Gjykata në Mitrovicë e shpall të pafajshëm të akuzuarin për sulm

Vendim
Author

Raporton: Djellza ZYHRANI

Prill 12, 2021

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë, të hënën, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarit për sulm, Ilmi Sallahi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Rrahman Beqiri, nuk ka prova që vërtetojnë se i pandehuri e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Beqiri gjithashtu bëri të ditur se shpenzimet procedurale për këtë rast bien në barrë të gjykatës, kurse e udhëzoi palën e dëmtuar për realizimin e kërkesës në kontest civil.

Ndryshe, para shpalljes së aktgjykimit, palët në procedurë dhanë fjalë e tyre përfundimtare.

Gjatë fjalës së saj, prokurorja Jelena Marjanoviq kërkoi nga gjykata që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. Në anën tjetër, i pandehuri Sallahi kërkoi nga gjykata lirimin nga akuza.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2020, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Ilmi Sallahi akuzohet se me 28 dhjetor 2018, rreth orës 18:00, në afërsi të xhamisë “Isa Beg”, në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Mitrovicë, me dashje, duke e përdorur forcën e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarin Përparim Sejdiu, në atë mënyrë që e kishte goditur me një mjet të fortë në kokë, për shkak të mosmarrëveshjeve paraprake lidhur me një borxh që i kishte të dëmtuarit Sejdiu.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “sulmi”, nga neni 187, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi