Gjykata konstaton se dënimi prej 27 viteve burgim arrin efektin te i dënuari për vrasje të rëndë, tentim vrasje e lëndim të lehtë

Vendim
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Qershor 10, 2021

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë ka vlerësuar se dënimi prej 27 viteve burgim për Col Imerajn është i mjaftueshëm për tri veprat penale – për vrasje e rëndë, tentim vrasje dhe lëndim të lehtë trupor – për të cilat është shpallur fajtor.

Pavarësisht se parashihet dënim me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë, Gjykata e Gjakovës ka konstatuar se me dënimin prej 27 viteve burgim për Imerajn arrihet efekti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky është arsyetimi i Gjykatës Themelore të Gjakovës në aktgjykimin e përpiluar me shkrim, ku thuhet se me rastin e marrjes së vendimit mbi dënimin ndaj Imerajt, gjykata ka vlerësuar të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese ndaj tij.

Gjykata Themelore në Gjakovë, më 21 maj të këtij viti, e ka dënuar me 27 vite burgim të akuzuarin për vrasje të rëndë, tentim vrasje dhe lëndim të lehtë trupor, Col Imeraj.

Imeraj, nga fshati Geghysen në Tropojë, është dënuar se ka vrarë N.M, ka tentuar të vrasë djalin e tij dhe i ka shkaktuar lëndim të lehtë trupor kushërirës së tij, D.M. E gjithë ngjarja kishte ndodhur në korrik të vitit 2020.

Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga gjykatësi Drilon Haraçia, i akuzuari Imeraj për vrasje të rëndë është dënuar me 23 vite burgim, për tentim vrasje me 4 vite e 6 muaj burgim, ndërsa për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, ndaj të njëjtit ishte shqiptuar dënimi unik për të tri veprat me burgim në kohëzgjatje prej 27 vitesh.

Sidoqoftë, si rrethana rënduese për të akuzuarin Imeraj, gjykata i ka marrë për bazë shkallën e lartë të dashjes, mënyrën e kryerjes së veprave penale që tregon një mizori për kryerjen e këtyre veprave, rrezikimin dhe dëmtimin e vlerës së mbrojtur.

Sipas aktgjykimit i akuzuari me veprimet e tij ka cenuar vlerat me të larta dhe themelore të mbrojtura, ka cenuar jetën e njeriut, si dhe shkallën e dëmit të shkaktuar familjes së të ndjerit.

Ndërsa, si rrethana lehtësuese gjykata ka marrë për bazë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, moshën e re të të akuzuarit pasi që i njëjti është i moshës 25 vjeç, sjelljen e tij korrekte gjatë gjykimit, si dhe faktin që më parë nuk ka rënë ndesh me ligjin.

Tutje në aktgjykim thuhet se gjykata pas vlerësimit të këtyre rrethanave ka ardhur në përfundim se në këtë rast duhet të aplikohet neni 42 paragrafi 2 i KPRK-së që parasheh se në rastet kur për veprat penale përshihet dënimi me burgim të përjetshëm, gjykata mund të shqiptojë dënim me burgim deri në 35 vjet.

“…Gjykata ka ardhur në përfundim se nuk ka vend që të shqiptojë dënimin me burgim të përjetshëm dhe në rastin konkret ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 27 vite, duke konsideruar se edhe me dënimin unik të shqiptuar si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, do të arrihet efekti dhe qëllimi i dënimit nga neni 38 i KPRK-së.”, thuhet në arsyetim të aktgjykimit.

Ndryshe, i akuzuari Imeraj ishte deklaruar fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohet në seancën fillestare të mbajtur më 16 prill 2021.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Col Imeraj akuzohej se më 7 korrik 2020, rreth orës 03:00, në fshatin Bardhaniq të Komunës së Gjakovës, pikërisht në shtëpinë e të ndjerit N.M., me dashje në mënyrë mizore dhe për motive të panjohura ka privuar nga jeta të ndjerin 60 vjeçar.

Siç përshkruhet në aktakuzë, i akuzuari me thikë dhe me një çekan e godet me thikë fillimisht kushërirën e tij, D.M, pastaj e godet me thikë edhe të ndjerin, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së. Në paragrafin 1 dhe nënparagrafin 1.4 të nenit 173 flitet për vrasje të rëndë të kryer në mënyrë mizore dhe parashihet dënimi me burgim jo më pak se 10 vite ose me burgim të përjetshëm.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari në kohë, vend dhe mënyrë të përshkruar si më lartë, pasi më parë e privon nga jeta të ndjerin N.M dhe i shkakton lëndime të lehta trupore të dëmtuarës D.M, hyn në dhomën ku ishin duke fjetur M.M. së bashku më vëllain e tij, dëshmitarin e mitur D. dhe menjëherë fillon ta godasë disa herë me thikë të dëmtuarin M., duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, ashtu që i dëmtuari dërgohet për në QKUK.

Për këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Për këtë vepër penale parashihet dënimi me burgim jo më pak se 5 vite, dhe se personi që tenton të kryejë vepër penale dënohet si të kishte kryer veprën penale, por dënimi mund të zbutet.

I ishte akuzuar ngarkohej edhe për veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, përkatësisht për shkaktimin e lëndimeve trupore të dëmtuarës Diturie të përshkruara si në dispozitivin e parë të aktakuzës. E që për këtë vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës mund të shqiptohet dënim me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi