Gjykata refuzon kërkesën për hudhjen e aktakuzës për mos raportim të pasurisë ndaj ish-drejtorit të Qendrës së Shëndetit Mendor në Gjakovë

Gjakovee
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Prill 20, 2020

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë e ka refuzuar kërkesë për hudhje të aktakuzës, në rastin ku ish-drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor në Gjakovë, Ismet Bardhoshi, po akuzohet për mos raportim të pasurisë.

Lajmin për refuzim të kërkesës për hudhje të aktakuzës për këtë rast, për “Betimi për Drejtësi”, e ka bërë të ditur zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Lekë Muqaj.

“Gjykata Themelore në Gjakovë ka hedhur poshtë kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës në rastin në fjalë. Pas vendimit të marrë, mbrojtja ka parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Ndryshe, më  27 dhjetor 2019, i akuzuari Bardhoshi kishte kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza e ngritur ndaj tij.

I akuzuari Bardhoshi kishte deklaruar se se pas marrjes së certifikatës nga DGJK-ja, e kishte njoftuar Agjencinë Kundër Korrupsion dhe se i ka dhënë sqarime përmes një zyrtareje, e cila i ka thënë se do t’ia përcjellë personit përgjegjës.

Tutje kishte thënë se këtë parcelë tokësore e ka trashëguar dhe se nuk e ka ditur që parcela ka kaluar në emër të tij dhe se e njëjta duhet të jetë me sipërfaqe prej një të gjashtën, e jo siç është në certifikatën e pronësisë me një të katërtën.

Ndërsa, prokurori Nazmi Krasniqi i kishte propozuar gjykatës që ta refuzojë si të pabazuar kërkesën e të akuzuarit për hudhje të aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 16 nëntor 2018, Ismet Bardhoshi po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, përkatësisht drejtor i Qendrës së Shëndetit Mendor në Gjakovë, ka qenë i detyruar ligjërisht që ta bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dobisë tjetër pasurore ose detyrimeve financiare, nuk paraqet të dhënat kërkuara në deklaratë nga 1 marsi 2017.

Sipas aktakuzës, ai akuzohet se nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara për periudhën nga 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2016, duke mos shënuar në formularin e deklarimit të pasurisë të 23 marsit 2017, sipërfaqen e saktë të paluajtshmërisë në pronësinë e tij, në zonën kadastrale Sheremet të Gjakovës, të siguruar dhe vërtetuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, më 21 korrik 2017, dhe Komuna e Deçanit e 8 shkurtit 2018, e që në deklaratë janë paraqitur tokë bujqësore 6000 metra katrorë dhe një banesë prej 80 metra katrorë, ndërsa në certifikatë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës të 14.7.2017, sipas fletës poseduese figuron të jetë pronar i paluajtshmërisë, në sipërfaqe prej 11.001.25 metra katrorë, të gjitha në emër të tij.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve tjera financiare” nga neni 437 parag.2 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi