Gjykata shpallet jo kompetente për ta gjykuar rastin e Selatin Retkocerit që kërkon të anulohet vendimi i KUR “Prishtina”

Gjykata10 (1)
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Korrik 10, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, e ka shpallur veten jo kompetente për ta gjykuar rastin e paditësit Selatin Retkoceri, i cili ka kërkuar anulimin e vendimit të Bordit të Drejtorëve të Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal (KUR) “Prishtina”.

Me anë të këtij vendimi, tani paditësi Retkoceri, pretendon se atij i ishte pamundësuar ta mbante pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, në të cilën ishte zgjedhur paraprakisht.

Lidhur me këtë rast, të mërkurën, gjykatësja e rastit Vjollca Limani, ka thënë se kjo çështje nuk bie në kompetencë të këtij departamenti.

Për këtë arsye, ajo ka ka marr aktvendim duke e shpallur këtë gjykatë si jo kompetente për ta gjykuar këtë rast.

“Gjykata shpallet jo kompetente duke konsideruar se e paditura (KUR) Prishtina ka statusin e ndërmarrjes publike dhe të punësuarit  e saj nuk janë kategori e shërbyesve civilë, përkatësisht paditësi në këtë çështje gëzon mbrojtje gjyqësore sipas dispozitës se nenit 2 te Ligjit të Punës”, tha gjykatësja Limani.

Ajo, po ashtu, njoftoi se këtë lëndë e kishte trashëguar, pasi që sipas saj, ka gjashtë muaj që është transferuar në këtë departament.

Ndërsa, sipas përgjigjes në padi nga KUR “Prishtina”, rezulton se lidhur me këtë çështje, gjykatësja Luljeta Maxhuni, më 30 maj 2018 kishte nxjerr aktvendim për përgjigje në padi, të cilës më 18 korrik 2018, i ishte përgjigjur e paditura, ndonëse gjykimi i kësaj çështje nuk kishte qenë fare në domenin e Departamentit për Çështje Administrative.

Në seancën e së mërkurës kanë qenë të pranishëm paditësi dhe përfaqësuesi i të paditurës, Avni Kastrati.

Gjykatësja Limani, njoftoi palët se në formë të shkruar do ta pranojnë aktvendimin për inkompetencë, pas plotfuqishmërisë të të cilit çështja do të dërgohet në Departamentin e Përgjithshëm, Divizionin Civil.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 14 dhjetor 2015, paditësi Selatin Retkoceri kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Bordit të Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Në padi thuhet se më 17 gusht 2015, Bordi i Drejtorëve të kësaj kompanie, e kishte caktuar tani paditësin Selatin Retkoceri në pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie.

Mirëpo, sipas padisë, një vendim i tillë ishte shfuqizuar më 20 gusht të vitit 2015, me të cilin i ishte pamundësuar mbajtja e kësaj pozite.

Me anë të padisë, ai po kërkon që të anulohet vendimi i Bordit të Drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, me të cilin ishte shfuqizuar vendimi paraprak për zgjedhjen e tij si UD kryeshef ekzekutiv i KUR “Prishtina”. /Betimipërdrejtësi