Gjykatësi Valon Kurtaj ia kthen prokurores aktakuzën plotësim aktakuzën për keqpërdorim të detyrës nga dy mjekët e QKUK-së
Raporton: Adem KRASNIQI
Prishtinë – U mbajt shqyrtimi dytësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin e dy mjekëve të QKU-së, Kushtrim e Sebahate Gashi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Behar Ejupi dhe Merita Stublla, thanë se aktakuza nuk është e bazuar në fakte dhe përtej dyshimit të bazuar, dhe shtuan se qëndrojnë prapa kërkesës për hudhje të aktakuzës.
Ndryshe, prokurorja Dulina Hamiti kërkoi nga gjykata që kërkesën e palës mbrojtëse për hudhje të aktakuzës, ta refuzoj sepse e njëjta është e bazuar në prova.
Por, pas gjithë kësaj, gjyqtari i rastit Valon Kurtaj, tërhoqi vërejtjen se aktakuza duhet të precizohet dhe të plotësohet. “Akti akuzues duhet të plotësohet dhe duhet të tregohet se kush është i dëmtuari nga vepra penal keqpërdorim i pozitës zyrtare. Përshkrimi faktik i dispozitës në pikën një dhe cilësimi juridik me pikën dy dhe anasjelltas janë në shpërputhje me njëra tjetrën”, tha gjyqtari Kurtaj. Ai tutje shtoi se pasi që të bëhet plotësimi i aktakuzës, me pëlqimin e palëve procesi mundë të filloj prapë nga fillimi.
Seanca e radhës u caktua të mbahet më 11 tetor 2016, në ora 13:00.
Ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila pretendon se të mjekët e QKUK-së, Kushtrim Gashi dhe Sabahate Gashi, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke vjedhur barna nga lista esenciale. Sipas prokurorisë, gjatë kontrollit nga Policia e Kosovës në shtëpinë e të akuzuarve janë gjetur pajisje mjekësore, në bazë të së cilës vërtetohet se të njëjtit pa autorizim kanë ushtruar veprimtari mjekësore. Prokuroria pretendon se këtë veprimtari të akuzuarit e kanë ushtruar në Ordinancën Specialistike “Kirurgjike Proktologjike”, duke bërë ndërhyrje tek pacientë të ndryshëm, si dhe duke i sjellë vetit përfitim pasuror të kundërligjshëm në vlerë rreth 13,992 euro.
Ndërkaq, dispozitivi i dytë ngarkon të njëjtit me veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”. Të pandehurit akuzohen se prej vitit 2001 e deri më 20 maj 2015, kanë punuar në ordinancën e tyre specialistike pa autorizim ligjor dhe pa licencë nga Ministria e Shëndetësisë. Më pas të pandehurit pretendohet se kanë vjedhur produktet medicinale, me qëllim të shitjes për pacientët e trajtuar në ordinancën e tyre. Prokuroria pretendon se produkte medicinale me banderola të Ministrisë së Shëndetësisë, janë gjetur gjatë kontrollit në ordinancën në fjalë.