Gjykata e Pejës cakton paraburgimin ndaj të akuzuarit për vrasje dhe armëmbajtje pa leje në Pejë

Foto Gjykata (26)
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Prill 30, 2021

Pejë- Departamenti i Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit të dyshuarit F.B, i dyshuar për veprën penale të vrasjes dhe armëmbajtjes paleje.

Për një vendim të tillë, Gjykata e Pejës ka lëshuar komunikatë për media.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.B, për shkak të dyshimit të bazuar se :

Me datë 24.04.2021, rreth orës 14:30 minuta, në oborrin e tani të ndjerit, me dashje e për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe të atëçastshme rreth pronës, në mes të pandehurit dhe tani të ndjerit, gjersa tani i ndjeri ishte duke e thurur pronën, vie deri tek konflikti verbal lidhur me pronën, me ç’rast i pandehuri nga shtëpia e tij merr armën dhe gjuan në drejtim të tani të ndjerit dhe si pasojë e goditjeve nga arma tani i ndjeri nga plagët e shkaktuara vdesë gjersa i pandehuri së bashku armë largohet nga vendi i ngjarje.

Me këto veprim i pandehuri F.B  për të kryer veprën penale vrasje  nga neni 172  lidhur me nenin 28  te KPRK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.2 të KPRK-së.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka  kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe duke e pas parasysh se i pandehuri ka qenë në arrati dhe duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën e kryerjes, afërsinë familjare me të ndjerin, vendin dhe kohën e kryerjes së veprës penale, gjykata ka gjetur se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të ikë apo mund të ndikojë në dëshmitarë e me këtë të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale. Andaj, gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është masa adekuate për sigurimin e prezencës së tij në procedurë.

Gjykata sipas detyrës zyrtare vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit. /BetimipërDrejtësi