Gjykatësit e Krimeve të Rënda kërkojnë që të gjitha lëndët e PSRK-së të kalojnë në Departamentin Special, Kushtetuesja nuk ua pranon kërkesën

admin-ajax
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Mars 31, 2020

Prishtinë – Me 23 nëntor 2018, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për Gjykatat, i cili ligj ishte shpallur në Gazetën Zyrtare më 18 dhjetor 2018. I njëjti kishte hyrë në fuqi me 2 janar 2019.

Ndër të tjera, ky ligj në nenin 18 të tij, kishte paraparë edhe themelimin e Departamentit Special i cili do të funksiononte në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Ky departament ishte funksionalizuar në fillim të muajit korrik 2019.

Sipas këtij ligji, tash e tutje, aktakuzat që do të ngritën nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), do të shqyrtohen nga Departamenti Special (DS) e jo nga Departamenti i Krimeve të Rënda (DKR), ashtu siç e kishte paraparë Ligji i vjetër i Gjykatave, tashmë i shfuqizuar.

Mirëpo, sipas nenit 42, përkatësisht paragrafit 4 të Ligjit të ri të Gjykatave, për ato aktakuza që tashmë ishin ngritur nga PSRK dhe për të cilat ishin mbajtur shqyrtimet fillestare nga ana e DKR-ve të gjykatave themelore, të njëjtat lëndë do të vazhdojnë të trajtohen nga DKR-të dhe nuk do të kalojnë në Departamentin Special.

Një gjë e tillë, nuk u ka pëlqyer 11 gjyqtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë që i takojnë Departamentit të Krimeve të Rënda të kësaj gjykate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë arsye, gjyqtarët e këtij departamenti, Suzana Çerkini, Shpresa Hasaj-Hyseni, Isuf Makolli, Shashivar Hoti, Violeta Namani, Naser Foniqi, Nushe Kuka-Mekaj, Beqir Kalludra, Vesel Ismajli, Lutfi Shala dhe Naime Jashanica, i janë drejtuar me një kërkesë Gjykatës Kushtetuese nga e cila kanë kërkuar shfuqizimin e nenit 42, paragrafit 4 të Ligjit për Gjykatat.

Një kërkesë të tillë, gjyqtarët e lartcekur e kanë bazuar në atë se paragrafi 4 i nenit 42 të Ligjit për Gjykatat, është në kundërshtim me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës se Kosovës, përkatësisht në kundërshtim me të drejtën për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm si dhe në kundërshtim me të drejtën për një proces të rregullt e paraparë me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ).

Sipas parashtruesve të kërkesës, numri i madh i lëndëve që referohen nga PSRK në DKR, do të vështirësonte gjykimin e rasteve, çka do të cenonte edhe parimin e gjykimit brenda afatit të arsyeshëm.

Si arsye për këtë, të njëjtit kanë përmendur disa lëndë siç është rasti “Medicus”, i cili vazhdon të jetë në gjykim që 10 vjet, pastaj rastet “Toka 1” dhe “Toka 2”, rasti “Veteranët”, “Vizat” dhe lëndë tjera të ngjashme.

Bazuar në paragrafin 4 të nenit 42 të Ligjit për Gjykatat, këto lëndë edhe pse bien në kompetencë të PSRK-së, do të vazhdojnë të gjykohen nga DKR-të, pasi që për to veçse ishte mbajtur shqyrtimi fillestar para se të funksionalizohej Departamenti Special.

Këto pretendime të tyre, gjyqtarët e DKR-së, i kanë bazuar edhe në atë që siç kanë theksuar, ankesat të cilat i pranojnë nga palët në procedurë për tej zgjatje të proceduarve, për arsye se në DKR gjykohen edhe raste të cilat bien në kompetencë të tyre lëndore si dhe këto lëndë që bien në kompetencë të Departamentit Special.

Po ashtu, gjyqtarët e DKR-së, në kërkesën e tyre kanë theksuar se Departamenti Special është themeluar në funksion të gjykimit të lëndëve të natyrës veçanërisht të rëndë dhe në funksion të natyrës se këtyre rasteve edhe është zhvilluar një procedurë e veçantë e përzgjedhjes së gjyqtareve për të cilët është vlerësuar se janë të vetmit që mund të gjykojnë lëndë të kësaj natyre.

Për këtë arsye, nëse këto lëndë do të vazhdonin të gjykoheshin nga DKR-të, sipas parashtruesve të kërkesës, do të shkelet edhe parimi i gjykimit të drejtë për arsye se të akuzuarit do të gjykoheshin nga një nivel gjyqësor jo kompetent, jo i përgatitur në nivel të mjaftueshëm profesional për këto lëndë të kësaj natyre.

Gjithashtu sipas kërkesës së parashtruar, me këtë rast do të shkelej edhe parimi i gjykimit të drejtë dhe parimi i barazisë së palëve, pasi që persona të cilët kane kryer vepra të një natyre të njëjte, do gjykohen nga departamente te ndryshme, e në këtë funksion nga gjyqtar të cilët supozohen se kanë nivele të ndryshme të përgatitjes profesionale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë, gjyqtarët që kanë parashtruar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese kanë cituar edhe një vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), në rastin Mullai dhe të tjerët kundër Shqipërisë, i cili vendim ndër të tjera kishte vlerësuar se “ekzistenca e procedurave gjyqësore paralele të shumta dhe të ndërlidhura duke shtruar në thelb të njëjtën çështje ligjore nuk mund te konsiderohet ne përputhje me sundimin e ligjit”.

Tutje, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se neni 42, paragrafi 4 i Ligjit të kontestuar përbën shkelje esenciale të dispozitave te procedurës penale për arsye se nëse lëndët që bien ne kompetencë të DS do të gjykoheshin nga DKR-të, atëherë shkelja do të konsistonte në atë se “aktgjykimin e ka marrë gjykata e cila nuk ka pasur kompetence lëndore për gjykimin e çështjes.”

Mirëpo, këtë kërkesë të parashtruar nga gjyqtarët e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e ka refuzuar Gjykata Kushtetuese pa u futur fare në merita të çështjes.

Kjo pasi që, Kushtetuesja ka vlerësuar se kërkesa e dorëzuar nga parashtruesit është paraqitur në cilësinë e tyre si gjyqtar të DKR-së në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe e njëjta nuk mund të merret e parashtruar nga një “gjykatë”.

Sipas nenit 113, paragrafi 8 të Kushtetutës, që të jetë e pranueshme kërkesa në Gjykatën Kushtetuese, duhet t’i plotësojë disa kritere në mënyrë kumulative, ndër të cilat është edhe ajo e paraparë në pikën a), që thotë se kërkesa duhet të jetë e dorëzuar nga një “gjykatë” , raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prandaj, Gjykata konsideron se kërkesë e dorëzuar nga parashtruesit e kërkesës, në cilësinë e tyre si gjyqtarë të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore nuk mund të merret si kërkesë e parashtruar nga një gjykatë siç përcaktohet në legjislacionin e përmendur më lartë, më saktësisht në nenin 113, paragrafin 8 të Kushtetutës, Ligjin dhe Rregulloren e Punës dhe si është specifikuar në praktikën gjyqësore të kësaj Gjykate”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Duke arsyetuar vendimin e saj, Kushtetuesja përmend edhe një rast që ishte vendosur nga ana e saj, me numër K0157/18, ku theksohet se kërkesa ishte paraqitur nga ana e Gjykatës Supreme dhe ishte nënshkruar nga kryetari i Supremes, si dhe në rastin K0126/16, kur Kushtetuesja kishte vlerësuar se “gjykatë” është gjithashtu çdo gjyqtar ose kolegj gjyqtarësh që ka kompetencë për të gjykuar meritat e një rasti në pritje përpara saj.

Mirëpo, në rastin konkret të kërkesës së paraqitur nga ana e gjyqtarëve të krimeve të rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Kushtetuesja ka vlerësuar se kërkesa nuk është dorëzuar as nga një kolegj gjyqësor që ka rastin në shqyrtim e as nga kryetari i gjykatës.

Sipas vlerësimit të Kushtetueses, në kërkesën e paraqitur nuk është saktësuar nëse ndonjë trup gjykues i DKR-së ka një rast në shqyrtim që do duhej të trajtohej nga Departamenti Special,  mirëpo vetëm janë përmendur në mënyrë të përgjithshme disa raste siç janë rasti “Medicus”, “Veteranët”, “Toka” etj, mirëpo pa saktësuar rrethanat specifike të këtyre rasteve dhe nëse këto raste do duhej të trajtoheshin nga Departamenti Special.

“Si përfundim, Gjykata konstaton se parashtruesit e kërkesës nuk janë palë e autorizuar për paraqitjen e kërkesës para Gjykatës dhe, për ketë arsye, kërkesa është e papranueshme”, thuhet në fund të aktvendimit të Gjykatës Kushtetueses. /BetimipërDrejtësi