Gjykata Supreme e lë në fuqi dënimin ndaj Sami Lushtakut për arratisjen nga burgu

116429510_1740121056136689_4180660531968745099_o-e1604949668397-620x275 (1)
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Janar 12, 2021

Prishtinë – Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së paraqitur nga mbrojtja e Sami Lushtakut, duke e lënë kështu në fuqi dënimin e shqiptuar ndaj tij nga shkalla e parë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me 14 prill 2020, e kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Për këtë arratisje nga QKUK, gjykata e kishte liruar nga akuza Lushtakun por e kishte dënuar me 12 mijë euro gjobë për dy arratisje të tjera, që kishin ndodhur me 21 gusht 2015 dhe tjetra me 22 shtator 2015, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç Lushtakut, me nga 1,000 euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Ndërsa të gjithë të akuzuarit tjerë, përfshirë edhe djalin e Lushtakut, Mërgim Lushtakun si dhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj ishin liruar nga akuza.

Pas ankesave të ushtruara në Gjykatën e Apelit, kjo e fundit në tetor 2020 kishte marr vendim me të cilin e kishte lënë në fuqi dënimin me gjobë të shqiptuar ndaj ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Apeli e kishte refuzuar si të pa bazuara ankesën e Prokurorisë Speciale, lidhur më pikën 9 dhe 10, të pjesës dënuese dhe pikat 3,4,5,6 7,8 të pjesës liruese të aktgjykimit. Po ashtu ishin refuzuar edhe ankesat e mbrojtësve të akuzuarve lidhur pikat 7, 8, 9,10 të pjesës dënuese të aktgjykimit.

Ndërsa, shkalla e dytë kishte vendosur të ndryshoj aktgjykimin lirues të Themelores për pikën 5 të aktakuzës, ashtu që kishte refuzuar akuzën ndaj Sami Lushtakut, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, për veprën penale “Arratisja e personit të privuar nga liria në bashkëkryerje”, për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

Gjithashtu, Apeli e kishte ndryshuar aktgjykimin edhe sa i përket të akuzuarve, Gëzim Ahmeti, Ylber Blakaj dhe Xhevdet Zena, ashtu që të njëjtëve u kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muajve secilit, mirëpo, ky dënim nuk do të ekzekutohet ndaj tyre nëse të njëjtit nuk do të kryejnë vepra tjera penale brenda një viti pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Ndërsa, Apeli kishte anuluar aktgjykimin lirues të shkallës së parë për të akuzuarit Emrush Thaqi dhe Nexhip Shatri dhe lëndën e tyre e ka kthyer në rigjykim.

Kundër aktgjykimit të shkallës së dytë, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur mbrojtja e Lushtakut, me pretendimet se ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Përmes kësaj kërkese, mbrojtja e Lushtaku kishte propozuar që kërkesa të aprovohet dhe aktgjykimi i kundërshtuar të anulohet në pjesën me të cilën është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë dhe atë pikat IX dhe X apo Lushtaku të lirohet nga akuza.

Ndërsa, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të Kosovës, kishte propozuar që të refuzohet si e pabazë kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë e ushtruar nga mbrojtja e Lushtakut.

Duke vendosur lidhur me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, kolegji i Gjykatës Supreme i përbërë nga gjyqtarët, Agim Maliqi, Valdete Daka dhe Rasim Rasimi kanë vendosur që të njëjtën ta refuzojnë si të pabazuar.

Siç thuhet në aktgjykimin e Supremes, pavarësisht pretendimeve të mbrojtjes, se Lushtaku është dënuar me vetëm një dëshmi, ky pretendim nuk qëndron dhe një gjë të tillë, sipas Supremes, e ka arsyetuar edhe gjykata e shkallës së dytë.

“Kjo duke u nisur nga fakti se deklarata e dëshmitarit R., nuk ishte provë e vetme në këtë rast, por kjo deklaratë është ndërlidh edhe me provat tjera që gjenden në shkresat e çështjes, pra me raportet policore, regjistrat, përgjimet e të tjera, me të cilin konstatim pajtohet edhe kjo gjykatë.” – thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Ndërsa faktin se dëshmitari nuk është dëgjuar në shqyrtim gjyqësor, sipas Supremes, është arsyetuar nga gjykata e shkallës së dytë me faktin se sigurimi i pranisë së këtij dëshmitari ka qenë i vështirësuar për shkak se i njëjti kishte imunitet ndërkombëtar dhe në kuptim të nenit 338 të KPK, të njëjtit i është lexuar deklarata.

Gjithashtu sipas Supremes, nuk është i bazuar as pretendimi se aktgjykimi është i bazuar në provë të papranueshme, konkretisht, në provat e mbledhura përmes masave të fshehta ose masave hetimore.

Kjo sepse siç thuhet në aktgjykim, përgjimet të cilat janë bërë në këtë çështje penale janë bërë për shumë vepra penale, e në mesin e tyre edhe për veprën penale pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal dhe se për këtë vepër penale është i paraparë dënimi më së paku dhjetë vite burgim dhe me gjobë ndërsa fakti se për këtë vepër penale është veçuar lënda dhe është procedura vetëm për vepër të dënueshme deri në tri vite burgim, pra për veprën penale arratisja e personit të privuar nga liria, nuk i bënë provat e nxjerra ligjërisht në fazën e hetimeve si prova të papranueshme.

“Duke marrë parasysh se kjo gjykatë nuk gjeti si të bazuar asnjë nga pretendimet e mbrojtësit të të dënuarit Sami Lushtaku dhe se aktgjykimi nuk është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e konform nenit 437 të KPPK, vendosi si në dispozitiv të këtij aktgjykimi” – përfundon aktgjykimi i Gjykatës Supreme.

Ndryshe, në këtë rast i akuzuari kishte qenë edhe Sami Gjoka, por ndaj tij ishte refuzuar akuza dhe ishte pushuar procedura penale për shkak të vdekjes së tij.

Në këtë rast përveç arratisjes, në pjesën tjetër të aktakuzës që nuk ka të bëjë me arratisje, por me veprat penale “pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësimi gjatë procedurës penale”, “pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”, po akuzohen Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Për këtë pjesë të aktakuzës, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti në seancën 20 shkurtit 2020 kishin veçuar procedurën.

Po ashtu, për këtë rast, bashkëshortja e Lushtakut, Mirvete Hasani Lushtaku, më 4 dhjetor 2019, është dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi që ishte aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë, pas së cilës edhe ishte veçuar procedura ndaj saj.

Por, ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarës është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 3500 euro, të cilën nëse nuk e paguan, dënimi do t’i shndërrohet me burg.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohej për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Sipas aktakuzës, Lushtaku me 21 gusht 2015, qëllimisht kishte qëndruar i pashoqëruar nga stafi korrektues dhe pa u miratuar nga ndonjë urdhër gjykate, jashtë hapësirave të Qendrës së Paraburgimit të Dubravës, dhe kishte qëndruar në shtëpinë e tij, ndërsa nga i njëjti institucion sipas aktakuzës ishte arratisur edhe me 22 shator 2015.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria. Sipas aktakuzës, tre të akuzuarit duke vepruar në bashkëkryerje kishin keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare dhe autorizimin në ruajtjen e Lushtakut, derisa ai kishte qenë jashtë Qendrës së Paraburgimit të Dubravës me 21 gusht dhe 22 shtator 2015. /BetimipërDrejtësi