Gjykata refuzon kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj zyrtarit të ATK-së të akuzuar për korrupsion

Pallati i Drejtesise
Author

Raporton: Medina KADRIU

Mars 19, 2020

Prishtinë – Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj zyrtarit të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Safet Krasniqi, të parashtruar nga ana e mbrojtjes së tij.

Krasniqi po akuzohet se në pozitën e ushtruesit të drejtorit të Njësisë së Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Lajmi u bë i ditur nga avokati i Krasniqit, Blerim Pestreshi, i cili për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se lidhur ndaj këtij vendimi kanë bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

“Kemi bërë ankesë dhe e kemi bërë përmes email-it”, deklaroi Pestreshi, duke sqaruar se ankesa në këtë formë është bërë pas masave të ndërmarra nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) për parandalimin e përhapjes së pandemisë globale, Covid-19.

Ndryshe, shqyrtimi fillestar i mbajtur më 22 janar ishte përcjellje me shumë polemika mes mbrojtjes e prokurorisë, lidhur me aktin akuzues.

Në këtë rast, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), aktin akuzues e kishte precizuar dy herë.

Kurse, Krasniqi në seancën fillestare ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.a

E sipas aktakuzës së fundit të precizuar më 21 janar 2020, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri, në periudhën kohore nga vitit 2013, deri në muajin shkurt të vitit 2019, duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar në ATK, i pandehuri Safet Krasniqi, në pozitën e ushtruesit të drejtorit të njësisë së hetimeve tatimore dhe të inteligjencës, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për personat të tjerë, ashtu që ka përfituar dobi pasurore për të tjerët në mënyrë të kundërligjshme.

Këtë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që edhe pse i njëjti ka pasur njohuri se ekzistojnë biznese të shumta të cilat janë të përfshira në transaksione fiktive, si dhe ka pasur njohuri se këto biznese me qëllim që t’i shmangen tatimit ndaj buxhetit të Kosovës, nuk i kanë paguar obligimet tatimore, si dhe kanë përpiluar dokumentacion fiktiv me qëllim që t’i ikin tatimit, duke i rritur shpenzimet, duke faturuar mall dhe shërbime inekzistente për të cilat janë lëshuar fatura fiktive nga biznese fiktive, me qëllim që të njëjtat t’i ikin TVSH-së, nuk ka ndërmarrë veprime të vizitave, kontrollit apo inicimit të procedurës penale ndaj bizneseve që kanë deklaruar rrejshëm.

Sipas aktakuzës, i njëjti me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme që të përcaktuara me ligj, përkatësisht detyrat e parapara në nenin 74,75, dhe 76 të Ligjit të ATK-së, ku si pasojë e veprimeve të pandehurit, këto biznese kanë përfituar shumën prej 883,478,56 euro, në mënyrë të kundërligjshme dhe si pasojë njëkohësisht është dëmtuar edhe buxheti i Republikës së Kosovës, në po të njëjtën shumë nga mospagimi i tatimit në mënyrë të duhur nga këto biznese.

Tutje, thuhet se i pandehuri, po ashtu, u ka mundësuar bizneseve të cilat kanë qenë në përfshirje të blerjeve të faturave fiktive me bizneset fiktive që ta bëjnë korrigjimin e deklarimeve tatimore, të falsifikuar edhe pse i pandehuri e ka ditur se një veprim i tillë është i kundërligjshëm, pasi që bizneset i kanë falsifikuar deklarimet tatimore, me qëllim të shmangies tatimore.

Sipas akuzës, i akuzuari verbalisht i ka autorizuar udhëheqësit e ekipeve të NJHT-së, që të kryejnë vizita dhe rikontrolle te këto biznese dhe të kërkojnë nga ato korrigjimin e deklaratave tatimore që kanë qenë false, fiktive dhe të pasakta, edhe pse përdorimi i dokumenteve të falsifikuara, të rreme apo fiktive sipas nenit 398 të Kodit Penal dhe nenit 63 të Ligjit për ATK-në paraqet vepër penale, ku si pasojë i pandehuri u ka mundësuar bizneseve që t’i shmangen ndjekjes penale nëpërmjet korrigjimit, ku korrigjimi është bërë nga vet bizneset, por sipas vizitave dhe kërkesave të udhëheqësve të ekipeve dhe hetuesve tatimor të NJHT-së, të cilët kanë bërë vizitat dhe kërkesat për korrigjim sipas urdhrit të të pandehurit.

Për më tepër, sipas aktakuzës, i pandehuri në një takim të mbajtur me Jeton Dragushën dhe Kadri Gashin, me datë 29 korrik 2013, në zyre të NJHT-së, ka kërkuar nga ata që t’u japin afat kohor prej 5-7 ditëve bizneseve që kanë pasur kontroll më herët të cilat të përshkruara në arsyetimin e kësaj aktakuze e që kanë rezultuar me fatura fiktive, në mënyrë që të njëjtat t’i korrigjojnë deklarimet si dhe i pandehuri ka kërkuar që ndaj këtyre bizneseve të mos iniciohet ndjekja penale edhe pse i pandehuri ka qenë i obliguar me ligj që të kryejë hetim penal. /Betimipërdrejtësi