Gjykatësi në udhëtim zyrtar, shtyhet gjykimi për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve

Pallati-i-Drejtesise-620x275
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Tetor 10, 2018

Prishtinë – Për shkak se kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Arben Hoti gjendet në një udhëtim zyrtar jashtë vendit, është pamundësuar mbajtja e rastit të shënjëstruar për liberalizim të vizave, ku për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, po akuzohen Arben Bashota dhe vëllezërit Osman dhe Sylejman Bajrami.

Tre të akuzuarit dyshohen se përmes kërcënimit kishin kërkuar nga i dëmtuari Murat Tërnava, ta liroi pronën që gjendet në Fushë Kosovë, e i cili e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia” dhe që pastaj këtë pronë e kishte lëshuar me qira për biznese të ndryshme.

Gjithashtu, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ruzhdi Shaqiri, por ai ishte vrarë në gusht të vitit 2014, në Skenderaj, për të cilin rast Gani Geci, më 3 qershor të vitit të kaluar, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës, me 4 vjet e gjashtë muaj burgim, por që në tetor të vitit të kaluar ky rast ishte kthyer në rigjykim.

Sekretarja juridike Shqipe Rexhepi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, që seanca e paraparë të mbahej të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është anuluar e kjo për shkak se gjykatësi Hoti gjendet në një udhëtim zyrtar jashtë shtetit.

Ndërkaq, seanca e radhës pritet të mbahet me 18 tetor 2018, në ora 13:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit Arben Bashota, Osman Bajrami dhe Sylejman Bajrami, i ngarkon me veprat penale të krimit të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve.

Sipas aktakuzës së PSRK-së, prona kontestuese  në sipërfaqe prej mbi 10 hektarësh, gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë dhe se ajo ishte marrë në shfrytëzim nga Murat Tërnava për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004, së bashku me Ruzhdi Shaqirin e njohur si “Baksi” (i vrarë në gusht të vitit 2014), kanë bërë presione të vazhdueshme ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet, në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas prokurorisë, i dëmtuari Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “ Bujqësia”.