Gjykata refuzon përfshirjen e palës ndërhyrëse në procedurë për vërtetimin e pronësisë

Raporton: Arlinda MUQA

Pejë- Gjykata Themelore në Pejë, ka refuzuar propozimin e të autorizuarit të kompanisë  “Braqa Kariç”, avokatit Mustafë Maloku, që të jetë palë ndërhyrëse në çështjen kontestimore ku paditësi P.K, po kërkon vërtetimin e pronësisë së blerë më 1997, nga dy të paditurat Organizata Punuese për Pajisje “Inox” dhe Komuna e Pejës.

Këtë vendim e ka marrë gjyqtarja e çështjes Ganimete Puka, në seancën e së martës, pas propozimit të avokatit Maloku që si palë ndërhyrëse anësore të jetë edhe kjo e fundit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, i autorizuari i paditësit P.K, avokati Ekrem Agushi, deklaroi se mbetet në tërësi si në parashtresat e formuluara me shkrim si dhe sqarimeve gojore e kundërshtimeve që i kishte paraqitur gjatë rrjedhës së procedurës, si dhe i propozoi gjykatës që të merren parasysh provat materiale, të administrohen dhe të shqyrtohen ato.

Tutje, përfaqësuesja e të paditurës Komuna e Pejës, avokatja Drita Sopi-Gashi, deklaroi se mbetet pranë parashtresës së dorëzuar më 19 maj 2022 dhe deklarimeve të deritanishme, duke kundërshtuar e duke u bazuar në dispozitat ligjore të nenit 273, par.3 dhe pika 1.3 të LPK-së, ku ndërhyrësi duhet ta pranojë procesin kontestimor në atë gjendje dhe si ndodhet në momentin kur hyn në gjykim.

Sipas saj, ndërhyrësi po pretendon që t’i bashkohet njëra palë si në rastin konkret të paditurës sipas saj ndërhyrësi ka për detyrë ta mbështesë atë.

“Jam e obliguar që të mos ia jap cilësinë e palës ndërhyrëse sepse legjitimiteti i ndërhyrësit është në kundërshtim me nenet e lartcekura”, deklaroi avokatja e të paditurës, Sopi-Gashi.

Tutje, i autorizuari i palës ndërhyrëse, avokati Maloku, deklaroi se e paditura në mënyrë të gabuar e ka interpretuar deklaratën e tij, me të cilën ai ka kërkuar ndërhyrjen e palës në procedurë në anën e palës së paditur.

Sipas tij, është fjala për faktin se nuk e konteston legjitimitetin e palës së paditur kryesisht duke u bazuar në kërkesën e palës paditëse se në rastin konkret legjitimiteti i Komunës së Pejës bazohet në dispozitat e nenit 21 të Ligjit mbi trashëgimisë e Kosovës, ku sipas tij ai edhe më parë kishte deklaruar se ky ligj nuk aplikohet në rastin konkret për kompani afariste, por bëhet fjalë për persona fizik.

“Kam pritur që pala paditëse do ta tërheq padinë ndaj Komunës së Pejës, ashtu siç e parasheh LPK kur ndërhyrësi ka interes juridik dhe legjitimiteti për të qenë pala e paditur në vend të paditurit të mëparshëm”, tha Maloku.

Tutje, i autorizuari i paditësit, avokati Agushi e ka përkrahur kundërshtimin e të autorizuarës së paditurës, për mospranimin e ndërhyrësit anësor në anën e palës së paditur, me arsyetim se ndërhyrësi deri më tash me asnjë provë të vetme nuk e ka arsyetuar interesin juridik për ta ndikuar palën e paditur që ta fitojë kontestin lidhur me kërkesëpadinë e paditësit.

“Andaj në kuptim të arsyeve të paraqitura nga përfaqësuesja e të paditurës dhe kundërshtimeve të cilat kanë paraqit gjatë tërë rrjedhës së procedurës, i propozoi gjykatës që kërkesat e ndërhyrësit anësor për ndërhyje në anën e palës së paditur të refuzohet si e pabazuar”, tha avokati Agushi.

Lidhur me propozimin e ndërhyrësit “Braqa Kariç”, gjykata mori aktvendim që të refuzohet si i pabazuar propozimi që në procedurë të përfshihet si ndërhyrës në anën e të paditurës.

Kundër këtij vendimi, gjyqtarja Puka deklaroi se është e lejuar ankesa në afat prej 15 ditësh.

Ndryshe, sipas padisë së ushtuar 22 dhjetor 2016, paditësi P.K po kërkon nga e paditura Organizata Punuese Fabrika për Pajisje “Inox” dhe Komuna e Pejës, vërtetimin e pronës dhe përmbushjen e kontratës.

Sipas padisë, thuhet se paditësi është trashëgimtar i vetëm ligjor i trashëgimtarit M.K, i cili pas vdekjes së tij trashëgimtar të vetëm kishte lënë birin e tij P.

Në padi thuhet se babai i paditësit derisa ishte gjallë, mbi bazën e aktvendimit të Ministrisë për Financa të Serbisë, Resori për Çështje Pronësore, 011 numër 464-08-02802 i 9 shtatorit 1997, me të cilin është lejuar qarkullimi i paluajtshmërisë- lidhja e kontratës për shitblerjen, me shitësin OP Fabrika “Inox”, ku më 17 shtator 1997, kishte lidhur kontratë për shitblerjen e paluajtshmërisë, me çmimin prej 260 mijë e 700 dinarë të ish-Jugosllavisë.

Tutje thuhet se pasi që kontrata ishte përmbushur nga ana e blerësit, ndërsa bartja dhe regjistrimi i asaj paluajshmërie në regjistrat e kohës të paluajtshmërive nuk është bërë nga ana e shitësit, me anë të kësaj padie paditësi kërkon nga të paditurat që t’ia lejojnë që prona të bartet dhe të regjistrohet në emër të tij. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë