Gjykata Speciale refuzon kërkesën e Thaçit për lirim nga paraburgimi

Hashim Thaqi
Author

Raporton: Medina KADRIU

Janar 27, 2021

Prishtinë – Gjykatësi i procedurës paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Nicolas Guillou ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së ish- Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për lirimin e tij nga paraburgimi.

Ai ka konsideruar se ekziston rreziku i arratisjes së Thaçit. Kurse, lidhur me përpjekjet për të minuar Dhomat e Specializuara, gjyqtari i procedurës paraprake thuhet se e konsideron si të rëndësishme letrën e Thaçit drejtuar Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara, kërkesa e bërë tek (REDAKTUAR) dhe  uljet e dënimeve për ish-anëtarët e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, thuhet se në veçanti, gjyqtari i procedurës paraprake vëren kohën e letrës, disa ditë pasi Thaçi u thirr si i dyshuar nga ZPS, si dhe kohën e uljes së dënimeve, e cila ndodhi pak para se  Thaçi të jepte dorëheqjen si President i Kosovës.

Në vendim thuhet se lidhur me përpjekjet e pretenduara për të ndërhyrë në procedurë, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron si të rëndësishme skemën e përfitimeve të ofruara personave të thirrur nga ZPS ose anëtarët e familjes së tyre dhe përpjekjet për të marrë njohuri ose për të ndikuar në provat e dhëna nga këto personat gjatë intervistave të tyre në ZPS (REDAKTUAR).

Sipas gjykatësit paraprak ky model i incidenteve, dhe koha e tyre në lidhje me intervistat e ZPS-së, zbulojnë, në minimum, një shkallë të ndikimit dhe kontrollit që Thaçi ka.

“Gjykatësi paraprak konsideron më tej se [REDAKTUAR], [REDAKTUAR], demonstron më tej një shkallë të tillë të ndikimit dhe kontrollit Prandaj, të marrë së bashku, këta faktorë më tej kontribuojnë në rrezikun e pengimit të mbarëvajtjes së procedurave nga z. Thaçi”, thuhet në vendim.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka konkluduar se ekziston rreziku që  Thaçi të ikë, të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të Dhomave të Specializuara ose të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen se janë kundër UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që siguruan ose mund të siguronin prova në rast dhe / ose do të paraqiten para Dhomave të Specializuara.

Ndryshe, më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij me 10 nëntor, sikurse edhe Selimi me 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi