Gjykata liron nga akuza për korrupsion Xhevat Kryeziun

Raporton: Valdet HAJDINI

Gjilan, 8 shkurt – Afrim Shala, kryetar i trupit gjykues i Gjykatës Themelore në Gjilan, të hënën, e ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin për korrupsion Xhevat Kryeziu. Në shpallje të aktgjykimit, trupi gjykues, konstatoi se i akuzuari lirohet për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme për të vërtetuar kryerjen e veprës penale.

Sipas aktakuzës së prokurorit Agron Uka nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, i akuzuari Xhevat Kryeziu, akuzohej për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Prokuroria pretendonte se prej dhjetorit 2012 deri më 16 prill 2013, i akuzuari Kryeziu si pjesëtar i Policisë së Kosovës, duke shërbyer në Policinë Kufitare – Porta 5 në Kamenicë, kishte shpërdoruar pozitën zyrtare, duke ndërmjetësuar për sigurimin e aparateve për bastore sportive të pronarëve Ilir Sylaj në fshatin Kopërnicë, Muharrem Morina në fshatin Rogoqicë, Nuhi Morina në fshatin Hodonovc, si dhe punëtorin e një bastoreje Valdrin Qehaja nga Kamenica. Ai akuzohej se këtyre personave, fillimisht i’u kishte bërë ofertë për hapjen e bastoreve dhe pastaj kishte ndërmjetësuar me dy persona të nacionalitetit serb nga Republika e Serbisë, sigurimin e aparaturës sportive, të sjellur nga Serbia në mënyrë ilegale. Sipas prokurorisë, kjo ishte arritur në bazë të marrëveshjeve paraprake nga i akuzuari me punëtorët dhe pronarët e bastoreve, për caktimin e të ardhurave mujore me pagë prej 200-300€, të cilat duhet të realizoheshin nga përfitimi i të njëjtave, ku i akuzuari pa marr leje paraprake kishte kryer veprim të kundërligjshëm, për të cilat paraprakisht ishte dashur të merrte leje apo pëlqim nga personi tjetër zyrtar.

Në seancën e së hënës, ka dhënë dëshminë e tij, Mentor Basha, i cili ka mohuar të ketë njohur të akuzuarin dhe çfarëdo kontakti paraprak me të, duke shtuar se në çdo kohë kishte qenë bashkëpunues me policët dhe prokurorin.

Gjatë kësaj seance janë administruar provat materiale, të deponuara nga prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës. I akuzuari gjatë dhënies së mbrojtjes, tha se se është pjesëtar i Policisë së Kosovës që nga viti 2002 dhe se asnjëherë as nuk kishte luajtur, por as nuk kishte pasur kontakte me persona të lidhur me makineritë e lojrave të fatit, për çka e ngarkonte aktakuza e prokurorisë.

Në lidhje me tekstet e disa mesazheve telefonike, të siguruara gjatë implementimit të masave të fshehta të hetimit dhe zbulimit, i akuzuari pranoi se një mesazh i dërguar një personi të nacionalitetit serb, është bërë nga telefoni i tij, por dërguesi kishte qenë një mik i tij nga Presheva.

Në fjalën përfundimtare, prokurori, tha se në bazë të deklaratës së dëshmitarit Ilir Syla, i cili ka pasur ofertë për punë, si punëtor i njërës nga bastoret sportive, ka deklaruar se aparatet e lojërave gjithmonë ishin sjellë nga një serb dhe se ndërmjetësues kishte qenë i akuzuari.

Edhe dëshmitari i dytë në këtë proces gjyqësor ka deklaruar se shef i bastorieve dhe lojërave të fatit ishte një person i nacionalitetit serb, ku edhe në këtë rast ndërmjetësues kishte qenë i njëjti person, që në bazë të masave të fshehta ishte konfirmuar të jetë numri i telefonit të të akuzuarit, ku përmes numrit të tij ishin shkëmbyer mesazhet.

Në anën tjetër, avokati mbrojtës në fjalën përfundimtare është thirrur në faktin se mesazhet telefonike janë dërguar nga numri i telefonit të të akuzuarit Xhevat Kryeziu, por që ato mesazhe i kishte dërguar një person tjetër, i cili jeton dhe vepron në Preshevë dhe që i akuzuari nuk kishte lidhje me ato mesazhe dhe përmbajtjen e tyre. Ndërkaq, sa i përket aktakuzës, ai e e ka kundërshtuar atë, duke shtuar se gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësor dhe ndëgjimit të dëshmitarëve, nuk është vërtetuar asnjë fakt i vetëm se i akuzuari e ka kryer veprën penale që i ngarkohet me aktakuzë. Ai gjithashtu potencon faktin se aparatet e konfiskuara nga policia, të njëjtat nuk kanë hyrë nga pika kufitare tek Dheu i Bardhë, ku i akuzuari Kryeziu kishte qenë në detyrë, por aparatet kishin kaluar nga pika kufitare e Mitrovicës së Veriut, e cila mund të dëshmohet edhe në bazë të dokumenteve valide të Doganës së Kosovës.

Si rezultat i zhvillimit të këtij procesi gjyqësor, ku janë administruar provat dhe dëshmitë e dëshmitarëve, trupi gjykues, ka vendosur të shpallë aktgjykim lirues për të akuzuarin Xhevat Kryeziu, për shkak të mungesës së provave të mjaftueshme për të vërtetuar kryerjen e veprës penale.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë