e kishte parë më parë.

Për ndërrimin e pronës publike në atë private, dëshmitari tha se e kishte të qartë që nuk ishte kompetencë e asnjërit zyrtarë madje as të akuzuarit Ferizi por e Kuvendit Komunal.

“Tash që po e keni të qartë se nuk ka qenë kompetencë e Gëzimit, a keni pasur diçka personale me të apo pse e keni bërë kallëzimin penal ndaj tij?, pyeti avokati Musa, për çka dëshmitari Ajeti u përgjigj “absolutisht kurgjo personale”.

Ai ka shtuar se në këtë proces të këmbimit të tokave të dhënies së lejes së ndërtimit ai dhe vëllai i tij Besnik Ajeti nuk janë palë në procedurë.

Më pas avokati Musa ka pasur vërejtje në deklaratën e dëshmitarit pasi që sipas tij, i njëjti me asnjë fakt nuk ka mundur të vërtetoj se kallëzimi penal që e ka paraqitur ka ndonjë bazë ligjore dhe se dëshmia e tij është imagjinatë pasi që nuk ka qenë palë në procedurë e as nuk ka pasur interes juridik në atë pronë.

“Dhe nuk ka arritur të dëshmoj që ky ose paraardhësi i tij kanë qenë pronar i ndonjë ngastre”, shtoi avokati Musa.

Seanca e radhës ku pritet të administrohen provat dhe jepet mbrojtja është caktuar më 16 qershor 2022.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të ngritur më 25 janar 2018, Gëzim Ferizi, në cilësinë e inxhinierit të arkitekturës në Drejtorinë e Urbanizmit në Prishtinë, ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare, me ç’rast Komunës së Prishtinës i kishte shkaktuar dëm të konsiderueshëm material.

Sipas aktit akuzues, i akuzuari Ferizi kishte nxjerrë dy aktvendime të lejeve ndërtimore, por që pjesa tekstuale nuk përkonte me pjesën grafike.

Ai akuzohet se më 22 mars 2013, kishte përpiluar aktvendimin e parë të lejeve ndërtimore për ndërtimin e objekteve afariste në objektin “A” dhe “C” në lagjen “Mati 1”, në Komunën e Prishtinës, ku investitor në këtë objekt është Latif Brajshori.

Kurse, sipas aktakuzës, më 10 qershor 2013, kishte nxjerrë aktvendimin e dytë për lejen e ndërtimit për objektin “B”, po në këtë lagje, ku investitor është “NNH Morina Ib”.

Në aktakuzë thuhet se pjesa tekstuale e lejes ndërtimore nuk përputhet me pjesën grafike, e që në pjesën grafike, sipas aktakuzës, kishte përfshirë edhe ngastrën kadastrale 741/14, e cila rrugë evidentohet në emër të Komunës së Prishtinës.

Në bazë të aktakuzës, kjo rrugë kishte qenë rrugë publike e pakategorizuar, ndërsa me anë të këtyre lejeve, u ishte mundësuar investitorëve ndërtimi i objekteve afariste. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë