Gjykata nuk e aprovon pranimin e fajësisë nga i akuzuari për aksident trafiku

Raporton: Verona KADRIU

Ferizaj – Besim Ukzmajli i akuzuar për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”, të hënën në Gjykatën Themelore, pohoi se është fajtor dhe pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkohet. Mirëpo gjyqtari individual i çështjes Mustaf Tahiri vendosi që të mos pranohet pranimi i fajësisë nga ana e të pandehurit Besim Ukzmajli.

Vendimin për mos pranim të fajësisë, gjyqtari Tahiri e morri pasi që i dëmtuari në këtë çështje penale Ngadhnjim Ismani deklaroi se është i befasuar se pse gjendet në sallën e gjykimit. “Unë jam i befasuar pse gjendem këtu në këtë cilësi. Është e vërtetë se para dy vitesh kam pësuar aksident mirëpo nuk kam pësuar lëndime siç përshkruhet në ekspertizë” deklaroi Ismani. Tutje ai shtoi se pas aksidentit është shoqëruar nga Policia për në Spitalin Rajonal në Ferizaj dhe pas një ekzaminimi nga ana e mjekëve ai tha se menjëherë të njejtën ditë ishte lëshuar për në shtëpi pasi që ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa lëndime. Deklarimi i tillë i të dëmtuarit doli të jetë në kundërshtim me ekspertizën mjeko-ligjore të kryer në ditën e aksidentit dhe e cila gjendet si provë në shkresat e lëndës, sepse në këtë ekspertizë është përshkruar se i dëmtuari Pajtim Ismani ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe atë ndrydhje në pjesën e shpinës, me pasoja të përkohëshme për shëndetin. Këtë konstatim po ashtu e mohoi edhe vetë i akuzuari, i cili tha se atë ditë kishin qenë bashkë më të dëmtuarin në Spital dhe se ky i fundit është lëshuar për në shtëpi menjëherë pas ekzaminimit.

Me këtë vendim edhe përfundoi shqyrtimi gjyqësor ndërsa për seancën e rradhës gjyqtari individual Mustaf Tahiri konstatoi se do të kërkohet sqarim nga ana e doktorit, i cili ka përpiluar ekspertizën në ditën kur ka ndodhur aksidenti dhe po ashtu i njejti do të ftohet në shqyrtimin gjyqësor të rradhës, i cili nuk u caktua për ndonjë datë konkrete.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj akuzon të pandehurin Besim Ukzmajli për veprën penale “rrezikimi i trafikut publik”. Sipas akuzës, më 19 korrik 2014, rreth orës 19:40 në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, Ukzmajli duke drejtuar veturën e tij “Reno Megane” nga pakujdesia ka tejkaluar, ku gjatë tejkalimit kishte vërejtur se një automjet ishte duke ardhur nga ana e kundërt dhe me këtë rast kalon jashtë rrugës në anën e majtë dhe fillimisht kishte goditur rrethojën e NTP “Xheni Comerce”, ku pos dëmeve materiale, lëndime të lehta trupore kishte pësuar pasagjeri i tij Ngadhnjim Ismani, lëndime të përshkruara në ekspertizën mjeko-ligjore të datës 7 mars 2015.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë