Gjykatësi i akuzuar kërkon përjashtimin e kryetarit dhe njërit anëtar me arsyetimin se janë paragjykues

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë- Me kërkesën e gjykatësit të suspenduar të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismajli është kërkuar përjashtimi i kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Valbona Musliu-Selimaj dhe anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Valon Kurtaj, me arsyetimin se të njëjtit janë paragjykues, për shkak se ky është nga Drenica.

Një kërkesë e tillë nga ana e të akuzuarit Ismajli është bërë të premten pas fjalës hyrëse në seancën e shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin që po mbahet lidhur me akuzat për korrupsion ndaj të akuzuarit Ismajli dhe zyrtarit policor Blerim Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, i akuzuari Ismajli ka deklaruar se ka dilema në këta dy anëtarë të trupit gjykues, pasi sipas tij këta nuk kanë vendosur drejt  në aktgjykimin e dhënë.

“Kjo është forma më arbitrare sepse unë jam prej Drenicës dhe kisha kërkuar nga ju mos me qenë paragjykues dhe kam bë një kërkesë për përjashtim ndaj jush dhe Valonit, sepse me juve dyve kemi qenë në Akademi bashkë dhe kemi pas disa fërkime, mirëpo ju lutem mos paragjykoni për faktin se jam prej Drenicës”, tha i akuzuari Ismajli.

Një akuzë e tillë është mohuar nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Musliu-Selimaj dhe anëtari tjetër, gjykatësi Kurtaj.

Sipas, kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Musliu-Selimaj me të akuzuarin Ismajli dhe me askënd tjetër nuk ka pasur asnjëherë ndonjë konflikt.

“Nuk e di a e ki tash, e ki pas e ke thënë në letër, e ke thënë ekskluzivisht, fërkime kemi pas, sot po ta them publikisht edhe para këtyre medieve ku i kemi këtu se ke thënë edhe “Drenicofobi” unë po ta them se asnjëherë fërkime me askënd s’kam pas”, tha gjykatësja Musliu-Selimaj.

Po ashtu, gjykatësi Kurtaj ka mohuar të jetë i anshëm e “Drenicofob” siç ka deklaruar i akuzuari Ismajli, ai ka thënë se edhe bashkëshorten e tij e ka nga Drenica dhe po të ishte i tillë nuk do ta merrte një grua për bashkëshorte nga Drenica.

“Rafet, unë s’ta ndërroj perceptimin tënd, fërkime s’kemi pas kurr hiç një, e dyta drenicofobi që je lidh në atë fakt po të kallëzoj unë gruan e kam të Drenicës po të kisha qenë drenicofob se kisha marrë për grua kurrë po e kisha marrë dikë tjetër regjione tjera ka plot Kosova full”, tha gjykatësi Kurtaj.

Ai shtoi se gjykimin e bën drejt për arsye se e obligon ligji dhe Zoti dhe kurdo që e sheh veten se nuk mund ta bëjë atë punë do heq dorë prej saj.

“E treta që është më e rëndësishmja në qoftë se gjykoj këtu drejt edhe me bindjen time më të lirë nuk e bëj për ty, e bëj se më obligon më së pari ligji, por edhe obligimi ndaj Zotit se s’dua me i hi në hak kërkujt e as s’kam me i hy në hak kërkujt, kam detyrim ligjor, detyrim të kodit të etikës, detyrim pozicioni që ma kanë dhanë se aktgjykimet i sjellim ne emër të popullit e ai mileti i ngratë atje që është jashtë ai na ka besuar neve me gjyku në emër të tyre e në qoftë se në atë ditë që e shoh veten që unë s’po mundem me gjyku ne emër të tyre edhe të Zotit e të ligjit unë e lë këtë punë krejt”, tha gjykatësi.

Sipas, të akuzuarit Ismajli, gjykatësja Musliu-Selimaj dhe gjykatësi Kurtaj kanë vendosur në mënyrë selektive dhe besimin ia kishin falur një agjenti të Serbisë lidhur me aktgjykimin e dhënë.

“Unë prapë i kam dilemat se ju nuk keni vendos drejt unë i kam 8 viktima në familje, ju keni vendos ne mënyrë selektive, njëanshëm dhe ia keni falë besimin një agjenti të Serbisë i cili paguhet prej Serbisë dhe e di edhe prokuroria, policia e di botërisht është fakt notor”, tha i akuzuari Ismajli.

Ndryshe, fillimisht në ketë seancë  dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, pastaj është dhënë fjala hyrëse nga prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve.

Prokurorja speciale, Iliriana Qollaku-Tafa ka thënë se me provat që ka prokuroria do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Ismajli, avokati Naim Rudari ka thënë se aktakuza e prokurorisë nuk përmban dyshimin e bazuar mirë se i  mbrojturi i tij ka kryer veprën penale e cila i vihet ne barrë.

Sipas, avokatit Rudari nuk është kontestues fakti se i mbrojturi i tij, ka marrë 1 mijë e 500 euro nga dëshmitari, por siç tha ai ato i ka marrë në emër të huas e sipas tij këtë e thonë edhe masat e fshehta që janë zbatuar në atë kohë.

Tutje, sipas avokatit Rudari, Gjykata e Apelit me të drejtë ka rekomanduar që të dëgjohen në cilësi të dëshmitari edhe kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabasic dhe doktori Radovan Kovaceviq, si dhe ai ka propozuar që të dëgjohen edhe dy zyrtarë policorë që do të dëshmonin rrethanat se si kanë ecur hetimi i fshehtë.

Ndërsa, fjalën hyrëse të avokatit të tij e ka mbështetur edhe i akuzuari Ismajli, por ka shtuar se ai ka pritur nga prokuroria që t’i evitojë disa të cekura nga Gjykata e Apelit pas aktgjykimit të shkallës së parë.

Tutje, në fjalën e tij hyrëse i akuzuari Ismajli ka thënë, se gjykata e shkallës së parë i ka trajtuar provat në mënyrë selektive dhe në mënyre të njëanshme dhe sipas tij janë shqyrtuar vetëm provat të cilat e mbështesin tezën e aktakuzës.

Ai ka mohuar të ketë marrë shuma parash me qëllim përfitimi nga dëshmitari F.Z, dhe i njëjti ka deklaruar se këtë dëshmitar e ka ndihmuar në baza miqësore dhe shoqërore.

“Personit F.Z i kam ndihmuar në baza miqësore dhe shoqërore dhe nëse në materiale e gjeni se kam kërkuar vetëm një euro dhe jo më shumë e marr përgjegjësinë dhe kërkoj dënimin maksimal”, tha i akuzuari Ismajli.

Sipas Ismajlit prokuroria e fsheh faktin se ka qenë i provokuar me shuma më të mëdha parash, ku ka përmendur shumat 5 mijë e 10 mijë euro, e në ditën e arrestimit iu ishin ofruar 700 euro, por që i njëjti nuk i kishte marrë.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Ramë Gashi ka kundërshtuar fjalën hyrëse të prokurores si të pathemeltë  dhe se i njëjti ka deklaruar se mbetet në tërësi në fjalën hyrëse të dhënë në gjykimin paraprak.

Pas kërkesës për përjashtim të dy anëtarëve të trupit gjykues, seanca e shqyrtimi gjyqësor është ndërprerë dhe e njëjta është shtyrë në kohë të pacaktuar derisa të vendos kryetarja e Gjykatës lidhur me kërkesën për përjashtim.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 mars 2020 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Rafet Ismaili në cilësinë e gjyqtarit të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe i akuzuari Blerim Gashi në cilësinë e zyrtarit policor kanë kryer veprën penale “ushtrim ndikimi”.

Për këto akuza, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2020 kishte marrë aktgjykim dënues ndaj tyre, duke shqiptuar dënim me nga dy vite e gjashtë muaj burgim dhe me 2 mijë euro gjobë, për secilin veç e veç.

Gjykata atyre u kishte shqiptuar edhe dënime plotësuese, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vitesh pas ekzekutimit apo vuajtjes së dënimit.

Por, e pakënaqur me dënim e shqiptuar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ushtruar ankesë mbi lartësinë e dënimit me të cilën kishte kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë që ndaj të akuzuarve të shqiptohen dënime më të ashpra.

Gjykata e Apelit të Kosovës më 22 prill 2021, pas ankesës, vendimin e shkallës së parë e kishte anuluar dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimin mbi dënimin.

PSRK më 4 mars 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj gjyqtarit të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismajli dhe zyrtarit policor Blerim Gashi.

Sipas aktakuzës, Ismajli në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.

Po ashtu, sipas aktakuzës i pandehuri më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marrë nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë e 500 euro, me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikimin e padrejtë tek kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26 korrik 2018 ndaj dëshmitarit F.Z., në kohëzgjatje prej 4 vjet e 10 muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Ndërsa sipas prokurorisë, i akuzuari Blerim Gashi, në cilësi të personit zyrtar, polic në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, ashtu që i njëjti më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marrë nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë euro me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26 korrik 2018, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet e 10 muaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës, në një komunikatë për media, kishte njoftuar se nën dyshimet për vepra penale të korrupsionit, është arrestuar një gjykatës në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe një zyrtar policor, në mbrëmjen e 26 shtatorit.

Kurse, një ditë pas arrestimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e kishte pezulluar nga detyra gjykatësin Ismajli. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë