Gjykata vlerëson se i akuzuari për keqpërdorim të detyrës zyrtare nuk e kupton akuzën, shtyhet gjykimi për një datë tjetër

20200724_102051
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Korrik 24, 2020

Pejë- Në Gjykatën Themelore në Pejë, të premten, është shtyrë seanca fillestare  për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndaj rojës së pyllit në Pejë, Himë Kransiqi.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, konstatoi që seanca duhet të shtyhet deri sa të pandehurit të i caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare nga lista odës së avokatëve.

Sipas saj i pandehuri nuk është në gjendje ta kuptoj aktakuzën, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Një vendim i tillë u morr pasi që i pandehuri u deklarua fajtor për veprën e kryer, mirëpo i njëjti theksoi se veprën e ka kryer pa dashjen e tij.

Lidhur me këtë pranim të fajësisë reagoi edhe prokurori Ardian Hajdari, i cili konstatoi që një pranim i tillë i fajësisë nuk është i plotë dhe nuk mund të pranohet.

Më pas kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, konstatoi që në akuzë nuk është e cekur institucioni i cili është i dëmtuar nga kjo vepër  penale, për çka më pas prokuroi Hajdari deklaroi se sipas tij janë plotësuar të gjitha kushtet e veprës penale ‘‘keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’’ .

‘‘Të gjitha elementet e veprës penale janë përshkruar  në akuzë dhe elementi i dëmit siç e ceki gjykata nuk është i domosdoshëm për  këto vepra penale përderisa janë plotësuar elementet  në e tjera e të cilat janë cek mirë në akuzë. Për dijeni të gjykatës në shkresa të lëndës është deklarata  e DPKDN zyra në Pejë dhe është raporti i pylltarëve Isuf Lajqi dhe Hajriz Gashi lidhur me sasinë e masës drunore, dhe të dy kanë deklaruar se nuk e kanë gjetur se janë të dëmtuar , e në këtë akuzë ata janë thirrur si dëshmitarë’’, ka thënë Hajdari.

Ai po ashtu shtoi se aktakuza nuk ka se çka të plotësohet më tepër, kurse sa i përket mbrojtjes të akuzuarit, ai u pajtua që të akuzuarit t’i caktohet një mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Më pas gjyqtarja Husaj-Rugova, morri aktvendim me të cilin konstatoi që gjykata ka vlerësuar se i pandehuri Himë Krasniqi nuk është në gjendje t’i kuptoj rrethanat e veprës penale, elementet , si dhe pasojat dhe përparësitë e pranimit të fajësisë, gjithmonë duke pasur parasysh dënueshmërinë e veprës penale, andaj ndaj të njëjtit do të caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare.

Ndërsa seanca e radhës është caktuar me 3 gusht 2020, në ora 09:00.

Sipas aktakuzës së ushtruar me 29 qershor 2020, Himë Krasniqi akuzohet se me 4 maj 2020, rreth orës 08:00, në Pejë,  duke qenë në pozitë zyrtare të pylltarit, ditën kritike ishte i caktuar si rroje pylli tek Laura e pylltarisë në Pejë, pikërisht në hyrje të Pejës në drejtim të Rugovës, i njëjti edhe pse e kishte për detyrë, nuk e kishte ndaluar kamionin që e drejtonte dëshmitari Fitim Rugova, i cili kamion ishte i ngarkuar me dru teknik të llojit ‘‘Breu’’, në sasi prej 4.07 metra kub, dhe në vlerë prej 1.424,50 euro.

Andaj në bazë të këtyre veprimeve, Himë Krasniqi akuzohet për veprën penale ‘‘keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’’, nga neni 414 paragrafi 1, të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi