Gjykimi i zyrtarëve të MTI-së, eksperti financiar: Ministria është dëmtuar me 22.602 euro 

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Dy zyrtarët e Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, Halil Bajrami dhe Burim Zekaj, akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Në seancën e së enjtes, eksperti financiar Shaip Bytyçi, dha versionin e tij të ekspertizës së bërë në lidhje me kontratën që ishte lidhur ndërmjet Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) dhe kompanisë “Ataq Consulting”, për furnizim, instalim dhe mirëmbajtje të pajisjeve për navigator të qytetit.

Eksperti financiar Bytyçi, tha se ky projekt ishte bërë në vitin 2008 dhe se ekspertiza është bërë në janar të vitit 2013. Vlera totale e këtij projekti ka qenë 113.013 euro, por që ishin paguar nga ministria 90.410 euro. Nga kjo shumë ishte dashur që të zbriten 20 përqind të shumës totale, pra paradhënia i dhënë në fillim të punëve, e që i bie 22.602 euro, por kjo nuk kishte ndodhur.

Ai shtoi se pasi që kishte kërkuar në ministri dokumente shtesë, nuk i kishin ofruar asgjë më shumë prej dokumenteve përveç atyre që ai kishte pasur. Pra sipas ekspertit Bytyçi, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ishte dëmtuar me 22.602 euro.

Tutje ai shtoi se, në shkresat e lëndës ceket se MTI është furnizuar me ato pajisje, por që askund nuk ishte konstatuar se të njëjtat pajisje ishin instaluar në ndonjë vend. Ai gjithashtu kishte kërkuar nga MTI një raport teknik mbi pranimin e pajisjeve, por zyrtarët e ministrisë nuk ia kishin ofruar.

Pasi që palët nuk kishin pyetje, gjyqtari Faik Hoxha e ndërpreu seancën për të vazhdar më 23 nëntor 2016, në ora 09:00.

Prokuroria Themelore pretendon se i pandehuri Halil Bajrami në cilësinë e udhëheqësit të politikave dhe promocion turistik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare si bartës i projektit “Navigatori i qytetit”. Ai ia kishte mundësuar Kompanisë “Ataq Consulting” nga Gjilani pagesën e tërësishme në shumë prej 113.013.00 euro, pagesë kjo nga kontrata “Furnizimi, instalimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve për navigator të qytetit”. Edhe pse kjo se kjo kompani ka përmbushur vetëm pjesërisht obligimin dhe furnizimin e MTI-së me pajisjet e parapara në kontratë, vlera e të cilëve ishe në shumë prej 94.410.00 eurove, e njëjta ka pranuar paraprakisht paradhënien në shumë prej 22.602.60 euro, shumë kjo në dëm të MTI-së. Ndërsa i pandehuri Burim Zekaj, në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MTI, duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare ka lëshuar urdhër për pagesa me vlerë prej 90.410.00 euro për kompaninë “Ataq Consulting” në Gjilan.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë