Gjykata Speciale ia vazhdon paraburgimin Kadri Veselit

Raporton: Medina KADRIU

Prishtinë – Me anë të vendimit të marrë me 26 maj 2021, por të publikuar në qershor,  ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veselit, i cili po akuzohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për krime lufte, i është refuzuar lirimi nga masa e paraburgimit.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka konstatuar se  pavarësisht nga faktorët kundërbalancues të identifikuar në Vendimin e Parë të Paraburgimit, rreziku i arratisjes në lidhje me Veseli vazhdon të ekzistojë.

“Duke kujtuar se masat mbrojtëse të vendosura nuk janë plotësisht të mjaftueshme për të zbutur rrezikun e pengimit, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë, e cila, madje, ndonëse jo përcaktuese në vetvete, ofron kontekstin kundër të cilit duhet të merren parasysh gjetjet që i përkasin veçanërisht  Veselit”, thuhet në këtë vendim.

Sipas vendimit, gjyqtari i procedurës paraprake kujton se më parë është konstatuar se Veseli: (i) ka aftësinë për t’i dhënë udhëzime një individi që ndërvepron me Dhomat e Specializuara dhe, duke e bërë këtë, ai ka ndërhyrë drejtpërdrejt në një çështje që përfshin Dhomat e Specializuara.

“Dhe (ii) vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm në Kosovë në bazë të pozitave të mëparshme që ka pasur,të cilat do të vazhdonin t’i mundësonin atij, për shembull, të ketë akses informacionin ose të nxiste mbështetjen e të tjerëve. Gjyqtari i procedurës paraprake kujton më tej se ai gjeti se provat zbulojnë se, derisa  Veseli ishte në krye të SHIK-ut, anëtarët e SHIK-ut ishin të përfshirë në ndërhyrjen e dëshmitarëve”, thuhet tutje në vendim.

Sipas gjykatës, për aq sa mbrojtja përsërit pretendimin e saj se  Bllaca [REDAKTUAR] ishte agjent i inteligjencës i shteti serb, gjyqtari i procedurës paraprake thekson që në fillim se atij nuk i kërkohet të rishikojë argumentet e trajtuara më parë.

“Në çdo rast, lidhur me pretendimin e mbrojtjes se z. Bllaca me shumë gjasa nuk ka qenë kurrë anëtar i SHIK-ut, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se ky argument nuk i ndryshon konstatimet e përfshira në aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë se [REDAKTUAR]”, thotë tutje vendimi.

Në vendim thuhet se lidhur me dokumentin që supozohet se konfirmon se  Bllaca ishte agjent i inteligjencës së shtetit serb, gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se një dokument i tillë nuk ndikon në konstatimin e lartpërmendur.

“Në fakt, gjyqtari i procedurës paraprake vëren se dokumenti [I REDAKTUAR]. Kjo konfirmohet më tej me aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prishtinë e cila konstatoi se [REDAKTUAR]. Pavarësisht nga sa më sipër, gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se, në këtë fazë, nuk është e nevojshme të vërtetohet me siguri se z. Veseli ka kontribuar apo tentuar të pengojë procedurat e TPNJ-së në të kaluarën, por se ekziston rreziku që ai të pengoj procedurat e Dhomave të Specializuara në të ardhmen”, thotë vendimi.

Në vijim të vendimit thuhet se prandaj, gjyqtari i procedurës paraprake është ende i bindur se [REDAKTUAR] 62 ilustron rrezikun që, në kombinim me ndërhyrjen e tij të dëshmuar në një çështje që përfshin Dhomat Specializuara duke i dhënë udhëzime një individi,  Veseli mund të ushtrojë ndikimin e tij në Kosovë për të penguar procedurat e kësaj gjykate.

Sipas vendimit, rrjedhimisht, gjyqtari i procedurës paraprake konkludon se rreziku që Veseli të kryejë krime të tjera vazhdon të ekzistojë.

Në konkluzion të vendimit, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake arrin në përfundimin se rreziqet që Veseli do të arratiset, do të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së Dhomave të Specializuara, ose do të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë prova në këtë rast dhe/ ose do të paraqiten në Dhomat e Specializuara , vazhdojnë të ekzistojnë.

Gjyqtari i procedurës paraprake po ashtu ka konstatuar se as kushtet e propozuara tashmë dhe asnjë kusht tjetër i vendosur nga gjyqtari i procedurës paraprake nuk do ta zbuste mjaftueshëm rrezikun që Veseli të pengojë mbarëvajtjen e procedurës së Dhomave të Specializuara apo të kryejë krime të mëtejshme.

Ndryshe, më 29 prill, Zyra e Prokurorit  të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Seminishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen me forcë e personave dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe  vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë