Gjykatësi në seminar, anulohen seancat ndaj ish-zyrtarit të PTK-së që akuzohet për përvetësim të mbi 70 mijë eurove

Nora Kelmendi- Raporti për Web- Rasti Skender Tahiraj- caktim i masës së paraburgimit- 15 shkurt 2019
Author

Raporton: Nora KELMENDI

Mars 14, 2019

Mitrovicë –  Për shkak të mungesës së kryetarit të trupit gjykues, Burim Ademi, ka dështuar të mbahet gjykimi i paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ndaj zyrtarit të PTK-së, Dibran Fetahu, i cili po akuzohet se në vitin 2014 ka përvetësuar mbi 70.000 euro.

Gjykata paraprakisht ka njoftuar përfaqësuesit e palës së dëmtuar, Postën dhe Telekomin e Kosovës (PTK), të akuzuarin Fetahu dhe mbrojtësin e tij, avokatin Vehbi Beqiri, se seancat e parapara të mbahen më 14 dhe 15 mars 2019, janë anuluar, raporton “Betimi për Drejtësi”..

Nga administrata në Gjykatë është bërë e ditur se gjykatësi Burim Ademi gjendet në një seminar dhe se seanca e paraparë për të enjten nuk mund të mbahet.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 20 mars 2019.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të përpiluar më 29 dhjetor 2015, Dibran Fetahu akuzohet se deri më 28 janar 2014, në ndërtesën e PTK-së, selia në Mitrovicë, në cilësinë e arkëtarit ndihmës, ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar sipas detyrës zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se ai këtë e kishte bërë në atë mënyrë që shitjet e vazhdueshme të kartelave gërvishtëse nga ana e sportelistëve nuk i kishte deklaruar në tërësi në librin e shitjes.

Në këtë mënyrë, ai akuzohet nga prokuroria se ka përvetësuar shumën prej 71,875.52 euro.

Me këtë, ngarkohet për kryerjen e veprës penale “Përvetësimi në detyrë”, nga neni 425 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Betimipërdrejtësi