Gjykata Kushtetuese gjen shkelje në vendimin e Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes

GJ.Kushtetuese
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Mars 31, 2020

Prishtinë – Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për kufizimin e lirisë së lëvizjes, si masë parandalimi për përhapjen e virusit Covid-19, rezulton të jetë nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Një gjë e tillë është konstatuar gjatë ditës së sotme nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, e cila e ka aprovuar kërkesën e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaqi, për shpalljen e vendimit të tillë si antikushtetues.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me nenin 55, 35, 36, 43, 8 dhe nenin 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, prandaj dhe i njëjti shpallet i pavlefshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata vendosi njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës  në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-së”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa lidhur me pretendimin se vendimi i Qeverisë për kufizim ka qenë i bazuar në ligj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se  kufizimet e tilla në vendimin e Qeverisë nuk janë të përcaktuara me ligj, me arsyetimin se Ligjet në të cilat është thirrur Qeveria, nuk e autorizojnë të njëjtën që të kufizojë të drejtat e njeriut në nivel të gjithë territorit të Republikës së Kosovës.

“Gjykata theksoi faktin që Vendimi i kontestuar i Qeverisë, i referohet zbatimit të dy ligjeve të lartcekura, të cilat e autorizojnë Ministrinë e Shëndetësisë që të ndërmarrë masa të caktuara në ato ligje me qëllim të parandalimit dhe luftimit të sëmundjeve ngjitëse. Megjithatë, Gjykata konstatoi se ligjet e lartcekura, nuk e autorizojnë Qeverinë që të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese të përcaktuara me nenet 35, 36 dhe 43 të Kushtetutës në nivel të të gjithë Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës pa përjashtim”, thuhet në vendim.

Gjykata Kushtetuese ka sqaruar poashtu se Qeveria nuk mund të kufizojë asnjë të drejtë dhe liri përmes vendimeve, nëse një kufizim nuk është i paraparë me ligj të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Qeveria vetëm mund të zbatojë një ligj të Kuvendit që kufizon një të drejtë dhe liri themelore dhe atë vetëm deri në masën specifike që e ka autorizuar Kuvendi përmes ligjit përkatës”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 56 [Të Drejtat dhe Liritë Themelore gjatë Gjendjes së Jashtëzakonshme] të Kushtetutës, Gjykata konstatoi se ky nen nuk është i aplikueshëm në rrethanat e rastit konkret, ngase i njëjti është i aplikueshëm vetëm pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme..

Gjykata Kushtetuese ka sqaruar poashtu se kufizimi i lëvizjes nuk mund të bëhet vetëm përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, por edhe përmes një ligji të përcaktuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Gjykata po ashtu sqaroi se termi “kufizim” i përdorur në nenin 55 të Kushtetutës nënkupton faktin që Kuvendi ka të drejtë të kufizojë të drejta dhe liri themelore, përmes ligjit, por vetëm për aq sa dhe deri në atë masë sa është e domosdoshme që, në një shoqëri të hapur dhe demokratike, të përmbushet qëllimi për të cilin lejohet kufizimi. Thënë ndryshe, “kufizimi” nënkupton një shkallë më të lehtë të ndërhyrjes dhe kjo mund të bëhet edhe pa shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme; ndërkaq “shmangia” nënkupton një shkallë më të rëndë të ndërhyrjes ngase nuk mund të bëhet kurrsesi pa u shpallur Gjendja e Jashtëzakonshme”, thuhet në vendim. /BetimipërDrejtësi