Gjykimi i Faik Graincës, dëshmitari thotë se peticonet ishin të mbushura edhe me fëmijë të lindur në vitin 2014

20181106_104715
Author

Raporton: Fitore SADIKU

Nëntor 6, 2018

Ferizaj – Me dëshminë e Imri Halitit, ka vazhduar edhe të martën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, gjykimi ndaj ish-Drejtorit të Urbanizmit të Ferizajt, Faik Grainca si dhe të akuzuarve për falsifikim të dokumenteve, Izer Ramadani dhe Arben Kurtishi.

Ish-drejtori Grainca po akuzohet se, duke ushtruar detyrën zyrtare nuk i ka verifikuar nënshkrimet në një peticion të qytetarëve, i cili kishte të bënte me planin zhvillimor për zonën 8, të rrugës “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj, e të cilat nënshkrime kishin rezultuar të jenë të falsifikuara.

E këtë peticon për të cilën po akuzohet Grainca, dëshmitari Haliti, i cili në këtë proces është edhe palë e dëmtuar, e quajti kërkesë por sipas tij, i njëjti ishte shndërruar në peticon nga ish-drejtori Grainca duke e mbushur edhe me nënshkrime të personave që kanë lindur edhe në vitin 2014, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë atë e quaj kërkesë e jo peticion, por drejtori e ka shndërruar në peticion dhe aty ka moshë edhe të personave të mitur-fëmijë, ka pas edhe të vitit të lindjes  2014 sepse realisht ato edhe nuk kanë qenë të nënshkruara, por drejtori e ka shfrytëzuar për me rrit numrin e banorëve të lagjes “Astrit Bytyqi”, tha Haliti duke ju përgjigjur pyetjeve të përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Kushtrim Palushi.

Po ashtu, Haliti sqaroi edhe çështjen e një kërkese që ishte bërë në emër të tij për heqjen e vendimit për pezullimin e dhënies së pëlqimit për miratimin e planit zhvillimor të Ferizajti nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinore (MMPH).

Një kërkesë të tillë, Haliti tha se nuk e kishte bërë ai edhe pse në vendimin e MMPH-së theksohej se kërkesa ishte bërë nga ana e tij.

“Edhe pse në arsyetimin e vendimit të datës 20 shtator 2017 me nr.4323-3/2017, shënon në mënyrë decidive se sipas kërkesës së parashtruar nga unë Imri Haliti, Ferizaj, ishte kërkuar mbledhja e komisionit  në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për shqyrtim të shfuqizimit të vendimit, unë nuk e kam paraqitur atë kërkesë për shfuqizimin e vendimit”, tha Haliti.

Ekzistimin e kinse një kërkese të tillë, dëshmitari tha e kishte mësuar pasi kishte shkuar për të u interesuar për një gjë të tillë në MMPH.

“Na menjëherë kemi ba një ankesë kundër atij vendimi, por ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga Ministria lidhur më ankesën e ushtruar “, vazhdoi dëshminë e tij Haliti.

Pasi që nuk kishin marrë përgjigje nga ministria, Haliti tha se kishte kërkuar informata edhe nga kryesuesja e komisionit, Sabrije Rama, e cila është zyrtare ligjore aty dhe siç tha Haliti, e njëjta u kishte thënë se ai vendim nuk ishte nënshkruar nga ana e tyre.

“Askënd ne nuk e kemi autorizuar për vendosjen e asaj çështje”, citoj dëshmitari t’i kishte thënë kryesuesja e komisionit Rama.

Duke u përgjigjur në pyetjen e radhës së prokurorit Arben Ismajli, se a kishte pas ndonjë pasojë prej atij vendimi, Haliti  tha se si pasojë e atij vendimi, në afat rekord ishte bërë miratimi i planit zhvillimor komunal.

“Me datën 18 shtator 2017, ka qenë e caktuar seanca e Kuvendit Komunal për miratimin e planit zhvillimor komunal po kjo seancë është mbajte pa prezencën e Drejtorit të Urbanizimit dhe atë ditë ishte është heq nga rendi i  ditës dhe me 21 shtator 2017,  në afat rekord, me shumë kundërshtime, është aprovuar plani zhvillimor komunal”, deklaroi Haliti.

Mbledhjen e asaj seance, dëshmitari tha se e kishin përcjell meqë kishin qenë palë e dëmtuar dhe sipas tij, ish-drejtori Grainca fare nuk e kishte përmend peticioni të cilën ata e kishin paraqitur, edhe pse peticionet e paraqitura Haliti tha se kishin qenë bazë për aprovimin e planit zhvillimor komunal.

“Po, ka qenë bazë për aprovimin e planit zhvillimor sa i përket rrugës “Astrit Bytyqi” zona 8 dhe me arsyetimin se një peticion tjetër ka qenë me ma shumë nënshkrime se i juaji dhe se kjo ishte rrugë me rëndësi”, tha Haliti.

Në pyetjen tjetër të prokurorit Ismajli drejtuar Halitit, se a e ndiente veten të dëmtuar, dëshmitari tha së janë dëmtuar sepse tashmë edhe në ngastrat e tyre nuk i lejohet ndërtimi i shtëpive.

“Ne e ndiejmë veten të dëmtuar me vendimet e marra nga ana e Kuvendit Komunal për arsye se me datën 15 shkurt 2018 kemi parashtruar një kërkesë në Drejtorinë e Urbanizmit  dhe kemi kërkuar të na jep shpjegim për pronat tona 309-11, 309-12, dhe Drejtoria për Urbanizëm dhe Mjedis në Ferizaj, na ka njoftuar me shkresë të datës më 6 prill 2018, se sipas planit zhvillimor komunal 2017-2025 dhe në qoftë se në një zonë të caktuar hartat zonale kanë parapara ndërtimet e larta, atëherë në atë zonë nuk mund të bëhen ndërtime për banim individual- shtëpi”, tha Haliti.

Duke ju kthyer sërish peticonit të dorëzuar nga i akuzuari Kurtishi, dëshmitari Haliti tha se nuk marrin përgjegjësi për personat e përfshirë në atë peticon, pasi siç tha, shumica e tyre nuk janë banorë të lagjes “Astrit Bytyqi”, por siç tha ai, dyshohet për falsifikim të atyre nënshkrimeve për çka, Haliti tha se ia len organeve të drejtësisë të bëjnë verifikimin e tyre.

“Dua të plotësoj edhe këtë, se për vendimin me të cilin na është refuzuar peticioni ynë, për shqyrtimi, më 9 gusht 2017, të futen edhe si dëshmi edhe letrat informuese të datës 5 qershor 2017 dhe ajo e datës 16 qershor 2017, të cilat letra informuese iu janë dorëzuar kryetarit dhe anëtarëve të komisionit, për shqyrtimin e planit zhvillimor komunal, duke përfshirë edhe drejtorin e urbanizmit”, plotësoi kështu dëshminë e tij, dëshmitari Haliti.

Krejt në fund të dëshmisë së tij, në pyetjen e prokurorit Ismajli se a kishin vazhduar punimet në paracelat 2939-0, pas datës 20 korrik 2015 pasi që leja kishte qenë e pezulluar, Haliti tha se punimet janë vazhduar edhe pas 1 qershorit 2018, e të cilat punime ishin ndaluar nga ministria, por, vazhdoi Haliti, pasi që përsëri ishte marrë leja më 20 shtator 2018, punimet kanë vazhduar sërish.

Seanca e së martës u desh të ndërpritet para pauzës së drekës, pasi që prokurori Ismajli tha se kishte një termin në Këshillin Prokurorial të Kosovës nga ora 13:00.

Seancat e radhës për këtë rast, u caktuan për 29 dhe 30 nëntor nga ora 9:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj, në fund të muajit dhjetor të vitit të kaluar, ka ngritur aktakuzë ndaj Faik Graincës, i cili po akuzohet se më 9 gusht 2017, në cilësi të drejtorit në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit, në Komunën e Ferizajt, si dhe si person përgjegjës i komisionit për shqyrtim të planit zhvillimor komunal, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke i shkelur të drejtat e personave tjerë.

Sipas aktakuzës, Grainca, duke ushtruar detyrën zyrtare në këto cilësi, nuk i ka verifikuar nënshkrimet në një peticion të qytetarëve, i cili kishte të bënte me planin zhvillimor për zonën 8, të rrugës “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj, e të cilat nënshkrime kishin rezultuar të jenë të falsifikuara.

Tutje, në akuzë thuhet se tani i akuzuari Faik Grainca, ka qenë në dijeni se këto nënshkrime janë të falsifikuara ku si pasojë është lejuar që rruga “Astrit Bytyqi”, të mbetet banim kolektiv, edhe pse qytetarët e kësaj rruge kanë qenë për banim individual.

Gjithnjë sipas aktakuzës, si rezultat i peticionit të falsifikuar, Kuvendi Komunal i Ferizajt kishte aprovuar planin urbanistik për rrugën në fjalë, duke i shkelur të drejtat e tani të dëmtuarve Imri e Bekim Haliti dhe Orhan Ibrahimi.

Pika 2 e aktakuzës, ndërkaq akuzon dy të pandehurit e tjerë në këtë rast Izer Ramadani dhe Arben Kurtishi, për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve”.

Sipas kësaj pike të akuzës, të pandehurit Ramadani dhe Kurtishi, gjatë muajve prill – maj të vitit 2017, në Ferizaj, kanë përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij si origjinal, në atë mënyrë që kanë mbledhur nënshkrime nga banorët e lagjeve të tjera të Ferizajt, ashtu që të njëjtat nënshkrime ti përdorin si origjinal, kinse banorët e zonës 8, rrugën “Astrit Bytyqi”, në Ferizaj, kanë dhënë pëlqimin që kjo zonë të mbetet banim kolektiv, edhe pse banorët e kësaj lagje kanë qenë për banim individual. /Betimipërdrejtësi