Gjykatësja përjashton nga salla të akuzuarin për mashtrim sepse iu drejtua me fjalët “dikujt po i bëhesh nënë, e dikujt njerkë”

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë – Gjykatësja Sulltane Hoti në seancën e së enjtes, e ka përjashtuar përkohësisht nga salla të akuzuarin Kadri Batusha, pasi që i njëjti iu drejtua asaj me fjalët “dikujt po i bëhesh nënë, e dikujt njerkë”, gjatë kohës sa në gjykatore po dëshmonte dëshmitari Sedat Zejnullahu.

Batusha po akuzohet se vitin 2014 ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Nexhat Zejnullahu, ashtu që duke i fshehur faktet e ka bindur të bëjë kontratë për shitblerjen e një banese, ku i dëmtuari ia kishte dhënë atij një veturë në vlerë prej 25 mijë euro dhe para mbi 65 mijë euro, e që banesa në fjalë nuk u ndërtua kurrë.

Vendimin për përjashtimin e të akuzuarit, gjykatësja Hoti e mori pasi që edhe paraprakisht ndaj tij u shqiptua vërejtje sepse edhe të dëmtuarit Nexhat Zejnullahu iu drejtua me fjalët “mos u bëj mangup”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata në bazë të nenit 302, paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale merr këtë urdhër, nxirret përkohësisht nga gjykatorja i akuzuari Kadri Batusha lidhur me sjellet e tij”, tha gjykatësja Hoti.

Gjatë kësaj seance, në cilësi të dëshmitarit është dëgjuar Sedat Zejnullahu, i cili deklaroi se kontratën për shitblerjen e banesës e ka nënshkruar i akuzuari Batusha dhe vëllai i tij, në këtë rast i dëmtuari Nexhat Zejnullahu.

I njëjti deklaroi se për marrëveshjen për blerjen e banesës ishte takuar me të akuzuarin Batusha, ku prezent kishin qenë edhe Ragmi Zeqiri, Ardita Hyseni dhe vëllai i tij, e të cilët kishin biseduar në lidhje me pazarin e banesës dhe sipas tij ishin sjellë kontratat aty për t’u nënshkruar.

“Bile vëllai Nexhati i ka thënë Kadrisë se këqyr mos është naj dallaver se këtu në Kosovë po bëhen dallavere, ndërsa Kadria i ka thënë se e di si punohet në Zvicër se e di si bëhet paraja atje me djersë dhe e ka garantuar vëllain tim se kurrë në jetë nuk do të ketë problem me atë banesë”, tha dëshmitari Zejnullahu.

Ai deklaroi se vëllai i tij Nexhati, në prezencën e tij, të akuzuarit Batusha ia ka dhënë veturën e cila sipas tij në atë kohë kishte vlerë 25 mijë euro si dhe ia kishte dhënë edhe 20 mijë euro para.

Po ashtu, i njëjti tha se kishte qenë prezent kur në takimin tjetër Nexhati ia kishte dhënë edhe pjesën tjetër të parave, ku sipas tij shuma ka qenë 43 mijë e 200-300 euro.

Këto pagesa, dëshmitari Sedat Zejnullahu tha se ishin bërë ‘cash’ dhe jo përmes trasnfereve bankare.

Dëshmitari shtoi se vëllai i tij Nexhati i kishte thënë të akuzuarit se nëse dëshiron, pagesën mund ta bëjë përmes bankës por i akuzuari i kishte thënë jo.

Tutje, i njëjti ka thënë se në objektin ku do të ndërtohej banesa, as që ka figuruar ndonjë banesë me 129 metra katror.

Ai po ashtu deklaroi se kishte shkuar tek vendi ku do të ndërtohej banesa, por që aty ai tha se e kishte takuar pronarin e tokës, i cili i kishte thënë se “ po më dhimbeni se ju kanë marrë në qafë se këta i kanë shitur nga 20 herë ato banesa”.

I njëjti deklaroi se vëllai e tij Nexhati për këtë çështje disa herë kishte udhëtuar nga Zvicra në Kosovë.

“Ka ardhur disa herë, ka paguar bileta shumë të shtrenjta, linim takime dhe nuk dilshin, i mbyllnin telefonat”, tha dëshmitari.

Mbrojtësi i të akuzuarit Batusha, avokati Shefki Sylaj bëri vërejtje në deklaratën e dëshmitarit dhe i propozoi gjykatës që kësaj deklarate mos t’ia falë besimin sepse i njëjti të dëmtuarin e ka vëlla.

Seanca e radhës për këtë çështje penale u caktua më 25 tetor 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 16 dhjetor 2015 ka ngritur aktakuzë kundër Kadri Batushës, sepse më 16 maj 2014 në Prishtinë, është iniciuar rasti kundër të njëjtit, i cili ka vepruar në atë mënyrë që me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, e ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Nexhat Zejnullahu duke e shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

Aktakuza thotë se, i pandehuri Batusha duke fshehur faktet e ka bindur të dëmtuarin që të bëjë kontratë mbi shitblerjen e banesës, e cila ishte planifikuar të ndërtohet në Prishtinë në lagjen Mati 1, me sipërfaqe prej 129,00 metra katror, me një çmim kontraktues prej 90 mijë e 300 euro.

Tutje, akti akuzues thotë se i dëmtuari i ka besuar të pandehurit pas prezantimit të lejes së ndërtimit dhe planit të banesës, me ç’rast fillimisht në emër të çmimit kontraktues të pandehurit ia jep një veturë të tipit “Audi” në vlerë 25 mijë euro dhe 20 mijë euro para të gatshme.

Kurse, pjesën tjetër të mbetur të parave prej 45 mijë e 300 euro i dëmtuari ia kishte paguar të pandehurit dy javë më vonë edhe pse banesa në fjalë nuk është ndërtuar kurrë, me ç’rast i dëmtuari ka pësuar dëm material.

Me këtë, Batusha po akuzohet se kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë