Gjykata Themelore në Prishtinë që nga 16 marsi ka aprovuar dy kërkesa të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin masës së sigurisë

foto P.D (1)
Author

Raporton: Egzon HALILI

Mars 24, 2020

Prishtinë – Për më tepër se një javë që nga marrja e vendimit nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) që të reduktohen esencialisht të gjitha aktivitetet e gjykatave në Kosovë, në funksion të parandalimit dhe mbrojtjes nga virusi Covid-19, që nga 16 marsi Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur dy kërkesa për caktimin e masës së sigurisë.

Kërkesat janë aprovuar nga Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për çështje Penale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në të cilat raste është caktuar masa e paraburgimit.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm- Divizioni për Çështje Penale nga data 16.03.2020 e deri më sot datë 24.03.2020 janë mbajtur dy seanca për caktim të masës me kërkesë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Në të dy rastet Gjykata ka aprovuar kërkesat e Prokurorisë dhe ka caktuar masën e paraburgimit”, ka thënë Gashi.

Ndryshe më 15 mars 2020, KGJK ka marr vendim që të reduktojë esencialisht të gjitha aktivitetet në kuadër te KGJK-së dhe të gjitha gjykatave në Kosovë.

Sipas kësaj mase, që ka hyrë në fuqi nga 16 marsi, gjykatat do të kryejnë vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente, ato të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve-paraburgimit apo masave tjera, rastet e dhunës në familje, masave tjera si dhe rasteve tjera urgjente që eventualisht mund të paraqiten. /BetimipërDrejtësi