Prizren- Gjyqtarja Raima Elezi, ka kërkuar nga kryetari i gjykatës në Prizren, Ymer Hoxha, që të përjashtohet nga gjykimi në rastin e inspektorit komunal të Prizrenit, Nexhmedin Berisha, i akuzuar për keqpërdorim të informatës zyrtare. Sipas gjyqtares Elezi, kjo kërkesë është bërë pasi e njejta kishte qenë e angazhuar si gjyqtare edhe në procedurë paraprake.
Ky rast ishte në fazën e shqyrtimit të dytë, në të cilën fazë janë shtyer disa seanca. Shtyerja e tyre ishte bërë për shkakun se prokurori i çështjes, Mehdi Sefa, nuk ka prezantuar urdhëresën për përgjim ndaj të akuzuarit, e cila urdhëresë është poseduar nga Prokuroria Speciale.
Gjyqtarja në fjalë nuk ka qenë e angazhuar direkt në rastin e të akuzuarit Nexhmedin Berisha, por ky rast ka rrjedhur nga masat e fshehta të përgjimit, në një rast tjetër për krim të organizuar, i njohur si rasti “Kristal”, i cili rast përfaqësohet nga Prokuroria Speciale. Prandaj, pas sigurimit të kësaj urdhërese nga prokurori i çështjes, gjyqtarja ka vërejtur se ka marrë pjesë në procedurë paraprake, dhe në bazë të ligjeve pozitive ajo ka bërë kërkesë për përjashtimin e saj nga shqyrtimi i kësaj lënde. Një kërkesë e tillë është pranuar nga kryetari i gjykatës, andaj rasti do të caktohet, te ndonjë gjyqtar tjetër.
Me datën 21.12.2015, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit, Nexhmedin Berisha, të cilin e akuzon se duke qenë në detyrën zyrtare, si inspektor në Komunën e Prizrenit, ka keqpërdorur informatën zyrtare, në atë mënyrë që me telefon e ka njoftuar një palë se inspektorët së bashku me policë, ishin duke shkuar te ai, për të kontrolluar lokalin e tij dhe për të ekzekutuar një vendim të komunës për largimin e tij nga ai lokal.