Gjykim për vrasjen me thikë në kafiterinë “Viva La” në Gjilan, eksperti thotë nuk kemi të bëjmë me një veprim nën ndikim të tronditjes mendore nga i akuzuari

Raporton: Adelina Ajeti

Gjilan- Eksperti Arsim Gashi nga Instituti i Forenzikës Psikiatrike tha se si ekip vlerësues kanë konstatuar se nuk kemi të bëjmë me një veprim nën ndikim të tronditjes mendore e cila si pasojë kishte për të zvogëluar aftësinë për të vepruar, në gjykimin për vrasjen me thikë në kafiterinë “Viva La” në Gjilan.

Këtë deklarim eksperti Gashi e bëri të hënën në Gjykatën Themelore në Gjilan, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë seancës gjyqësore ekspertit Arsim Gashi nga Instituti i Forenzikës Psikiatrike tha se gjatë procesit të vlerësimit psikiatrik për të akuzuarin Bardhyl Zeqirin janë analizuar të gjitha të dhënat që i kanë pasur në dispozicion, e një prej këtyre momenteve sipas tij, ka qenë edhe momenti i goditjes apo ndikimi i goditjes ndaj Bardhylt.

“Marrë për bazë të gjitha veprimet para gjatë dhe pas veprës, ne si ekip vlerësues kemi konstatuar se nuk kemi të bëjmë me një veprim nën ndikim të tronditjes mendore e cila si pasojë kishte me zvogëluar aftësinë për të i kontrolluar veprimet e veta”, tha eksperti Gashi.

I njëjti tha se gjatë procesit të vlerësimit psikiatrikë ekspertizën e kishin bazuar në intervistimin e strukturuar klinik psikiatrik, në shqyrtimin e shkresave të lëndës dhe  analizave.

I njëjti tha se mbetet në tërësi pranë mendimit të dhënë në eskpertizë të datës 15 maj 2022 të dorëzuar kësaj gjykate.

Para mbrojtës së dhënë nga i akuzuari Bardhyl Zeqiri, mbrojtësi avokat Ilir Shaqiri ka deklaruar që i pandehuri Zeqiri sot nuk është në gjendje që ta jap mbrojtjen e tij për shkak se i njëjti nuk kishte fjetur për dy ditë me radhë, e po ashtu ka pasur të vjellura andaj e bënë të pamundshme që të jep mbrojtjen efektive.

I njëjti shtoi se duke e marrë  për bazë peshën e veprës penale për të cilin akuzohet, ka kërkuar nga gjykata që seanca të shtyhet për datë tjetër.

Prokurori Isuf Sadiku e ka kundërshtuar propozimin e mbrojtjes me arsyetimin se nuk ka prova që dokumentohen pretendimet e të pandehurit.

Gjyqtari Agim Ademi ka aprovuar propozimin e mbrojtjes së të akuzuarit duke e shtyrjë seancën për të vazhduar me datë 5 korrik.

Sipas aktakuzës, më 24 qershor 2021, në Gjilan, saktësisht në kafiterinë “Viva La”, i akuzuari me dashje ka privuar nga jeta viktimën Ismajl Cani, për motive të ulëta.

Tutje thuhet se pas një mosmarrëveshje verbale në mes të akuzuarit dhe tani të ndjerit lidhur me raportet intime në mes të akuzuarit dhe bashkëshortes së viktimës, i akuzuari me një thikë me veprim të drejtpërdrejt ka privuar nga jeta tani të ndjerin, duke e goditur në regjionin e përparmë të qafës (në fyt), i akuzuari i ka shkaktuar katër plagë prerëse dhe dy plagë prerëse – shpuese – shkuese (apo qorre), një plagë prerëse – shpuese – shkuese në anën e majtë të regjionit ijor, ku për shkak të plagëve të pësuara viktima nuk ka mundur të mbijetoj dhe rrugës për në spital ka vdekur.

Me këtë ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.8 të Kodit Penal të Kosovës, e dënueshme me jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dënohet./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull konsiderohet i pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se është fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë