Gjykatësja Afërdita Bytyqi në pushim mjekësor, shtyhet seanca për keqpërdorim të detyrës kundër zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Pushimi mjekësor i gjykatëses, Afërdita Bytyqi u bë shkak i shtyrjes së seancës kundër Besnik Dërmakut, Hidajete Sadikut, Naim Krasniqit, zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë (MD), të akuzuar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Kushtrim Muqollit, Shkëlqim Osmanit dhe Agim Beqiraj, si përfaqësues të operatorëve ekonomik “Albus” dhe “Lesna”, të akuzuar nga Prokuroria për “keqpërdorim të autorizimeve ekonomike”.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Dërmaku, Sadiku dhe Krasniqi, pasi ekziston dyshimi i bazuar se prej 22 nëntorit 2008 e deri më 31 dhjetor 2010, duke vepruar si zyrtarë në MD, me qëllim të shkaktimit të dëmit për buxhetin e kësaj ministrie, dhe përfitimit të dobisë pasurore për vete, kanë favorizuar në tenderë të ndryshëm operatorët ekonomik: “Albus”, “PBC-Kosova”, “Lesna”, “Getoari dhe Dreni Inginiering” dhe “Auto Kaqandolli. Sipas prokurorisë, ata kanë keqpërdorur pozitën zyrtare, duke i shkaktuar dëm buxhetit të MD-së, e atë në shumë prej 10.080 euro.

Pika e dytë e aktakuzës, të pandehurit Kushtrim Muqolli, Shkëlqim Osmani dhe Agim Beqiraj i ngarkon me veprën penale “keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike”. Sipas pretendimeve të prokurorisë i pandehuri Muqolli, si përfaqësues i operatorit ekonomik “Albus”, me qëllim  të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe për operatorin ekonomik “Albus” me rastin e aplikimit për tender për furnizim me toner për MD-së, i njëjti ka prezantuar ofertë të rreme, duke plotësuar rubrikat e aplikacionit dhe specifikacionet e tonerëve, për të cilët Ministria nuk i ka përfshirë në listë fare.

Ndaj të pandehurit Osmani, si ekspert në kuadër të kompanisë “Vizion Projekt” nga Prishtina, si kompani mbikëqyrëse e punëve të kryera nga ana e kompanisë “Lesna”, gjatë ndërtimit të objektit të destinuar për dëshmitar të mbrojtur në Dubravë, me qëllim të realizimit  të përfitimit të kundërligjshëm për organizatën “Vision Project” dhe kompaninë “Lesna”, ka raportuar se punët janë kryer sipas planit dinamik të caktuar nga MD-së, kurse sipas gjendjes faktike deri atëherë ishin kryer vetëm gjysma e punëve. Në bazë të këtij raporti, Ministria ia kishte paguar operatorit ekonomik “Lesna” shumën prej 1.492.975 euro. Sipas aktakuzës Osmani i ka shkaktuar dëm MD-së, duke i mundësuar kompanisë “Lesna” që mos të penalizohet për vonesat gjatë kryerjes së punëve.

Ndërsa i pandehurit Beqiraj, inxhinier i kompanisë “Lesna”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë “Lesna”, ku sipas aktakuzës, Beqiraj ka shënuar në ditarin e punës  së paku 105 ditë, si ditë të cilat  për shkaqe atmosferike dhe festa të ndryshme punëtorët e së njëjtës kompani nuk kanë mundur të punojnë, i cili shënim ka ranë në kundërshtim me raportit e burgut të Dubravës, raport i cili kishte dëshmuar së këta punëtorë kishin punuar edhe gjatë këtyre ditëve. Në këtë mënyrë i pandehuri Beqiraj i ka mundësuar kompanisë “Lesna” të arsyetojë vonesat për kryerjen e punëve në afatet e caktuara. Me këtë rast i është shkaktuar dëm MD-së dhe përfitim të kundërligjshëm operatorit ekonomik “Lesna” në shumën prej 22.863.56 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë