Gjykata fton në sqarim ekspertin për dëmin e shkaktuar nga energjia elektrike 

IMG_2148
Author

Raporton: Arlinda MUQA

Prill 8, 2021

Pejë – Gjykata e Pejës fton në sqarim ekspertin elektrik, Xhevat Spahiu, në çështjen civile, ku paditësi Brahim Arifi po kërkon nga e paditura KEDS, kompensimin e dëmit material, në vlerë prej tre mijë euro,për shkak të dëmit të shkaktuar nga rryma elektrike.

Lidhur me këtë çështje civile, të enjten, në Gjykatën Themelore në Pejë, është mbajtur seanca e rigjykimit, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.

Në fillim të kësaj seance, përfaqësuesit e palëve të procedurës u deklaruan rreth ekspertizës elektrike të punuar për këtë çëshje civile.

Përfaqësuesi i paditësit, avokati Esat Muharremi, deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe deklarimeve të deritanishme, dhe se për ekspertizën thotë se shkaktar kryesor për zjarrëvënie ka qenë rryma dhe se këtë konstatim e arsyeton gjendja faktike e vizitës në vendin e ngjarjes.

“Për shkaktarin e dëmit të krijuar në shtëpi të të paditurit zjarrëvënia shkaku kryesor ka qenë rryma, këtë konstatim ekpertiza e fundit e  arsyeton në gjendjen faktike të cilen kanë konstatuar gjatë vizites në vendin e ngjarjes ku për shkak përquesve  të rrymës trafoja dhe shtyllat të cilët janë pjesë përbërëse të furnizimit me rrymë, konsumatorët saktësisht objekteve të tyre, fare nuk kanë qenë me standarde të duhura për të përcjellë rrymen deri te konsumatori prandaj të dy ekspertët kanë konstatuar pa dyshim me konstatimet profesionale të tyre se zjarri ka shpërthyer në shtëpi të paditësit duke luajtur tensioni me kontuinitet i cili kishte dëmtuar stabilizatorin e tensionit i cili e ka djegur kulmin e shtëpis e nga aty është përhapur në tërë kulmin e shtëpis”, tha avokati Muharremi.

Ndërsa përfaqësuesi i të paditurës, avokati Granit Gërvalla, deklaroi se mbetet në tërësi pranë përgjegjës në padi, dhe se e konteston këtë padi. Ai tha se nuk pajtohet me analizën e ekspertizës për shkak se ka kaluar kohë e gjatë prej aksidentit të zjarrit ku aty nuk dihet se a ka qenë shkaktarë rryma apo ka pasur zjarrëvënie.

“Në këtë ekspertizë është dashur të definohet përgjegjësia e jo vetëm konstatimi se shkakimi i zjarrit ka ardhë nga energjia elektrike, pasi që me kodin e shpërndajres ka prodhuar nga ZRE përgjegjësia ndahet në instalimet e brenshme të konstumarotit dhe furnizimi me energji elektrike. Për standatret elektrike është bërë përshkrimi i gjendjes faktike të tanishme dhe duhet të ketë parasysh se dy ekspertizat janë bërë përafersisht pas 6 apo 7 viteve nga ndodhja e rastit, andaj gjendja faktike ka ndyshuar në tërësi dhe kur parashihet në përpilimin e ekpertizave, luhatjet e tenisonit ajo duhet të faktohet, të matet dhe të parashihen parmetrat se sa ka qenë ajo luhatje, sepse ajo nuk mund të shihet dhe të vërehet me sy, e njëkohësisht kur ka kaluar kjo kohë kaq e gjatë nga rasti i ndodhur”, tha përfaqësuesi Gërvalla.

I njëjti, i propozoi gjykatës që të ftohet eksperti Xhevat Spahiu,që të dëgjohet lidhur me analizën e ekspertizës.

Një propozim të tillë nuk e kundërshtoi avokati Muharemi, e më pas e aprovoi edhe gjykatësi Ilir Berisha.

Gjykatësi Berisha, seancën e radhës, e caktoi me 28 prill 2021  në ora 14:30.

Të pranishëm në gjykim ishin, paditësi Brahim Arifi me përfaqësuesin e tij, avokatin Esat Muharremi dhe përfaqësuesi i të paditurës KEDS, avokati Granit Gërvalla.

Ndryshe për këtë çështje civile, Gjykata Themelore në Pejë me 12 maj 2015, kishte marrë vendim me të cilin e kishte hudhur si të parregulluar padinë e paditësit Bahim Arifi, kundër të paditurës KEDS.

Lidhur me këtë vendim, paditësit Brahim Arifi kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit në Prishtinë, e kjo e fundit me 27 shkurt 2019, kishte marrë vendim me të cilin e kishte aprovuar ankesën e paditësit Arifi dhe vendimin e gjykatës së parë e kishte prishur dhe të njëjtën lëndë e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas vendimit të Apelit thuhet se “ Duke vlerësuar mënyren e vendosjes në këtë çështje juridike kontesimore nga ana e gjykatës së shkallës së parë, ka gjetur se një qëndrim dhe përfundim të tillë i gjykatës së shkallës së parë është i pabazuar dhe nuk ka mbështetje ligjore, pasi që kjo gjykatë vlerëson se aktvendimi i atakuar është përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore nga neni 182.1 të LPK-së, e lidhur me nenin 99,102,253 dhe 387 të të njëjtit ligj”.

Tutje në bazë të këtij vendimi, Apeli ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që të cakton seancën përgatitore apo të shqyrtimit kryesor, për të cilin të ftoj ndërgjyqësit dhe sipas propozimit të tyre të nxjerrë dhe të admisintrojnë provat e propozuaranë drejtim të vërtetimit të plotë dhe të drejtë të gjendjes faktike, që pastaj përmes aplikimit të normave të të drejtës materiale të ketë mundësi që të vie një vendim të drejtë.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar me 28 janar 2014, paditësi kishte kërkuar kompensimin e dëmit të shkaktuar nga rryma elektrike, në vlerë prej 3.000 euro.

Në padi thuhet se paditësi në shtëpinë e tij në fshatin Treboviq, është pagues i rregullt i rrymes elektrike dhe e posedon edhe zdruktarin që punon dyer dhe dritare, e gjësende tjera në nevojshme për nevojat e fshatarëve, dhe me datën 06.12.2013, nga era që ka fryer shumë ka ardhur deri te kontakti me telat përquese të rrymës elektrike dhe është djegur tërë kulmi i shtëpisë.

Andaj në padi kërkoi që nga ekspetiza e ndërtimtarise, shumën e rekomanduar t’ia paguajnë dëmin e shkaktuar në afat prej 15 ditësh nga plotëfuqishmeria e atij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit me dhunë. /BetimipërDrejtësi