Gjykatësi mungon për shkaqe shëndetësore, anulohet seanca ndaj të akuzuarve për shpërlarje parash

Raporton: Ermira HOXHA

Prishtinë– Për shkak se gjykatësi Vesel Ismaili mungoi për shkaqe shëndetësore, të premten në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është anuluar seanca ndaj B.T, Q.T, A.T dhe J.T, të akuzuar për shpërlarje parash.

Ky lajm për “Betimi për Drejtësi”, u bë i ditur nga zyra e gjykatësit të rastit Ismaili.

Ndryshe, sipas aktakuzës, B.T gjatë periudhës kohore 2010-2018, me qëllim të përfitimit në mënyrë të kundërligjshme, duke bashkëvepruar me shtetasin holandez J.G, me qëllim të fshehjes apo të maskimit të natyrës, burimit, vendit, dispozicionit, lëvizjes ose pronësisë së pasurisë së përfituar me aktivitete kriminale nga shtetasi holandez J.G, aktivitet ky që ishte i ndërlidhur me vepra të ndryshme penale (droga të forta të ndryshme, mashtrim, tentim vrasje e kryer disa herë, vrasje dhe vrasje pa dashje, armë dhe municion si dhe shkelje pronash, shkelje trashëgime), me qëllim që pasuria e kundërligjshme të duket si e ligjshme ka bashkëpunuar me të pandehurit tjerë.

Tutje, në aktakuzë thuhet se B.T fillimisht i ka udhëzuar të hapin llogari bankare, të regjistrojnë firma në emër të tyre si të veprojnë me shuma të mëdha, pastaj se bashku me shtetasin holandez kanë hapur firmën  “J&B” sh.p.k kinse për ndërtimin e objekteve banesore dhe jo banesore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, firma në fjalë nuk ka ushtruar asnjë aktivitet ekonomik, por me qëllim të fshehjes apo të maskimit të pasurisë së përfituar me aktivitet kriminal ka realizuar transaksione bankare dhe atë në hyrje të shumave prej 706 mijë e 887 euro dhe dalje në shumë prej 671 mijë e 975 euro e 81 centë.

Në aktakuzë thuhet se këto transaksione janë realizuar në emër të Q.T, motrës së të pandehurit B.T, sipas sugjerimeve të pandehurit B.T, pastaj me mjetet materiale që janë fituar me vepër penale apo duke besuar se kjo pasuri është fituar nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal, ka bërë pagesën për banesën e cila gjendet në Prishtinë, në shumën prej 22 mijë euro.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Q.A  në të njëjtën periudhë kohore, ka hapur llogari në TEB Bank, Procredit, Raiffesisen, pastaj e ka regjistruar firmën fiktive N.T.P “Valoni Sport” në emër të saj dhe nga shtetasi holandez ka pranuar shuma të ndryshme parash nga Turqia dhe Holanda edhe në llogarinë e saj private edhe në llogarinë e firmës.

Sipas aktakuzës e pandehura Q.A, sipas sugjerimeve të të pandehurit B.T, me përshkrimin e “hulumtimit të tregut” kinse për qëllim të investimit në ndërtimtari, përsëri këtë shumë të mjeteve materiale e ka transferuar në llogari të ndryshme te shtetasit holandez J.G, në Holandë, Turqi, Belgjikë, Spanjë e Gjibraltar, me përshkrimin kthimi i huazimit, blerja e aksioneve etj.

Thuhet se shumat të cilat janë përdorur me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës së burimit arrijnë vlerën deri në 1 milion e 60 mijë euro, ndërsa Q.A nga kjo shumë ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme 71 mijë e 880 euro, të cilat mjete nuk i ka transferuar por i ka mbajtur në llogarinë e saj.

E pandehura A.T në periudhën e njëjtë kohore ka bashkëvepruar me të pandehurit në atë mënyrë që fillimisht ka hapur llogari bankare në TEB Bank dhe ProCredit Bank, pastaj ka regjistruar firmën fiktive AB “Ndërtimtari” dhe e njëjta ka pranuar shuma të ndryshme nga shtetasi holandez, e cila po ashtu prapë i ka transferuar në llogaritë e ndryshme të shtetasit holandez.

Tutje në aktakuzë thuhet se e pandehura A.T ka transferuar para në vlerën deri në 1 milion e 444 mijë e 970 euro, ndërsa nga kjo shumë ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 55 mijë e 420 euro, të cilat mjete nuk i ka transferuar por  i ka mbajtur në llogarinë e saj.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se i pandehuri J.T ka bashkëpunuar me të pandehurit (fëmijët e tij), ashtu që duke e ditur se kjo pasuri është fituar nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal, pra me paratë e përfituara nga ky aktivitet ka bërë pagesën e dy banesave në Prishtinë.

Tutje, në mënyrë  që këto para të duken si të ligjshme, fillimisht janë transferuar në llogarinë e te pandehurit J.T, ndërsa me datë 28 prill 2017 me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme, shumën prej 50 mijë euro e ka transferuar tek llogaria bankare e shtetasit holandez, për t’u bërë pagesa e dy banesave.

Me këtë të pandehurit në vazhdimësi në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Shpërlarja e parave” nga neni 302 të Kodit Penal dhe ligjit 05/L96 neni 56, paragrafi 1.1 dhe 1.2 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohet të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë