Gjykata ua refuzon kërkesën për hudhjen e aktakuzës të akuzuarve që dyshohet se kundërligjshëm licencuan poliklinikën në Graçanicë

Gj TH Prishtine
Author

Raporton: Sabina PERGEGA        

Mars 27, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka refuzuar kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës, bashkëpronarëve të poliklinikës “Bel Medic International”, Armend Agani dhe Liljana Smilic.

Sipas aktakuzës, Smilic si drejtoreshë e kësaj poliklinike, si dhe Armend Agani, si bashkëpronar pa dijeninë e doktorëve të stomatologjisë Kadrie Morina, Teuta Latifi dhe teknikes së stomatologjisë, Elmedinë Pllana, kishin shfrytëzuar licencat e tyre, kinse si të punësuara në këtë klinikë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore.

Ata po akuzohen për tri vepra penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “mashtrimi” dhe veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi”, mbrojtësi i të akuzuarës Smilic, avokati Ramë Gashi tha se gjykata e shkallës së parë ua ka refuzuar kërkesat për kundërshtimin e provave dhe hudhjen e aktakuzës.

Mirëpo, i njëjti bëri të ditur se në afat ligjor e kanë kundërshtuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë në Gjykatën e Apelit, e cila sipas avokatit Gashi, nuk kavendosur ende në lidhje me ankesën e tij.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur me 23 janar 2020,  dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për tri veprat penale me të cilat po ngarkohen.

Sipas aktakuzës së ngritur me 19 shtator 2019, të akuzuarit Armend Agani dhe Liljana Smiliq, akuzohen se në bashkëkryerje, në cilësinë e personave zyrtarë, gjatë muajit nëntor 2017, kishin shfrytëzuar licencat e punës pa dijeninë e të dëmtuarave, teknikëve të stomatologjisë Kadrie Morina, Teuta Latifi dhe Elmedinë Pllana, duke licencuar në poliklinikën e tyre “BEL MEDIC INTERNATIONAL”, në Graçanicë, repartin e stomatologjisë në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH).

Në aktakuzë thuhet se i kishin shfrytëzuar licencat e të dëmtuarave si aplikuese në konkursin për pranimin e stafit në poliklinikën e tyre, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke iu shkaktuar dëm të konsiderueshëm tri të dëmtuarave.

Dy të akuzuarit, sipas aktakuzës, kishin vënë në lajthim MSH-në që të vërtetojë një çështje të pavërtetë, duke prezantuar dokumentet e të dëmtuarave Morina, Latifi dhe Pllana, kinse ishin të punësuara në këtë klinikë, për ta licencuar poliklinikën e tyre në Graçanicë.

Prokuroria dy të akuzuarit po i ngarkon se në bashkëkryerjen kanë kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “mashtrimi” dhe veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së rreme”. /BetimipërDrejtësi