Gjykatësi në udhëtim zyrtar, shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për terrorizëm

Pallati Foto
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Tetor 10, 2018

Prishtinë – Mungesa e gjykatësit Arben Hoti, ka bërë që të dështojë seanca gjyqësore ndaj të akuzuarit për terrorizëm, Gazmend Haliti.

Zyrtarja ligjore, Shqipe Rexhepi ka njoftuar se seanca e caktuar të mbahej të mërkurën është anuluar për shkak se gjykatësi Hoti, ndodhet në udhëtim zyrtar.

Seanca është shtyrë për kohë të pacaktuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 nëntor 2016, i akuzuari Gazmend Haliti, me dashje, ka marrë pjesë në veprimtarinë e grupit terrorist, në atë mënyrë që, më 17 gusht 2013, është nisur nga aeroporti i Prishtinës dhe ka ateruar në aeroportin “Sabiha Gokçen”, në Stamboll të Turqisë.

Prej aty, pastaj, ka kaluar në Siri, ku i është bashkëngjitur grupit të shqiptarëve që luftojnë në radhët e organizatës terroriste, militante, ekstremiste ISIS.

Prokuroria pretendon, se i akuzuari, atje, ka marrë pjesë aktivisht në veprimtaritë e kësaj organizate për disa muaj, me qëllim që duke luftuar, seriozisht ta frikësojë popullsinë, të destabilizojë dhe të shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike dhe sociale të Sirisë, e pastaj edhe shteteve të tjera dhe në territorin e tyre të krijojnë Shtetin Islamik Iraku dhe Levant.

Në aktakuzë, më tutje thuhet, se i akuzuari Gazmend Haliti, në shkurt 2014, nga Siria, përsëri ka shkuar në Turqi, nga ku më 18 shkurt 2014, ka fluturuar deri në aeroportin “Rinas” në Tiranë dhe së bashku me një bashkëluftëtar të tij në ISIS, Betim Ibrahimajn, më 20 shkurt 2014, përmes pikës kufitare në Vërmicë, kanë hyrë në Kosovë.

Më këtë, sipas prokurorisë, ai ka kryer veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143, par. 2 i KPRK – së.

Ndryshe, Gazmend Haliti ka qenë i akuzuar edhe në grupin e njohur si “Badovci”, në të cilin ai më 19 korrik të vitit të kaluar, bashkë me të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Ai ishte dënuar me tre vjet e gjashtë muaj burgim, dënim i cili i është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.