Gjykata në Drenas e dënon me një vit burgim me kusht të akuzuarin për kanosje

50669990_2280422268902348_8212676935440924672_n
Author

Raporton: Mirjeta PLAKIQI

Prill 7, 2021

Drenas – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me një vit burgim me kusht të akuzuarin për kanosje, Nehat Binaku.

Sipas aktgjykimit të shpallur të mërkurën, nga gjykatësi Shefqet Baleci, dënimi me kusht nuk do të ekzekutohet, nëse i akuzuari nuk kryen vepër penale brenda periudhës dy vjeçare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, ai është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 50 euro, kurse në emër të taksës për Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit shumën prej 30 euro.

Kurse, pala e dëmtuar ka hequr dorë nga e drejta e kompensimit të dëmit.

Aktgjykimi është shpallur pasi para fillimit të shqyrtimit të dytë, i akuzuari e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Binaku është shprehur se ndihet i penduar për veprën e kryer, duke i kërkuar sërish falje të dëmtuarit Xhelil Binaku.

Me pranimin e fajësisë është pajtuar dhe prokurorja Elza Bajrami, e cila propozoi që ky akt të merret si rrethanë lehtësuese nga ana e gjykatës, me rastin e matjes së lartësisë së dënimit.

I dëmtuari Xhelil Binaku, deklaroi se me të akuzuarin Nehat Binaku janë pajtuar sipas traditave dhe se tani nuk kanë asgjë të keqe mes vete.

Në pyetjen e gjykatësit Baleci, nëse jeni për t’u dënuar i akuzuari, i dëmtuari tha: “Unë jam të mos dënohet dhe nuk kërkoj kompensim dëmi nga i njëjti”.

Me rastin e shpalljes se aktgjykimit, gjykatësi Baleci tha se ka marr parasysh rrethanat lehtësuese si pranimi i fajësisë, pendimin, premtimin se në të ardhmen nuk do kryej vepër penale, faktin që i njëjti nuk ka qenë i dënuar më parë si dhe ndaj tij nuk zhvillohet procedurë penale, ndërsa si rrethanë rënduese ka marre parasysh dashjen.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 22 dhjetor 2020, ka ngritur aktakuzë kundër Nehat Binakut, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “kanosje”.

Në aktakuzë thuhet se me 27 nëntor 2020, rreth orës 09:00, në fshatin Gllobarë, Komuna e Drenasit, i pandehuri, pas një mosmarrëveshje rreth mezhdës me axhën e tij-të dëmtuarin Xhelil Binaku, ku pretendon se ai me murin rrethues po i ngushton rrugën, e ka kanosur seriozisht të njëjtin me mjet të rrezikshëm me të cilin mund të shkaktoj lëndim të rënd trupor.

Sipas aktakuzës, i pandehuri fillimisht me një sëpatë në dorë i ka thënë se “ka me të hjekë kryet, ka me të largu prej këtu, kam me të hangër me dhëmbë”, por në atë moment ka reaguar djali të dëmtuarit Kushtrim Binaku, duke e bllokuar me të dy duart, ku e ka lëshuar sëpatën nga dora dhe duke u larguar pas kësaj, i pandehuri Nehati shkon në shtëpinë e tij dhe e merr një thikë dhe shkon përsëri afër rrethojës ku i dëmtuari me punëtorë ishin duke punuar.

Tutje, sipas aktakuzës, kur Kushtrimi përsëri e ka penguar, atëherë i pandehuri i drejtohet të dëmtuarit me fjalët “hajn nuk e la me kaq dhe ka me ta hjekë kryet” dhe meqë pengohet nga Kushtrimi, shkon në shtëpinë e tij, duke bërtitur gjatë gjithë rrugës pasi që tash më kishte humbur kontrollin.

Në aktakuzë thuhet se në ato momente, i dëmtuari për të ndaluar ndonjë të keqe nga i njëjti, i thotë të qetësohet se tash e thërret policinë, pasi që ishte i shqetësuar dhe i vënë në ankth e frikë se do të vije deri te ndonjë incident lidhur me këtë kontest mes tyre dhe e bënë të ndihet i rrezikuar për sigurinë e tij. /BetimipërDrejtësi