GJYKATA NUK KISHTE PASUR NJOHURI SE I AKUZUARI ISHTE NË BURG, SHTYHET SEANCA

Raporton : Adem KRASNIQI

Prishtinë – Seanca e paraparë të mbahet të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të akuzuarve Bahri Veseli, Xhemshit Dedinca, Afrim Gashi dhe Pajazit Dushku, u shty sepse njëri nga të akuzuarit gjendej në burg.

Në seancën e 22 marsit 2016, me propozimin e prokurores së rastit Ferdane Syejmani, gjykata kishte marrë aktvendim që ndaj të akuzuarit Bahri Veseli, të veçohet procedura, sepse i njëjti sipas gjykatës, ishte në arrati. Mirëpo, pas fillimit të seancës, i akuzuari tjetër në këtë rast, Afrim Gashi, kërkoi fjalën nga gjyqtarja Shadije Gërguri, duke thënë se kishte njohuri se i akuzuari Veseli gjendej në burgun e Smrekovnicës. Pas kësaj informate dhe pas verifikimit, se i akuzuari në fjalë gjendej në burg, gjykata mori aktvendim që të revokohet aktvendimi i seancës së kaluar për veçimin e procedurës penale, pasi që i akuzuari Veseli ishte duke vuajtur dënimin deri më 30 prill 2016.

Sipas aktakuzës së 7 korrikut 2008, të akuzuarit Bahri Veseli, Xhemshit Dedinca, Afrim Gashi dhe Pajazit Dushku, kishin vënë në lajthim Gjykatën Komunale në Prishtinë, për të vërtetuar një çështje të pavërtetë si të vërtetë, duke e paraqitur si provë në një çështje ligjore një dëftesë, se gjoja e dëmtuara Sava Arsiq ka pranuar vlerën prej 300 mijë euro më gjashtë shtator 2006 në vendin e quajtur Merdar. Të akuzuarit, të njëjtën dëftesë dhe një autorizim të përpiluar i kishin përdorur si origjinal, për pranimin e parave, të cilin autorizim gjoja e kanë vërtetuar në Nish, se kinse i pandehuri Xhemshit Dedinca është i autorizuar nga Sava Arsiq. Këto dokumentacione, sipas aktakuzës, i kishin përdorur në Gjykatën Themelore në Prishtinë në një lëndë civile. Me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”,“shpërdorimi i pozitës zyrtare ose autorizimit” dhe “pastrimi i parasë”.

Gjykata lëshoi urdhëresë që i akuzuari Veseli të sillet me dhunë, në seancën e 25 prillit 2016, në ora 13:00.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë