Gjykata i dënon me nga 300 euro gjobë, tre të akuzuarit që në Qendrën e Azilit e kishin sulmuar fizikisht një person

173980419_356041679158202_8762589950182345226_n
Author

Raporton: Arbenita RRAHMANI

Maj 20, 2021

Lipjan – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, të enjten i ka shpallur fajtorë për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, Abdoldsste Manaa, Houari Mashkori, dhe Mahrez Ahmed.

Të tre këta akuzoheshin se më 18 maj 2021, në Qendrën e Azilit në Magure, Komuna e Lipjanit, e kishin sulmuar fizikisht të dëmtuarin Salahdin Rangi.

Të tre të akuzuarit, gjykatësi Avdirrahman Gashi i ka dënuar me nga 300 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur të premten, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Rrahim Podvorica dhe përkthimit të së njëjtës nga përkthyesi Hevzi Kadriu, të akuzuarit Abdoldsste Manaa, Houari Mashkori, dhe Mahrez Ahmed u deklaruan fajtorë për veprën penale me të cilën ngarkohen.

I akuzuari Abdoldsste Manaa deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet.

“Kjo ka ndodhë edhe si rezultat i të dëmtuarit i cili ka ardhur ditën kritike në Qendrën e Azilit nën ndikimin e alkoolit”, ka thënë Manaa.

I njëjti i ka premtuar gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsëris sjellje të tilla, duke shtuar së është në gjendje të vështirë ekonomike, si dhe ka kërkuar nga gjykata që t’i shqiptojë një dënim sa më të butë.

Këtë pranim të fajësisë e ka mbështetur edhe mbrojtësi i tij, avokati Naser Morina, i cili pas konsultimeve paraprake me të mbrojturin e tij, ka thënë se pranimin e fajësisë, i mbrojturi i tij e ka bërë në mënyrë vullnetare dhe pa presion, ndërsa i ka propozuar gjykatës që me rastin e shqiptimit të dënimit t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ti shqiptojë një dënim më të butë.

“I propozojë gjykatës që kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit ta refuzoj si të pa bazuar pasi që klienti im e ka pranuar fajësinë dhe nuk është e nevojshme ti caktohet paraburgimi” ka thënë Morina.

Edhe i akuzuari Houari Mashkori tha së është penduar për veprën penale me të cilën e ngarkon aktakuza.

“E ndjejë vetën fajtor për veprën penale për të cilën akuzohem”, ka thënë Mashkori.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuari Alasili, e ka mbështetur edhe mbrojtësi i tij sipas detyrës zyrtare, avokati Islam Gashi, i cili ka kërkuar nga gjykata që t’i vlerësoj rrethanat lehtësuese duke i shqiptuar një dënim sa më të butë.

“Sa i përket propozimit për paraburgim, të njëjtin e kundërshtojmë me arsyetimin sepse është një masë e rëndë e propozuar dhe klienti im e pranoi fajësinë dhe u shpreh i penduar dhe se paraburgimi më nuk është i nevojshëm”, ka thënë Gashi.

Gjithashtu edhe i akuzuari tjetër, Mahrez Ahmed tha se e ndjenë vetën fajtorë për veprën penale për të cilën akuzohet.

Ahmed i premtoi gjykatës që në të ardhmen nuk do të përsëritë sjellje të tilla dhe për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike, ai i kërkoi gjykatës që t’i shqiptojë një dënim sa më të butë.

Me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Ahmed, është pajtuar edhe mbrojtësi i tij avokati Naser Gashi, i cili i propozoi gjykatës që më rastin e matjes së dënimit, t’i ketë parasysh rrethanat lehtësuese dhe ti shqiptojë një dënim sa më të butë.

Sa i përket propozimit nga ana e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit, Gashi e ka kundërshtoi me arsyetimin se sipas tij, prokuroria nuk ka arritur të arsyetoj se vërtet janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve nuk e kundërshtoi as prokurori Podvorica, e më pas u aprovua nga gjyqtari Gashi.

Prokurori Podvorica, i propozoi gjykatës që të akuzuarve të iu vazhdohet masa e paraburgimit, por një propozim i tillë u refuzua nga ana e gjykatësit.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 maj 2021, të akuzuarit Abdoldsste Manaa, Houari Mashkori, dhe Mahrez Ahmed, po akuzohen se më 18 maj 2021, në Qendren e Azilit në Magure – Lipjan, pas një mosmarrëveshje paraprake që kishte ndodhur po në këtë Qendër të Azilit në mes të pandehurve të cekur më lartë dhe të dëmtuarit Salahdin Rangi, të pandehurit e kanë sulmuar fizikisht të njëjtin.

Në këtë dispozitiv thuhet se të pandehurit e kanë shfrytëzuar rastin kur i dëmtuari ka dal jashtë nga Qendra e Azilit dhe ka qenë vetëm duke e sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte në fytyrë dhe nëpër trup e deri në gjakosje.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i dëmtuari nga aty ka shkuar drejt në Polici për të raportuar rastin dhe për të kërkuar ndihmë mjekësore.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe atë kontuzione në kokë, plagë mbretëse në mukozën e buzës së sipërme të gojës, thyerje të dhëmbit 21, të gjitha këto pasoja të përkohshme për shëndetin.

Për këto veprime, të pandehurit po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Lëndimi lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së./BetimipërDrejtësi