Gjykata ende s’ka vendosur lidhur me kërkesën e prokurorisë për caktim të paraburgimit ndaj të dyshuarit për vrasjen e 30 vjeçarit në Ferizaj

Raporton: Shqiponjë Gashi

Prishtinë – Gjykata Themelore në Ferizaj ende nuk ka vendosur lidhur me kërkesën për caktim të paraburgimit ndaj Qëndrim Januzit të paraqitur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj nën dyshimin për vrasjen e 30-vjeçarit Gazmend Hyseni.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zyrtarja ligjore e kësaj gjykate, Gentiana Hoxha.

“Ende nuk ka vendos gjykata, ende nuk është marrë vendim për ndonjë masë, nëse veç vendoset”, tha Hoxha për “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu nga “Betimi për Drejtësi” është kontaktuar edhe mbrojtësi i Januzit, avokati Kastriot Zenuni, i cili tha se ende nuk ka pranuar ndonjë vendim nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, bëhet e ditur se i dyshuari për vrasjen e 30 vjeçarit, është plagosur nga një zyrtar policor në detyrë i cili ishte me rroba civile dhe ka intervenuar në momentin kur ka ndodhur vrasja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I dyshuari mashkull kosovar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës mashkull kosovar, i cili ka mbetur i vdekur. Një zyrtar policor në detyrë në rroba civile ka intervenuar dhe ka shtënë në drejtim të dyshuarit, ku i njëjti është plagosur”, thuhet në raport.

Policia njofton se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për Obduksion, ndërsa ndaj të dyshuarit është lëshuar vendim në mbajtje.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt dhe IPK-ja të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes.

“Me vendim të Prokurorit lidhur me veprimet e zyrtarit policor do të marrin vendim Prokurori i rastit së bashku me IPK-në, ndërsa për veprimet tjera hetimore lidhur me vrasjen Sektori Rajonal i Hetimeve nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj. Si provë materiale nga vendi i ngjarjes janë konfiskuar dy armë zjarri, pistoleta dhe shtatë gëzhoja”, thuhej në njoftim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë