Gjykatësi në trajnim zyrtar, dështon gjykimi për korrupsion ndaj rojës së pyllit

Foto nga rasti i 6.12.2018
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Dhjetor 6, 2018

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të enjten ka dështuar të mbahet shqyrtimi gjyqësor ndaj rojës së pyllit në Agjencinë Pyjore të Kosovës, Bekim Jashari, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Shkak për mos mbajtjen e seancës ka qenë mungesa e njërit nga anëtarët e trupit gjykues, gjykatësit Mustaf Tahiri, i cili ndodhet në një trajnim zyrtar.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka Mekaj, ka njoftuar palët e pranishme se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për mbajtjen e këtij shqyrtimi, për shkak se njëri nga anëtarët e trupit gjykues, gjykatësi Mustaf Tahiri, kishte të planifikuar që më parë pjesëmarrjen në një trajnim dhe si rrjedhojë ai nuk mund të marrë pjesë në këtë seancë.

Gjykatësja Mekaj deklaroi se kishte bërë përpjekje që të siguronte një gjykatës tjetër në mënyrë që trupi gjykues të jetë funksional dhe që ky gjykim të mos dështonte, por që sipas saj,  kjo kishte qenë e pamundur për shkak të angazhimeve profesionale të secilit prej tyre.

Ndërsa, për dështimin e kësaj seance ka reaguar mbrojtësi i të akuzuarit Bekim Jashari, avokati Ali Latifi, i cili deklaroi se është tmerr të dështonte shqyrtimi gjyqësor për shkak të pjesëmarrjes në një trajnim të një gjyqtari.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 29 janar ora 09:30, me mundësi të vazhdimit të gjykimit edhe më 30 janar.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 14 prill 2015, ndaj Bekim Jasharit me pretendimin se i njëjti në cilësinë e rojës së pyllit në Agjencinë Pyjore të Kosovës kishte kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, Jashari duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare me qëllim të përftimit ka keqpërdorur pasurinë e Agjencisë Pyjore të Kosovës, në atë mënyrë që për sasinë 18.60 m katror të druve për taksën e papaguar prej 26 eurosh ka dëmtuar agjencinë për sasinë 13 metër kub.

Jashari thuhet se më 11 qershor 2013 për pyllin privat të Ramadan Imerit ka lëshuar fletë përcjelljen për 5.70 metër katror dru bungu zjarri të njoma me vlerë prej 171 euro, sipas lejes për transportuesin Hevzi Hyseni, me vend ngarkim në Keqekollë, por nuk i ka evidentuar fare këto të dhëna në lejen e cekur për prerjen e druve në pyllin privat, e që nuk i takojnë këtij pylli.

Ai akuzohet se edhe më 24 qershor 2013, në po të njëjtën formë siç është cekur më lartë për pyllin privat të Shaqir Fejzullahut, ka lëshuar fletë përcjelljen për dru bungu zjarri të njoma me vlerë prej 129 euro, por pa i evidentuar në lejen e cekur, duke rënë kështu në kundërshtim me detyrat e tij.

Aktakuza tutje thotë se Jashari më 27 qershor 2013, për pyllin privat të Shaqir Zejnullahut ka lëshuar fletë përcjelljen për dru bungu zjarri të njoma në vlerë prej 129 euro, por nuk i ka evidentuar të njëjtat ne lejen e cekur për prerjen e druve në pyllin privat e që nuk i takojnë atij pylli.

Sipas kësaj, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” nga neni 422 në bashkim real me veprat e përmendura më lartë.