Gjykata refuzon marrëveshjen në mes të prokurorisë dhe u.d të drejtorit të Spitalit në Ferizaj, i akuzuar për korrupsion

Raporton: Denisa Jashari

Ferizaj- Të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, u mbajt seanca fillestare në rastin ndaj u.d të drejtorit të Spitalit në Ferizaj, i cili po akuzohet për korrupsion.

Gjykatësi i kësaj çështje, Habib Zeqiri njoftoi se i akuzuar Halit Gërbeshi ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, i akuzuari Gërbeshi në këtë seancë pranoi fajësinë për veprat penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së dhe Ushtrimi i ndikimit, nga neni 424 paragrafi 1 i KPRK-së.

I akuzuari Halit Gërbeshi në lidhje me pranimin e fajësisë deklaroi se vepra është kryer pa dashje nga pakujdesia duke mos ditur se është duke kryer vepër penale.

I njëjti po ashtu shtoi se periudha për të cilën akuzohet, ka qenë periudhë e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë Covid-19.

Lidhur me këtë i akuzuari Gërbeshi dhe mbrojtësit e tij, avokatja Elvira Heta-Vata dhe Salih Gjonbalaj propozuan që gjykata të aprovoj marrëveshjen e arritur me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Gjykatësi Habib Zeqiri, në seancën e sotme pas deklarimit të të akuzuarit mori vendim që të refuzohet marrëveshja për pranimin e fajësisë e arritur në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Gjykatësi Zeqiri njoftoi se në lidhje me këtë çështje gjykata do të hap shqyrtim gjyqësor dhe për këtë palët do të ftohen në mënyrë të rregullt për seancën e radhës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, nga shtatori 2021 e deri në dhjetor 2021, në Ferizaj, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, në vazhdimësi dhe me dashje, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete.

Aktakuza thotë se i njëjti, në pompën e derivateve “HIB Petrol” e cila gjendet në Ferizaj, shtatë herë, ka furnizuar me derivate në kuadër të tenderit të spitalit, veturën e tij private të markës HUNDAY, pa u pajisur me vendim nga ana e Bordit Drejtues të SHSKUK-së dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403 euro e 97 centë.

Me çka, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Tutje thuhet  se i njëjti, në muajin dhjetor të vitit 2021, në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, si person zyrtar, në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Spitalit, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.

Aktakuza thotë se me ndërmarrjen e këtij veprimi të paligjshëm, i njëjti ka furnizuar me derivate veturën e tij private të markës HUNDAY duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403 euro e 97 centë.

Me çka, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 i Kodit Penal.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës kompetente në Ferizaj, që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i’u vihen në barrë”, thuhet në njoftim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

                                                                                          

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë