Gjykata Themelore në Ferizaj liron pesë të akuzuarit për korrupsion, nuk është vërtetuar kryerja e veprave penale  

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Ejup Elezi, Sahit Mecini, Ismajl Dërguti, Fadil Goga dhe Sami Malsiu të akuzuar për veprat penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose autorizimit” dhe “falsifikimi i dokumenteve zyrtare” janë shpallur të pafajshëm të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Trupi Gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, i kryesuar nga gjykatësi Ibrahim Idrizi, tha se aktgjykimi lirues është marrë për shkak se nuk është vërtetuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale me të cilat akuzoheshin.

Të pandehurit Ejup Elezi, dhe Sahit Mecini sipas akuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, akuzohen për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose autorizimit” sepse më 14 tetor 2011 në Ferizaj me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit për personat e tjerë kanë shpërdorur detyrat zyrtare. Sipas aktakuzës, i akuzuari Ejup Elezi në cilësinë e pozitës – shef i prokurimit në Spitalin Rajonal të Ferizajt, ndërsa i akuzuari Sahit Mecini pronar i ndërmarrjes NTP “Termo Com” kanë përfituar para në vlerë prej tetë mijë (8000) euro duke dëmtuar buxhetin e Spitalit në Ferizaj. Kjo kishte ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Ejup Elezi ka formuar komisionin prej tre (3) anëtarëve, në përbërje Sami Malsiu, Fadil Goga dhe Ismail Dërguti për pranimin e punëve si anëtar të komisionit, të cilët nuk kanë qenë kompetent dhe profesional në këtë lëmi. Të njëjtit kanë qenë zyrtar të këtij institucioni dhe kanë nënshkruar vendimin për pranimin e punëve në të gjitha repartet e Spitalit në Ferizaj lidhur me tenderin për riparimin dhe mirëmbajtjen spitalore. Ata kanë bërë pranimin teknik me vendim nr.017/11 për operatorin ekonomik –fitues i tenderit NTP “Termo Com”, dhe nga ky vlerësim joreal i akuzuari Ejup Elezi ka bërë pagesën operatorit ekonomik të lartë cekur, i cili ka përfituar shumën në vlerë prej 19.926.70 euro. Ndërsa sipas raportit vlerësues me nr. 017/11 vlera reale e punëve të kryera ka qenë 1.073.71 euro me çka kanë dëmtuar buxhetin e Spitalit Rajonal në Ferizaj në shumën prej 8,852,9 euro.

Sipas pikës 2 të aktakuzës, Sami Malsiu, Fadil Goga dhe Ismail Dërguti akuzohen se më 29 shtator 2011 në Spitalin Rajonal në Ferizaj, në cilësinë e personave zyrtar, si anëtarë të komisionit për pranimin e punëve për përfituesin e këtij tenderi në dokumentin zyrtar, në  vendimin për pranimin e punëve, kanë mundësuar përpilimin e këtij vendimi, i cili përmban të dhëna të pavërteta lidhur me punët e kryera në spital. Aty vlerësohet se vlera e punimeve kap shumën prej 19.926.70 euro, kurse vlera reale e punëve të kryera është 11.073.71 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë