Gjykatësja mungon për shkaqe shëndetësore, shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj asamblistit në Prizren

Author

Raporton: Floridin Osmanaj

Shtator 14, 2021

Prizren- Për shkak të mungesës së anëtarës së trupit gjykues, gjykatëses Arjeta Gashi, për shkaqe shëndetësore, është shtyrë seanca e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj Këshilltarit të Asamblesë Komunale në Prizren nga AAK, Ilir Baldedaj, i cili po akuzohet për korrupsion.

Lidhur me mungesën e gjykatëses Arjeta Gashi, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi bëri të ditur se e njëjta nuk mund të paraqitet në seancë për shkaqe shëndetësore.

Në këto rrethana, seancat e parapara për sot dhe nesër janë anuluar, ndërkaq të radhës do të caktohen sipas orarit të gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktakuza e përpiluar nga Prokuroria Themelore në Prizren, e përpiluar më 29 dhjetor 2020, ngarkon të pandehurn Ilir Baldedaj për veprën keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas pikës një të aktakuzës, thuhet se prej muajit mars e deri në fund të vitit 2016, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.

Tutje, në aktin akuzues thuhet se i akuzuarit Baldedaj ka vepruar në atë mënyrë që, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, e cila është kompetente për shqyrtimin e kërkesave, propozimin, buxhetin për realizimin e kërkesës dhe implementimin e kërkesës, brenda periudhës kohore të cekur më lartë, paraqet kërkesë për shpalljen e  tenderit për projektin “furnizim me Softwer digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.

Vlera e tenderit ka qenë 24 mijë e 735 euro, edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, duke mos respektuar procedurat e parapara me Ligjin nr. 04/L-145, për organet qeveritare për Shoqërinë e Informacionit, përkatësisht paragrafin 4 dhe 5 të nenit 8 të këtij ligji, me të cilin përcaktohen kushtet e bërjes së investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, projekti nuk është funksional prej ditës së implementimit.

Me këtë rast, në aktakuzë thuhet se Komunës së Prizrenit i shkakton dëm në shumën prej 28 mijë euro.

Në pikën dy të aktakuzës thuhet se gjatë vitit 2017, në Prizren, i akuzuari Baldedaj, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – Drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.

Thuhet se Baldedaj, duke e ditur se ekziston arkiva qendrore, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, paraqet kërkesën për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”.

Vlera e këtij projekti ka qenë 72 mijë e 898 euro e 98 centë, duke mosrespektuar procedurat e Ligjit nr. 04/L 145, projekt ky jofunksional që nga dita e implementimit, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkaktohet dëm në vlerën prej 72 mijë e 898 euro e 98 centë, ku shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar është 100 mijë e 898 euro e 98 centë, thuhet në aktin akuzues.

Me këto veprime, i pandehuri Ilir Baldedaj akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, i Kodit Penal, vepër e cila dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

 

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.