Gjykata vendos të mos përjashtoj avokatin Florent Latifaj nga rasti Limaj dhe të tjerët
Raporton: Adem KRASNIQI
Prishtinë – Trupi gjykues me kryetare Maria Tuma, në seancën e së mërkurës, vendosi që avokatin mbrojtës të akuzuarit, Nexhat Krasniqi, Florent Latifajn, të mos e përjashtoj nga rasti. Gjyqtarja Tuma tha se pas konsultimit të trupit gjykues dhe gjithashtu duke u bazuar në kodin e procedurës penale, ska arsye për përjashtim.
Në seancën e 13 shtatorit, prokurori i rastit, Charles Hardaway, kishte bërë kërkesë për përjashtim të avokatit Latifaj, pasi që i njëjti në të njëjtën kohë është edhe përfaqësues i Adem Grabovcit në rastin e njohur si “Pronto”, e që është propozuar si dëshmitar në këtë rast nga ana e prokurorisë.
Tutje, pala mbrojtëse e Fatmir Limajt, avokati Tahir Rrecaj, bëri vërejtje në vendimin e marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, vendim i cili e kishte hedhur poshtë kërkesën që e kishte bërë avokati Karim Kan, për përjashtimin e gjyqtares Maria Tuma.
Rrecaj tha se ai vendim është marrë në bazë të një procesverbali i cili kishte pasur gabime substanciale. Por, gjyqtarja Tuma, ia ndërpreu fjalën duke thënë se ky aktvendim është i prerë dhe se askush nuk mundë të ankohet për këtë.
Gjithashtu gjatë këtij shqyrtimi, prokurori Hardaway, tha se tani kishin kuptuar, që djali i anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Isuf Makolli, punon në zyrën e avokatit Florent Latifaj, i cili është mbrojtës i të akuzuarit Nexhat Krasniqi. Hardaway shtoi se, deri më tani nuk kanë ndonjë dyshim se gjyqtari Makolli ka qenë i anshëm, por që në të ardhmen, nëse dyshojnë në paanshmërinë e tij, do të bëjnë kërkesë për përjashtim të këtij gjyqtari nga ky rast.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës përfshihen pesë persona të akuzuar për keqpërdorime, marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të tjera, lidhur me disa tenderë që lidhen me ish Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomit (MTPT).
Ndër ta janë ish Ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, ish-Drejtori i prokurimit Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.