Gjykatat themelore propozojnë gjashtë kandidatë, dy prej tyre do të bëhen pjesë e Këshillit Gjyqësor më 21 qershor

KGJK
Author

Raporton: Betimi për Drejtësi

Qershor 10, 2021

Prishtinë – Të enjten ka përfunduar rundi i parë i zgjedhjeve për kandidatët për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) nga radhët e gjykatave themelore.

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë, gjyqtari Besnik Bislimaj mori votat e kolegëve të tij gjyqtarë për t’u kandiduar për anëtar të KGJK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, gjyqtarët e Gjykatës Themelore në Gjilan me shumicë votash zgjodhën gjyqtarin Veli Kryeziu për kandidat për KGJK.

Përveç gjyqtarëve Bislimaj dhe Kryeziu, në garë për dy pozita të anëtarëve në KGJK janë edhe gjyqtarët, Arjeta Sadiku, Mirlinda Bytyqi-Rexhepi, Fidan Hoxha dhe Veton Ademaj, të cilët kanë marrin besimin e kolegëve të tyre nga gjykatat në Prishtinë, Ferizaj, Prizren dhe Pejë.

Të gjithë këta kandidatë do të marrin pjesë në tubimin e përgjithshëm zgjedhor që do të mbahet më 21 qershor 2021. Në këtë tubim, nga kandidatët që janë në garë, do të zgjedhën dy gjyqtarë të cilët do të përfaqësojnë shkallën e parë të gjyqësorit në KGJK.

Deri më tani, përfaqësues të gjykatave themelore në KGJK kishin qenë Anita Krasniqi-Prenaj dhe Skender Çoçaj, mandati i të cilëve skadon në fillim të muajit korrik 2021. Po ashtu, përfaqësues në KGJK nga gjykatat themelore është edhe gjyqtari Avni Mehmeti, gjykatës nga Gjykata Themelore në Mitrovicë/BetimipërDrejtësi