Gjykata e refuzon si të pabazuar padinë e zyrtares së prokurimit në AKP, thotë se vendimi i KPMSHCK-së është i drejtë

Pallati (2)
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Gusht 10, 2020

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, e ka refuzuar si të pabazuar padinë e zyrtares së prokurimit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), Drita Gjonbalaj.

Ajo kishte kërkuar nga departamenti i kësaj gjykate, të anuloj vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës (KPMSHCK) si të kundërligjshëm.

Sipas saj, KPMSHCK ia kishte pamundësuar asaj gradimin nga pozita e zyrtares për prokurim, në atë të shefes së Njësisë pranë Departamentit për Prokurimin në AKP.

Sipas vendimit të siguruar për “Betimi për Drejtësi”, vendimi i atakuar është i drejtë dhe i ligjshëm, kjo me arsyetimin se AKP nuk kishte hapur konkurs për pozitën për të cilën pretendon paditësja.

Madje sipas gjykatës, avancimi i nëpunësve civil në karrierë nuk mund të bëhet me kalimin e viteve në vendin e caktuar të punës, por avancimi dhe gradimi mund të bëhet vetëm në bazë te konkursit të shpallur nga organi i punësimit.

“Nga provat e administruara Gjykata vëren se vendimi i kontestuar nga paditësja është i drejtë dhe i ligjshëm dhe se me vendim nuk është shkelur ndonjë e drejtë ligjore, ngase i padituri ka vlerësuar drejtë gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar ligjin procedural dhe material, kur ka refuzuar ankesën e paditëses si të pabazuar”, thuhet ndër të tjera në aktgjykimin e gjykatës.

Ndryshe gjatë shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 24 qershor 2020, Gjonbalaj kishte deklaruar se që nga viti 2000, kur edhe kishte filluar punën si zyrtare e prokurimit në AKP, nuk kishte arritur të avancohet në institutin ku ajo punonte.

Kjo sipas saj kishte ndodhur për shkak të nepotizmit, pasi që në këtë institucion tha se ndër vite ishin pranuar e avancuar nëpër pozita njerëz të lidhur me politikën dhe pa përgatitje profesionale

“Aty janë pranu njerëz vetëm nga politika, vetëm njerëzit që kanë qenë deputet,  është pranu motra e Xhevahire Izmakut, dhëndëri i Fatmir Xhelilit, mua gjithmonë më kanë refuzuar, ata nuk kanë as përvojë profesionale as përgatitje akademike”, kishte deklaruar ajo.

Ndërkaq pretendimet e paditëses i kishte kundërshtuar përfaqësuesja e të paditurës, Zyre Minovci.

Ajo kishte propozuar që vendimin i të paditurës të vërtetohet si i bazuar dhe i ligjshëm, me arsyetimin se KPMSHCK-ja kishte nxjerr vendim të bazuar në provat e administruara nga të dy palët në kontestin administrativ, lidhur me pretendimet e ankuesit që të ngritët në detyrë pa procedurë ligjore.

Ndryshe sipas padisë së ushtruar më 21 maj 2018, paditësja Drita Gjonbalaj kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, të anuloj vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civil të Kosovës (KPMSHCK) si të kundërligjshëm.

KPMSHCK thuhet se e kishte refuzuar ankesën e paditëses të cilën e kishte ushtruar ndaj vendimit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), me të cilin AKP i kishte refuzuar paditëses për gradimin apo avancimin në karrierë në vendin e punës si Shefe e Njësisë pranë Departamentit për Prokurimin në AKP.

Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte anuluar vendimin e KPMSHCK, duke e kthyer çështjen në rivendosje.

Pas këtij aktgjykimi, e paditura kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, por që kjo ankesë ishte refuzuar si e pabazuar.

E paditura kishte paraqitur kërkesë për shqyrtim të jashtëzakonshëm në Gjykatën Supreme të Kosovës, por e njëjta kërkesë ishte hedhur poshtë si e palejuar.

Pas gjithë këtyre vendimeve, KPMSHCK sërish kishte refuzuar ankesën e paditëses, ashtu që paditësja për herë të dytë i është Drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga e cila po kërkon anulimin e këtij vendimi si të kundërligjshëm. /BetimipërDrejtësi