GJYKIMI I VRASJES SË ARDIANA HETEMIT, DREJTË FUNDIT

Raporton: Lutfi MORINA

Prizren – Gjykimi në rastin e vrasjes së Ardiana Hetemit nga Ferizaj po shkon drejtë fundit. Të premtën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Qamil Hetemi,  i cili akuzohet nga prokuroria se ka vrarë bashkëshorten e tij, Ardiana Hetemi, ku palët në procedurë kanë paraqitur fjalët përfundimtare.

Prokurori i çështjes, Mehdi Sefa, në fjalën e tij përfundimtare ka deklaruar se me provat e  paraqitura para trupit gjykues siç është ekspertiza balistike, raporti i autopsisë, si dhe rekonstruimi të vendit të ngjarjes nga ky trup gjykues, poshtu nga dëgjimi i dëshmitarit Emrush Azizi (babait i të ndjerës), Taunita Hetemi (vajza), Rrezon Hetemi (djali) dhe Arjeta Sherifi (motra e të ndjerës) dhe dëshmitarëve-ekspert si Arsim Gërxhaliu e Tefik Gashi në cilësinë e ekspertëve mjeko-ligjor, ekspertëve të balistikës Ilir Kukaj, Fejsal Lutfiu dhe Milazim Tahirukaj, si dhe ekspertizës nga Kroacia të përpiluar nga Damir Tomashek në të cilën janë gjetur grimca baruti në dorën e të të akuzuarit, me pa dyshim se është vërtetuar se i akuzuari ka kryer vrasjen e të ndjerës, pas mosmarrëveshjeve paraprake, për shkaqe xhelozie.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Mexhid Syla, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se barra e të provuarit të akuzës i bie prokurorisë, dhe se trupi gjykues për të shpallur të akuzuarin fajtor, duhet të gjejë se akuza e ngritur nga prokuroria është provuar përtej dyshimit të bazuar, duke shtuar prokuroria ka vlerësuar provat me njëanshmëri, duke mos vlerësuar provat që shkojnë në favor të të akuzuarit e të cilat sipas tij, janë të shumta.

Më tej avokati Syla ka theksuar se, organi i akuzës ka dështuar të provojë pretendimet se në mes të të akuzuarit dhe të ndjerës ka pasur mosmarrëveshje paraprake, pasi që dëshmitarët kryesorë të rastit si vajza dhe djali i tyre nuk  e kanë dëshmuar një gjë të tillë dhe fakti se ata vazhdimisht kanë udhëtuar bashkë jashtë shtetit dhe dy javë para rastit, janë kthyer nga një udhëtim familjar në Ulqin edhe letra e shkruar nga e ndjera para se të ndodh rasti tregon që ajo ka bërë vetëvrasje sepse në këtë letër ajo i drejtohet të gjithë familjarëve veç e veç, duke u lënë porosi dhe duke u treguar se nuk do të jetë më në jetët e tyre.

Seanca e së premtës, ka përfunduar me fjalët përfundimtare të organit të akuzës dhe mbrojtjes, ndërsa kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Skender Çoçaj, ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 22 shkurt 2016, në ora 15:30.

Ndaj Qamil Hetemit, ishte ngritur aktëkuzë në verën e vitit 2012, për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa në seancën e shqyrtimit gjyqësor të 17 qershorit 2013, prokuroria kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket pikës 1. ashtu që Hetemin e ka akuzuar për veprën penale të vrasjes.

Gjykata Themelore në Ferizaj e kishte dënuar të akuzuarin Hetemi dy herë me lartësi të dënimit prej 14 vitesh, aktgjykime të cilat ishin prishur nga Gjykata e Apelit me arsyetim të shkeljeve procedurale.

Për gjykimin e tretë, në mungesë të trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Gjykata e Apelit, e kishte bërë përgjegjëse Gjykatën Themelore në Prizren, për mbajtjen e shqyrtimeve gjyqësore.

Që nga koha e parashtrimit të akuzës nga viti 2012, i akuzuari gjendet në paraburgim, i cili pret të hënën që vjen për të marrë vesh epilogun e këtij rasti.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë