Gjykata kërkon përmirësimin e aktakuzës në rastin ndaj të akuzuarave për mashtrim me subvencione

Rasti i Zana Kotorrit 17.07.2018
Author

Raporton: Kaltrina AJVAZI

Korrik 17, 2018

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, ka kërkuar përmirësimin e aktakuzës në rastin që po zhvillohet ndaj ish-sekretares së përgjithshme në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Zana Kotorri si dhe Hana Berishës dhe Ardiana Goranit, të akuzuara për mashtrim me subvencione.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, ka kërkuar nga ana e prokurorit Haki Gecaj që për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës zyrtare” vepër me të cilën ngarkohet e akuzuara Zana Kotorri, të bëhet përmirësimi i aktakuzës, pasi që sipas saj, çdo vepër penale duhet të ketë përshkrimin e vet.

Sipas gjykatëses Kuka-Mekaj, aktakuza është ndryshuar dhe rregulluar që tri herë, mirëpo secila vepër penale duhet të ketë përshkrimin e vet, pasi që nuk mund të hyjë në gjykim pa u bërë përshkrimi për secilën vepër penale.

Prokurori Haki Gecaj, deklaroi se ai përfaqëson një aktakuzë të ngritur nga dikush tjetër, por që sipas tij, nëse insistohet që të bëhet përshkrimi i veprimeve lidhur me veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, duhet të shtyhet seanca dhe pas kryerjes së këtyre përmirësimeve të vazhdohet me të njëjtën.

Andaj ky shqyrtimi me propozim të prokurorit Gecaj është shtyrë për 22, 23 dhe 24 gusht 2018, duke filluar nga ora 09:00, ku pritet të fillojë ky gjykim rishtas.

Kjo për shkak se ky është trupi i tretë gjykues që e merr në punë këtë lëndë, pasi që rasti kishte qenë te gjykatësi Valon Kurtaj i cili ka kaluar në pozitën e drejtorit të Akademisë së Drejtësisë, e që pas largimit të tij lëndën e kishte marrë gjykatësja Shadie Gerguri.

Mirëpo, pas ardhjes së gjykatësve të ri, rasti ka kaluar te gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, e cila ka vendosur që sipas dispozitave ligjore të fillojë rishtas me gjykimin ndaj tri të akuzuarve, ku pritet që edhe njëherë të dëgjohen të dëmtuarit dhe dëshmitarët e këtij rasti.

Përkundër deklarimit të prokurorit Gecaj dhe mbrojtësve të të akuzuarve, avokatëve Xhafer Maliqi dhe Afrim Salihu që të konsiderohen të lexuara ose të lexohen veprimet e ndërmarra më parë, gjykatësja Kuka-Mekaj tha se pasi që është ndërruar komplet trupi gjykues nuk do të konsiderohen të lexuara, por do të fillohet nga e para.

Në seancën e mbajtur më 16 tetor të vitit 2017, kishin dëshmuar motra e të akuzuarës Zana Kotorri, Yllka Kotorri dhe dëshmitarët, Hamdi Alaj, Naile Alaj dhe Melihat Hysaj.

Yllka Kotorri në dëshminë e saj kishte thënë se me kërkesë të motrës së saj, Zanës, kishte shkuar në zyrën e të akuzuarës Gorani në Pejë, ku kishte nënshkruar një dokument e ku ishte shënuar shuma prej 160 euro, e cila shumë e parave do të përdorej për të blerë dhurata për fëmijët në SOS Fshati e fëmijëve.

Kurse, në seancën e 18 shtatorit 2017, Zana Kotorri dhe Hana Berishës nuk e kishin pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat i ngarkon akuza, ndërsa e akuzuara Gorani kishte pranuar fajësinë për njërën pikë të aktakuzës, përkatësisht për veprën penale të mashtrimit.

Ndryshe, gjykimi ndaj ish-sekretares së përgjithshme në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, Zana Kotorri dhe dy të akuzuarave tjera, Hana Berisha dhe Ardiana Gorani, është përballur me shtyrje të shumta të seancave.

Vetëm në periudhën maj-gusht të vitit të kaluar, pesë herë me radhë ishin shtyrë seancat për arsye të ndryshme.

Aktakuza e ngritur nga prokurori Besim Kelmendi, e ngarkon Zana Kotorrin, që në cilësinë e sekretares së përgjithshme në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, në bashkëpunim me Hana Berishën, kanë marrë pjesë në bashkim kriminal.

Sipas aktakuzës, Kotorri dhe Berisha ishin marrë vesh që të gjejnë persona të interesuar për subvencione nga kjo ministri dhe pastaj, shumën e subvencioneve të ndajnë përgjysmë, ashtu që gjysmën e shumës ta marrë e pandehura Kotorri dhe gjysmën tjetër, e pandehura Berisha.

Sipas aktakuzës, përmes Hana Berishës, e pandehura tjetër Ardiana Govori, kishte rënë në kontakt me Zana Kotorrin, e ku kjo e fundit duke tejkaluar kompetencat e saj, ia kishte përgatitur dokumentet për aplikim për subvencione, të pandehurës, Govori.

66.465.00 euro ishte shuma e subvencionit të projektit të shoqatës SHIPPL, me emër “Duam dhe mundemi së bashku”, e të cilat mjete pas ndarjes nga ana Ministrisë, të pandehurat i kishin ndarë mes tyre.

Gjithnjë sipas aktakuzës, 33.232.00 euro i kishte marrë e pandehura Kotorri, 15.00.00 euro i kishte marrë Hana Berisha dhe pjesën tjetër e kishte marrë, Ardiana Govori.

Në aktakuzën që tashmë e përfaqëson, prokurori Haki Gecaj, theksohet gjithashtu se të pandehurat, për çdo përfitues të subvencioneve kërkonin përqindje që shkonte nga 30 deri në 50 %, nga shuma e subvencioneve.

Mbi këto fakte, prokuroria akuzon të pandehurat, Kotorri, Berisha dhe Govori, se në bashkim kriminal, kanë kryer veprën penale të mashtrimit lidhur me subvencionet, ndërsa Zana Kotorri akuzohet edhe për veprat “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “marrje ryshfeti”. Hana Berisha dhe Ardiana Govori, ngarkohen gjithashtu edhe me veprën penale “dhënia e ryshfetit”.