Gjykata refuzon padinë e spitalit “Aloka” lidhur me anulimin e vendimit të OSHP-së për tenderin për shërbime mjekësore të policisë

Pallati 15
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Mars 26, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka refuzuar si të pabazuar padinë e Spitali Special për Kirurgji  “Aloka”, me të cilën ajo kishte kërkuar anulimin e vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Përmes padisë, “Aloka” pretendonte se me rastin e dhënies së tenderit për projektin “Shërbime Mjekësore Specialistike” për Policinë e Kosovës, janë shkelur dispozitat procedurale, nuk janë aplikuar drejtë dispozitat ligjore si dhe nuk është vërtetuar drejtë gjendja faktike, raporton “Betimi për Drejtësi”

Një pretendim i tillë ishte bërë i ditur edhe gjatë seancës së mbajtur në konfliktin administrativ, nga përfaqësuesi i paditëses, avokati Florin Lata.

Por pretendimet e tilla nuk kanë gjetur mbështetje për Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila ka refuzuar si të pabazuar padinë e paditësit.

“Gjykata vlerësoi ligjshmërinë e vendimit kontestues në përputhje me nenin 44 të LKA-së, dhe pas vlerësimit të provave të administruara në seancën e shqyrtimit kryesor, thënieve  në padi dhe përgjigjes të paditurës në padi dhe pas shqyrtimit të gjithave shkresave tjera të lëndës, konstatoi se padia e paditësit është e bazuar”, thuhet në arsyetimin e këtij aktgjykimi.

Gjykata ka vlerësuar se në këtë çështje administrative, drejtë është vërtetuar gjendja faktike nga i padituri dhe zbatuar dispozitat e ligjit material.

“Mbi këto arsye, thëniet e paditëses si në padi nuk i aprovoi sepse i vlerësoi pa ndikim në vërtetimin e një gjendje tjetër faktike, nga ajo e vërtetuar nga i padituri”, thuhet në aktgjykim.

Ndryshe, Spitali Special për Kirurgji  “Aloka” përmes padisë së ushtruar më 23 janar 2017 ka kërkuar  nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, me të cilin i ishte pamundësuar fitimi i tenderit në projektin për Policinë e Kosovës, me titull “Shërbime Mjekësore Specialistike”.

Përmes padisë, paditësja ka kërkuar nga gjykata që ta obligoj të paditurën t’ia kompensoj dëmin sipas ekspertizës financiare, e cila do të përpilohet gjatë procedurës. /BetimipërDrejtësi