Gjykata nuk e aprovon pranimin e fajësisë nga i akuzuari për vjedhje të rëndë

RAPORTON: VERONA KADRIU

Ferizaj – Gjykatësja Hakile Ilazi, të martën, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, mori vendim me të cilin nuk u aprovua pranimi i fajësisë nga i pandehuri Kushtrim Gavazi, i akuzuar në bashkëkryerje për veprën penale “vjedhje e rëndë”, me të pandehurin Elham Thaqi.

Vendimin e tillë, gjykatësja Ilazi e mori pasi që dy të pandehurit Gavazi dhe Thaqi paraqiten deklarime kundërthënëse, me ç’rast ky i fundit mohoi se është i përfshirë në këtë rast dhe u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i ngarkon akuza. Kurse i pandehuri Gavazi deklaroi se veprën e kanë kryer së bashku, kurse u deklarua i pafajshëm për pikën 1 të akuzës me të cilën ngarkohet i vetëm për të njëjtën vepër penale.

Pika 1 dhe 2 e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, ngarkon të pandehurin Kushtrim Gavazi me veprën penale “vjedhje e rëndë” në vazhdim sepse mes datave 16 -18 shkurt 2012, në Ferizaj, duke përdorur forcën ka dëmtuar derën e objektit të PTK-së qëllim që të marrë kartela mbushëse të telefonit, mirëpo nuk e kishte arritur qëllimin dhe ishte larguar.  Mes datave në fjalë, i pandehuri po ashtu me përdorimin e forcës kishte hapur derën e objektit të PTK-së, në fshatin Babush, Komuna e Ferizajt, ku nga aty kishte marrë 200 euro para të gatshme si dhe kartela mbushëse të “Vala” në vlerë 2,450 euro.

Sipas pikës 3 të akuzës, të pandehurit Kushtrim Gavazi dhe Elham Thaqi, akuzohen se mes datave 21-22 mars 2012, në bashkëkryerje, duke përdorur forcën kanë hapur derën e objektit të PTK-së dhe nga aty kanë marrë 749 euro të gatshme si dhe kartela mbushëse në vlerë 2,632 euro.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë