Gjykatësja me angazhime tjera, shtyhet gjykimi ndaj Xhabir Zharkut

Raporton: Denisa JASHARI

Ferizaj- Mungesa e anëtares së trupit gjykues, gjyqtares Kadrije Goga-Lubishtani, u bë shkak që të shtyhet seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ndaj Xhabir Zharkut, ish-kryetar i Komunës së Kaçanikut, i akuzuar për korrupsion.

Kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi tha se gjykatësja Goga-Lubishtani ndodhet në Gjykatën e Apelit për intervistë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, seanca e radhës për këtë rast u caktua më 9 qershor 2022.

Ndryshe, Zharku ishte arrestuar në dhjetor të vitit 2019, nën dyshimet se gjatë viteve 2008-2010, ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare apo autorizimit, në kohën kur ishte kryetar i Komunës së Kaçanikut.

“I pandehuri Xh.Zh. dyshohet se në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare”, thuhej në njoftim e Gjykatës Themelore në Ferizaj.

Zharku, në vitin 2011, ishte dënuar nga EULEX-i me 3 vjet burgim për veprat penale “Detyrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”, ndërsa pas kësaj ishte arratisur nga Kosova, ku kishte jetuar në Suedi e në disa raste kishte marrë pjesë në organizime të institucioneve të Kosovës. Në shtetin skandinav ai kishte jetuar për gati pesë vjet e gjysmë, derisa më 7 qershor të vitit 2018, ai ishte kthyer në Kosovë, pasi që kishte kaluar afati i ekzekutimit të dënimit ndaj tij.

Sipas aktakuzës, më 23 tetor 2008 në Kaçanik, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Dhënies Koncesioneve 02/1,-44, kishte marrë vendim me numër 7311/2008, me të cilin kishte lejuar ndërtimin e objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në ngastrën kadastrale numër 650 zona kadastrale Kaçanik, pronë e Komunës, e cila iu ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm NN “Çlirimtarët“, me seli në Kaçanik, sipas të cilës kontratë komuna do të fitonte 20%të në vijë vertikale të objekteve banesore, kurse pjesa tjetër e objektit do të ishte pronë në shfrytëzim të përhershëm të NN“Çlirimtarët“, pa i zbatuar procedurat që parashihen sipas Ligjit për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve numër 02/1,-44, i cili ka qenë në fuqi.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të Kodit Penal.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, më 11 shkurt 2010 në Kaçanik, si person zyrtar– kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Aktakuza thotë se në kundërshtim me nenin 14 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale numër 03/1.-040, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Komunale në Kaçanik, në çështjen civile të paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin kundër të paditurës Komuna e Kaçanikut, për vërtetimin e së drejtës të shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë, kishte urdhëruar avokatin publik të Komunës së Kaçanikut, Fitore Krivanjeva – Daci që të mos ushtrojë ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës Komunale në Kaçanik C.nr.246/09 të 29 janar 2010.

Me këtë aktgjykim, thuhet se paditësit NTN “Bardhi“ nga Kaçaniku me pronar Bashkim Topojanin, iu ka njohur e drejta e shfrytëzimit të përhershëm të paluajtshmërisë e evidentuar si parcela kadastrale numër 650/03, me sipërfaqe 0.30,43 ha, e evidentuar në fletën poseduese numër 86 Komuna Kadastrale Kaçanik, e cila paluajtshmëri ka qenë pronë shoqërore në emër të Komunës së Kaçanikut.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimit” nga neni 339, par.1 lidhur me par.3 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë