Gjykatësi në udhëtim zyrtar, shtyhet shpallja e aktgjykimit në rastin ku ish-arkëtari i KRU “Mitrovica” akuzohet për përvetësim në detyrë

Nora Kelmendi- Rasti Mirsad Veseli- Raporti për Web- 14 mars 2019
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Mars 14, 2019

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, e ka shtyrë shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-arkëtarit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”, Mirsad Veseli, i akuzuar për “përvetësim në detyrë”.

Në sallë ka prezantuar mbrojtësja e të akuzuarit Veseli, avokatja Shqipe Mehmeti, e cila nga administrata në Gjykatën e Mitrovicës është njoftuar se kryetari i trupit gjykues, Tomisllav Petroviq, gjendet në udhëtim zyrtar në Shqipëri dhe se shpallja e aktgjykimit e paraparë për të enjten, duhet të shtyhet.

Ndërkaq, në sallë nuk ka prezantuar prokurori i rastit, Njazi Rexha, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar të bëhet për 18 mars 2019, nga ora 14:00.

Mirsad Veseli, po akuzohet se në periudhën gusht-shtator të vitit 2016, në cilësinë e arkëtarit në Kompaninë  Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica”, kishte përvetësuar shumën prej 1.511.30 euro.

Lidhur me këtë akuzë, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 11 mars 2019, i akuzuari Mirsad Veseli, ka pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën e ngarkon Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 24 tetor 2018, Mirsad Veseli po akuzohet se në periudhën gusht-shtator të vitit 2016, në cilësinë e arkëtarit në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Mitrovica’, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ka përvetësuar të hollat që i janë besuar në bazë të detyrës zyrtare.

Bazuar në aktakuzë, vepra penale është kryer në atë mënyrë që ai shumën e parave të inkasuar nga konsumatorët nuk e ka dorëzuar në arkën e kompanisë dhe as nuk e ka shlyer nga evidenca borxhin e konsumatorëve të cilët kishin kryer pagesë, me ç’rast kishte përvetësuar shumën prej 1.511.30 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë” nga neni 425 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Mirsad Veseli, nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, nën akuzën për kryerjen e veprës penale “përvetësimi në detyrë”,  më 21 maj 2018, është dënuar  me dy vjet burgim me kusht nëse gjatë periudhës prej tre vjetësh ai nuk kryen vepër tjetër penale, ku gjithashtu i është shqiptuar dënimi me gjobë ne vlerë prej 500 eurosh. /BetimipërDrejtësi